LAJMI I FUNDIT:

“Nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”

“Nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”

Më poshtë mund të lexoni pjesë të shënimeve të Musine Kokalarit (1917-1983), shkrimtares së parë shqiptare së cilës komunistët ia pushkatojnë dy vëllezër pa gjyq, ndërsa vet vuan 18 vite burg në Burrel e 19 të tjera e internuar në Rrëshen.

“Erdhi dita që do të jepja llogari përpara bangës së akuzuarve. Dola ke mikrofoni. Më pyeti Kryetari, Frederik Nosi:


– A e pranoni akt akuzën?

– Në bazë të pikëpamjeve tuaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo.

– Mjaft me sofizma – uluriti Frederik Nosi.

– Atëherë është e kotë të më pyetni. Lexoni proçesin dhe unë shumë e kënaqur u ula tek vëndi tim.

Pretenca qe e fortë. Sa herë që vërtitej, gjithmonë akuzohesha unë. Mendova se do më dënonte me vdekje. Veç kësaj, prokurori më akuzoi se mora fajet e të tjerëve sipër. Unë s’thash as jo as po.

Erdhi dita e mbrojtjes së të pandehurve. Unë s’pranova avokat. E përpilova vetë mbrojtjen. Po ama ata nuk dinin se çfarë përmbante. Prokurori më akuzoi se ishim një bllok që donim të përmbysnim Pushtetin. Më dënoi 30 vjet. Unë me mbrojtjen në dorë, u afrova tek mikrofoni. Fillova leximin. Thashë: “Në këtë gjyq janë të pandehur 36 veta. Katër grupe. Në tre grupe kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve, që të shtyheshin votimet dhe si koalicion demokratik të merrnim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e Pushtetit, po për zgjedhje demokratike”.

Si kryetari, si prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: ‘Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen’.

– Në qoftë se e ndaloni ju, nuk e lini të burgosurin të mbrohet, unë e lë, se më urdhëruan të mos vazhdoj.

Shkova tek vendi tim. Pas pak erdhi oficer Manoli dhe më mori mbrojtjen. E dhashë.

Kur thanë për fjalën e fundit, kërkova drejtësi. Kryetari më dënoi 20 vjet. Gjyqi vazhdoi 15 ditë. Më në fund, më shpunë në burg. Kishte pak. Më të shumtat ordinere. Vajtja ime pruri rregulla. Nuk lejohej më takimi jashtë portës, po hapesh një penxhere e vogël tek porta. Erdhën shumë veta të më takonin. Lanë vetëm familjarët.”

Fati mizor i shkrimtares së parë shqiptare: Në 33 vjet izolim punoi si kafshë për një copë bukë
Lexo po ashtu Fati mizor i shkrimtares së parë shqiptare: Në 33 vjet izolim punoi si kafshë për një copë bukë
Historia e frikshme e Enver Hoxhës me Musine Kokalarin
Lexo po ashtu Historia e frikshme e Enver Hoxhës me Musine Kokalarin