Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ripërsëritur thirrjen për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit që të mos e përdorin ujin për pije, për shkak të nivelit të lartë të manganit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka theksuar se ndotja me mangan është ndotje kimike dhe vlimi i ujit nuk e eliminon këtë element.


“Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.




IKSHPK ka intensifikuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm dhe bashkëpunimin me KRU “Prishtina” për të siguruar furnizim cilësor për qytetarët.

KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:

  • Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
  • Intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë gypat magjistral dhe sekondar.

Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura, kompania do të ofrojë ujë përmes autoboteve, sipas hartave dhe orarit të prezantuar nga KRU “Prishtina”. /Telegrafi/