Norvegjia mbështet objektivin e ri prej 5% të shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s

Duke folur në konferencën për shtyp, Jonas Gahr Støre deklaroi mbështetjen e Norvegjisë për objektivin prej 5% të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Në deklaratën e tij të hapjes, Støre shpjegoi se objektivi është i ndarë në 3.5% për shpenzimet e "mbrojtjes klasike", duke përfshirë stafin, investimet, përgatitjen dhe mbështetjen për Ukrainën, me 1.5% të mbetur për "shpenzime të lidhura me mbrojtjen", duke përfshirë masat operative dhe industriale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai tha se kategoria e fundit mund të mbulojë shpenzimet për mbrojtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës kritike, përballjen me kërcënimet hibride, duke përfshirë ato dixhitale dhe dezinformimin, ndër të tjera.
Ai theksoi se vendi aktualisht po shpenzonte 3.2% për mbrojtje, nëse përfshihet ndihma për Ukrainën.
Vlerësimet e fundit të NATO-s për vitin 2024 tregonin se Norvegjia do të shpenzonte 2.2%.
Kryeministri shtoi se disa detaje mbi objektivin, duke përfshirë edhe kohën kur vendet duhet ta përmbushin atë, mbeten nën diskutime aktive dhe do të vendosen javën e ardhshme.
Støre përsëriti gjithashtu paralajmërimin e tij se Norvegjia përballet me "situatën më serioze të politikës së sigurisë" që nga lufta e dytë botërore, ndërsa vuri në dukje edhe rreziqet e reja që rrjedhin nga kriza në Lindjen e Mesme.
Deklarata e tij vjen në kohën kur Spanja ka hedhur poshtë një propozim të NATO-s për të shpenzuar 5% të GDP-së për nevojat e mbrojtjes që do të shpallet javën e ardhshme, duke e quajtur atë “të paarsyeshëm”.
Kryeministri Pedro Sanchez, në një letër të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, tha se Spanja “nuk mund të angazhohet për një objektiv specifik shpenzimesh në terma të GDP-së” në samitin e NATO-s javën e ardhshme në Hagë.
Bëhet e ditur se çdo marrëveshje për të miratuar një udhëzues të ri shpenzimesh duhet të bëhet me konsensusin e të gjitha 32 shteteve anëtare të NATO-s.
Pra, vendimi i Sanchez rrezikon të prishë samitin e javës së ardhshme, në të cilin pritet të marrë pjesë presidenti i SHBA-së, Donald Trump. /Telegrafi/

















































