Duke folur në darkën e Krishtlindjeve të Barcelonës, presidenti Joan Laporta i ka dhënë një paralajmërim të prerë Real Madridit dhe presidentit të tyre Florentino Perez pas akuzave të tyre të fundit kundër klubit katalanas në lidhje me skandalin Negreira.

Rasti Negreira është duke shkuar drejt fundit tashmë pasi janë duke u mbajtur seancat e fundit gjyqësore para vendimit, por akuzat e Real Madridit drejt Barcelonës nuk janë ndalur, duke bërë drejtuesit katalunas të reagojnë.


“Ne të gjithë e dimë se në çdo veprim sportiv, shoqëror, institucional dhe madje edhe ekonomik, ne lëmë gjurmën tonë, si një klub i respektuar, i njohur, i admiruar dhe i dashur”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Gjithashtu duhet të them se kjo staturë që kemi gjeneron një zili që nuk pritet mirë nga ata që, përmes taktikave të fshehta, shpërfillin të gjitha kodet e sjelljes, si etike ashtu edhe morale, dhe jo vetëm në sport, dua të them në përgjithësi”.

“Mendoj se e dini se kujt po i referohem, ata që janë arkitektët e fushatave të vazhdueshme për të diskredituar stemën dhe thelbin tonë, dhe ne nuk do ta lejojmë këtë".

“Këta janë ata që e ngatërrojnë pushtetin me despotizmin, jo me despotizmin e iluminuar, këta janë ata që praktikojnë cinizëm dhe arrogancë të tepruar, këta janë ata që kanë një monstruozitet televiziv që vetëm vjell gënjeshtra dhe helmon vazhdimisht dhe përgjithmonë ajrin”.

“Këtyre njerëzve, u them se Barça është përsëri e fortë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, dhe ndërsa ata shkatërrojnë dhe përpiqen të fshijnë ose shtrembërojnë historinë, nuk do të kenë sukses”.

“Ne po ndërtojmë, dhe po ndërtojmë një skenë të shkëlqyer në historinë e Barcelonës që do të arrijë përsëri lavdinë dhe do të bëjë histori, dhe kjo është falë jush, në thelb", përfundoi presidenti i Barcelonës. /Telegrafi/

telegrafi sport app