LAJMI I FUNDIT:

Njëqind vjet pa asnjë marrëveshje

Njëqind vjet pa asnjë marrëveshje
Ilustrim

Serbia për më shumë se njëqind vjet nuk ka shfaqur vullnet për ndonjë marrëveshje me shqiptarët – që nga viti 1912 kur pushtoi Vilajetin e deriatëhershëm të Kosovës me kryeqytet Shkupin, që ishte njësi e organizuar administrative nën Perandorinë Osmane.

Edhe faktori ndërkombëtar e ka stimuluar Serbinë me favore të mëdha, për plot një shekull. Kujtojmë Kongresin e Berlinit, Paqen e Shën Stefanit, apo Konferencën e Paqes në Paris. Në vitin 1918, bashkësia ndërkombëtare i dhuroi Serbisë kontroll në shumë territore, pa kurrfarë të drejte – as etnike as territoriale – nga Gjevgjelia deri në Trigllav. Me të gjithë faktorët Serbia nënshkroi shumë marrëveshje, por ato nuk i zbatoi kurrë, ashtu siç po bën edhe tash 23 vjet me BE-në dhe me përfaqësuesit e Kosovës. Kjo nuk është histori e panjohur për diplomacinë gjithë botërore.


Sado që BE-ja trumbeton se angazhohet për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, realiteti dëshmon se Bashkimit evropian i mungon lidershipi për ndërmarrje të mëdha. Sado që në Ukrainë vazhdon lufta kundër pushtimit rus, BE dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta dinë se Rusia e Putinit është e interesuar shumë për të hapur një konflikt të ri që prek Paktin NATO.

As Serbisë as Rusisë nuk i interesojnë pasojat. Serbinë nuk e kënaqin kurrfarë lëshimesh kundruall Kosovës apo Bosnjës. Edhe po t’ia ktheni Serbisë Kosovën dhe Bosnjën, Serbia do t’i vërsulet me krejt forcat Malit të Zi e Maqedonisë. Kronika e zhvillimeve njëqindvjeçare

Marrëveshja e komunistëve shqiptarë e jugosllavë gjatë Luftës së Dytë Botërore që territoret e banuara me shumicë shqiptare në Jugosllavi t’i bashkëngjiten Shqipërisë, u shkel menjëherë në vitin 1945 në Kuvendin e njohur të Prizrenit.

Të gjithë deputetët pjesëmarrës shqiptarë në Kuvendin e Prizrenit që kundërshtuan aneksimin e Kosovës nga Serbia, u dënuan apo u likuiduan pa gjyq. Shpallet gjendje shtetrrethimi shumëvjeçar në Kosovë. Pasojnë aksioni për mbledhjen e armëve dhe i ashtu quajturi aksion për grumbullimin e tepricave të drithit e mishit, i njohur nga populli me emrin “Vishak”.

Vazhdoi shpërngulja masive e shqiptarëve, me zor e me hatër, për Turqi. Me 1958 pasojnë demonstratat e shqiptarëve. Vazhdojnë arrestimet e çdo shqiptari që ngre zërin kundër shtypjes e padrejtësisë. Nuk ka datë në kalendar që nuk burgoset dikush nga ata pak intelektualë atdhetarë shqiptarë që flasin qoftë hapur apo ilegalisht për barazi nacionale.

Në vitin 1968 plasin demonstrata masive kundër pushtetit serbo-sllav. Arrestohen shumë djem e vasha shqiptare. Shtypja e rezistencës shqiptare nga pushtuesi vazhdon. Beogradi nuk ndal dhunën mbi shqiptarë.

Shqiptarët trajtohen si faktor problematik në çdo mbledhje të LKJ-së.

Më 1969 fillon debati për ndryshime kushtetuese në Jugosllavi, që zgjat disa vjet.
Në vitin 1974 miratohen ndryshimet kushtetuese federative. Ndryshon pozita kushtetuese e Kosovës në Federatën jugosllave.

Kosova bëhet edhe pjesë konstituive e Federatës, por jo e barabartë me republikat tjera, pasi edhe më tutje mbetet pjesë e Serbisë.

Nga shqiptarët fillojnë të dëgjohen propozime e kërkesa që edhe Kosovës t’i njihet statusi i Republikës.

Kjo kërkesë shpallet armiqësore nga KQ i LKJ-së.

Në vitin 1980, Serbia vetëm kishte pritur vdekjen e Titos, për t’iu vërsulur Kosovës.

Në vitin 1981 shpërthejnë demonstrata të mëdha në gjithë Kosovën me ç’rast u vranë shumë shqiptarë. U arrestuan e u dënuan me qindra studentë e intelektualë shqiptarë.

