Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë, njëri në Mitrovicë dhe tjetri në Gjilan.

Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 15.04.2026 dhe në bazë të hetimeve fillestare ekziston dyshimi i bazuar se një Zyrtar Policor me gradën Rreshter, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka kryer vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj rreshterit është iniciuar rast penal “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Rasti i dytë raportohet të ketë ndodhur më 16.04.2026.

Në bazë të hetimeve fillestare, ekziston dyshimi i bazuar se zyrtari policor me gradën Toger, derisa ishte duke u intervistuar në ambientet e Inspektoratit Policor të Kosovës është hasur duke bërë incizimin e paparalajmëruar të hetuesve dhe procesit të intervistimit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndaj Togerit, është iniciuar rast penal “Fotografimi dhe Incizimet tjera të paautorizuar” nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/