LAJMI I FUNDIT:

Nuk kalon propozim-rezoluta për pagesën e 53 milionë eurove për Bechtel & Enkan

Nuk kalon propozim-rezoluta për pagesën e 53 milionë eurove për Bechtel & Enkan

Propozim-rezoluta, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi” Prishtinë-Hani i Elezit, hapi debat në mes të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe atij të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Krasniqi, tha se Glauk Konjufca si dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj nuk e kanë përmendur se cilat parti politike kanë krijuar harmonizim në lidhje me këtë propozim rezolutë.


Ai ka ftuar Konjufcën që ta lexoj transkriptin që ta vërtetojë një gjë tillë.

“Ftoj Glaukun që ta lexoj transkriptin dhe nëse del që është harmonizua me LDK-në dhe PSD-në,kërkojmë falje. E vërteta është se as Armendi as Glauku nuk e kanë përmend emrin se me kënd e ka harmonizua rezolutën”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, deputeti Glauk Konjufca, tha se është pafytyrësi që të akuzohet për diçka që s’është e vërtetë.

“Është pafytyrësi të më akuzoni për diçka që nuk është e vërtetë. Ky tekst është i harmonizuar me LDK, VV dhe PSD. E juve s’ju kam përmendur. Kryeministri javën e kaluar në foltore ka thënë ‘Në krye në veti si qeveri, nuk mund ta anuloj këtë vendim, por e anuloj nëse më thotë kuvendi’”, ka thënë Konjufca.

Ai po ashtu tha se nëse nuk e ka thënë për herë të parë që nuk është tekst i LDK, VV-së dhe PSD atëherë është i gatshëm të jap dorëheqje.

“Po më pëlqen basti i Memlit. Nëse nuk e kam thënë herën e parë që nuk është tekst i LDK-së, PSD-së dhe VV-së, unë jap dorëheqje, e pranoj bastin e tij”, tha shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca, shkruan Telegrafi.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar ndaj Konjufcës duke thënë se është duke bërë përpjekje për kontrabandim, e jo përpjekje për sinqeritet.

“E ke pas një tekst tjetër në fillim e mandej e ke ndryshuar komplet tekstin e rezolutës. Kjo është përpjekje për kontrabandim e jo përpjekje për sinqeritet”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së Armend Zemaj, tha se ka deklaruar shkurt se LDK dhe Vetëvendosje janë harmonizuar për këtë rezolutë duke harruar të përmend edhe PSD-në.

“Memli në fjalën time shumë shkurt isha. Duke e dit problemin paraprak e paraqita shumë qartë, LDK dhe VV janë harmonizua për rezolutën në fjalë duke harru dhe
PSD-në”, tha Zemaj.

Ndryshe, propozim-rezoluta nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, “Arbën Xhaferi” Prishtinë-Hani i Elezit, nuk u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. /Telegrafi/