LAJMI I FUNDIT:

Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

Refugjatët afganë po krahasohen me shqiptarët që lanë vendin duke ikur nga sytë këmbët në vitet 1990-1991. Ky krahasim po përdoret nga propaganda e qeverisë për të ngjallur emocione pozitive dhe për të prezantuar si moralisht të justifikuar strehimin e deri katër mijë refugjatëve nga Afganistani.

Si zakonisht, propaganda nuk kujdeset shumë për vërtetësinë e saktësinë e narrativës së saj. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim.

Më 1990-1991 regjimi komunist ishte ekonomikisht e moralisht i drobitur dhe me përjashtim të disa segmenteve të Sigurimit të Shtetit e të rojeve kufitare kishte humbur vullnetin për ushtruar “dhunë revolucionare”. Ata mijëra e mijëra njerëz të paushqyer e të veshur keq që u dyndën në anijet e ndodhura në porte apo marshuan në male e pyje për gjetur diku një jetë më të mirë nuk kërcënoheshin (më) nga internimi, burgosja e pushkatimi. Ata thjesht ishin shpresëhumbur e të dëshpëruar (çdo krahasimi me vitet e fundit nuk është ose është i rastësishëm).


Ata nuk ishin bashkëpunëtorë të shteteve të huaja me prani ushtarake, diplomatike apo OJQ-iste në vend, por njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë (asokohe njiheshin tri: klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste e inteligjenca popullore).

Fillimisht ata u pranuan në shtetet fqinje (Greqi, Itali e më tej në Evropë); por kur u duk se u teprua me numrat e mjetet si në gusht 1991, u kthyen me forcë në Rinas përmes një ure ajrore.

Ndryshe nga refugjatët afganë, atyre nuk iu ofrua evakuim me avion nga shtete të huaja dhe as nuk u pritën e përshëndetën në aeroport nga qeveritarë siç po shohim me kryeministrin ekzibicionist; ata u ndihmuan pjesërisht nga strukturat shtetërore e më së shumti nga qasja karitative e shoqërive në vendet strehuese.

Krahasimet historike çalojnë në përgjithësi. Por, nëse duhet patjetër të gjejmë një paralele shqiptare me mini-eksodin në Afganistan, më e afërta që gjendet është ajo e viteve 1944-1946. Ata që kolaboruan me Wehrmacht-in e autoritetet gjermane pjesërisht ikën nga deti e toka brenda vitit 1944. Ata që punuan me misionet anglo-amerikane, pjesërisht mundën të largoheshin deri në vitin 1946. Ata që mbetën, vuajtën keq pasojat e një vrulli ideologjik totalitar e çnjerëzor shumë të ngjashëm me atë të talebanëve në vitet 1990.

E vetmja gjë për të cilën tashti mund të shpresojmë e lipset të lutemi, është që talebanët e vitit 2021 të jenë më pak dogmatikë e më shumë njerëzorë.

Përveçse të shpresojmë e të lutemi, lipset edhe të veprojmë që projekte idealiste të Perëndimit, si ai që filloi në vitin 2001 në Afganistan, të mos dështojnë si pasojë e inkompetencës, paqartësisë, miopisë e korrupsionit.

Për këtë sfidat i kemi këtu, në vendin tonë, duke mos harruar se i zoti e nxjerr gomarin nga balta.

Në trend

Më shumë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Bundesliga

"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Botë
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

Serie A
“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

Lajme
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Amerika
Kalo në kategori