Një shtëpizë përfshihet nga zjarri në rrethana të panjohura, vdes një femër në Gjakovë

Në rrethana ende të panjohura për policinë mbrëmë është përfshirë nga zjarri një shtëpizë në të cilën gjendej një femër, e cila si pasojë e zjarrit është ngulfatur nga tymi dhe ka ndërruar jetë.
Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:10, në fshatin Shishman i Bokës, në Gjakovë.
“Raportohet se në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri një shtëpizë (barakë) në të cilën gjendej viktima femër K-Shqiptare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit viktima është ngulfatur nga tymi dhe e njëjta ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.
Ndërkaq, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/




