Serbia hapi derën e ndërhyrjes në Kosovës përmes policisë federative. Shumë drejtues partiakë shqiptarë të Kosovës në Federatë dhe në Prishtinë, u përjashtuan nga partia dhe u shkarkuan nga detyrat. Serbia në emër të policisë federative vazhdoi të dërgojë policët në Kosovë.

Pa vonuar, Serbia, në vend të avancimit të autonomisë së Kosovës, nisë fushatën për t’ia marrë autonominë Kosovës. Bëhet debat formal nëpër komuna dhe kudo nuk pranohen këto ndryshime që suprimojnë autonominë.

Serbia me tanke rrethon Kuvendin e Kosovës, tashmë të mbyllur për shqiptarë.

Nga ajo ditë, pason suprimimi i çdo organi e organizate publike të Kosovës autonome. Mbyllen të gjitha mediat informative në gjuhën shqipe. Largohen me dhunë studentët shqiptarë nga fakultetet dhe nxënësit nga shkollat e Kosovës.

Në të gjitha komunat dhe në Prishtinë vendoset administratë e dhunshme serbe.

Shqiptarët përfundimisht përjashtohen nga jeta publike në Kosovë.

Pason organizimi partiak i shqiptarëve. Në fillim vetëm me një subjekt të regjistruar legalisht në Beograd.

Asnjë protestë shqiptare më nuk merret parasysh nga pushtuesi. Deri në vitin 1998 bëhen protesta e demonstrata masive, por kot.

Serbia synon ta fus në dorë gjithë Jugosllavinë.

Përgjaken me rend republikat. Për dy javë konflikt në Slloveni, APJ e komanduar nga serbët tërhiqet nga kjo republikë. Pason lufta në Kroaci dhe në Bosnje.

I vjen radha edhe Kosovës. Serbia asnjëherë nuk kishte paraqitur edhe një propozim për marrëveshje me shqiptarët. Rezistenca paqësore nëntëvjeçare e shqiptarëve merr fund.

Në vitin 1998 del publikisht Ushtria Çlirimtare e shqiptarëve – UÇK.

Serbia as që do të dëgjojë për ndonjë bisedë me shqiptarët. Faktori ndërkombëtar ofron çdo herë vetëm biseda për autonomi të shqiptarëve.

Serbia nuk pranon asgjë. Lufta shpërthen në gjithë Kosovën.

Faktori ndërkombëtar përpiqet të gjej rrugë paqësore të zgjidhjes së problemit.

Në vitin 1999, bashkësia ndërkombëtare më në fund i detyron palët të takohen në Rambuje. Serbia as aty nuk pranon të nënshkruaj asgjë. Lufta hynë në fazën kritike. Pas vrasjes së mijëra shqiptarëve, zhvendosjes së një milion shqiptarëve nga shtëpitë e veta, ndërhyn bashkësia ndërkombëtare me forcat e armatosura të NATO-s.

Nga Kosova largohen të gjitha forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe.

Autorizohet diplomati finlandez Ahtisari për hartimin e një statusi për Kosovën.

Serbia nuk e pranon Planin e Ahtisarit.

Kosova shpall pavarësinë. Me gjithë lëshimet e shumta për serbët, sipas planit të Ahtisarit – megjithëse me atë plan krijohen 10 komuna me shumicë serbe, 10 vende të rezervuara deputetesh serbë në Kuvendin e Kosovës – asgjë nuk ndryshon qëndrimin serb.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe Uashingtonit, fillojnë bisedimet paqësore në Bruksel, por pa qëndrim konkret. Pas më shumë se dhjetë vjetësh bisedimesh me Serbinë, nuk arrihet asnjë epilog. Shumë marrëveshje u nënshkruan duke mos përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe kështu gjithçka që është fol e shkruar në Bruksel, shkon kot.

Gjithë procesi i bisedimeve nuk konkretizon çështjen kryesore (njohjen e Kosovës), me të cilën tallet Serbia.

Dhe, së fundi takimi në Ohër, i shpallur historik, detyrues për palët: Serbia tallet serish. Dhe, as aty në atë dokument, kryetari serb nuk nënshkruan.

Pesë vende të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës dhe pikërisht ky fakt e favorizon Serbinë që të tallet me të gjithë ndërmjetësuesit e deritashëm ndërkombëtarë.

Në këtë lojë me politikë mesjetare, futet edhe Shqipëria duke bërë njëfarë aleance me Serbinë përmes projektit Ballkan i Hapur. Kjo i dha krahë Serbisë pikërisht në procesin e bisedimeve me Kosovën.

Megjithëse thuhet se janë nënshkruar 37 marrëveshje mes palesh, asnjëherë nuk është zbatuar asnjë prej tyre.