Një grua nga Utah kishte përjetuar befasinë e jetës së saj në një fluturim nga Salt Lake City për në Honolulu, kur papritmas lindi një bebe – madje pa e ditur që ishte shtatzënë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Lavinia Mounga po fluturonte për në Hawaii të mërkurën me familjen e saj kur filloi kontraktimet.

Dhe historia e Mounga u bë virale pasi një pasagjer, Julia Hansen, njoftoi lajmin në mediat sociale, duke thënë: ‘Një foshnjë sapo lindi në këtë aeroplan’.

Pamjet më pas kapin pasagjerët në bordin e fluturimit Delta duke duartrokitur dhe uruar gruan për atë që i kishte ndodhur në ajër.

Hansen shtoi: “Për ata që pyesnin veten se si ishte në gjendje të fluturonte në tremujorin e saj të tretë, unë u ula pranë babait të saj në aeroplan dhe ai tha që ata nuk e dinin as që ishte shtatzënë”.

Lani Bamfield, një infermiere nga Kansas City, shkroi në një postim në Facebook: “Nëse dikush do të donte të dinte se si po shkon udhëtimi ynë në Hawaii … ja si filloi”.

“Ne realizuam një lindje në javën e 26-27 të shtatzënisë në banjën e aeroplanit, në mes të oqeanit, me tre infermiere, një ndihmës të Mjekëve dhe një mjek të mjekësisë familjare, ne ishim në gjendje ta bënim atë tri orë para se të arrinim në destinacion – por foshnja dhe mami janë shumë mirë”.

Dhe më pas, nëna dhe foshnja e saj, të cilën ajo e quajti Raymond Kaimana Wade Kobe Lavaki Mounga, u dërguan në spital sapo aeroplani aterroi në Honolulu, me shëndet të mirë.

Babai i foshnjës, Ethan Magalei, shkroi në Facebook se ishte shtangur nga lajmi dhe e përshkroi ardhjen e Raymond si ‘një mrekulli’.

Ai falënderoi ata që kishin ndihmuar në lindjen dhe tha se shpreson të jetë ‘babai më i mirë’. /Telegrafi/