Nuk e përmend Kosovën, Kos: Të gjitha vendet e Ballkanit kanë vend në BE

Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerim, Marta Kos ka deklaruar se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet i BE-së, duke theksuar se të gjitha vendet e rajonit kanë perspektivë të qartë anëtarësimi.
Ajo ka thënë se nëse vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, edhe BE-ja do të ecë përpara në procesin e integrimit.
“Do të diskutojmë tema kyçe gjeopolitike sot, duke filluar me Ballkanin Perëndimor, dhe kam një mesazh shumë të qartë: ka vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kos.
Ajo theksoi se zgjerimi është prioritet i BE-së dhe se procesi po vazhdon me hapa konkretë.
“Zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian, dhe nëse kandidatët tanë përmbushin detyrimet, atëherë edhe ne duhet të përmbushim tonat, dhe ne po i përmbushim”, u shpreh ajo.
Kos ka bërë të ditur se pas 17 vitesh është krijuar për herë të parë grupi punues për traktatin e anëtarësimit për një vend të ri kandidat, duke iu referuar Malit të Zi.
“Pas 17 vitesh, për herë të parë kemi krijuar grupin punues për traktatin e anëtarësimit për një vend të ri. Ky është Mali i Zi”, tha ajo.
Ajo shtoi se qytetarët e Malit të Zi mbështesin fuqishëm anëtarësimin në BE, sipas të dhënave të fundit të Eurobarometrit.
Në lidhje me planin e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, Kos tha se zbatimi po ecën mirë dhe se BE-ja do të vazhdojë me mbështetje financiare për rajonin.
“Në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ajo theksoi se po shënohen rezultate konkrete në integrimin gradual të vendeve të rajonit, duke përmendur edhe anëtarësimin e Serbisë në SEPA, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Këshillin e Punëve të Jashtme në Bruksel sot mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor. /Telegrafi/
We’re talking about the Western Balkans here at the Foreign Ministers meeting in Brussels.
When countries in the region deliver, we do too: the start of drafting Montenegro's accession treaty, new payments under the Growth Plans, and Serbia joining SEPA.
My doorstep comments… pic.twitter.com/vlQsbRbTB8
— Marta Kos (@MartaKosEU) May 11, 2026





















































