LAJMI I FUNDIT:

NJË “POETI” QË DUHET TA PËSHTYJË NJERËZIMI

NJË “POETI” QË DUHET TA PËSHTYJË NJERËZIMI

Poezi nga: Rexhep Hoxha

Ah, po! Ti vedin ma mban poet,
leckë e palarë! Gjarpër i zi!
Kqyry n`pasqyre se si të qet,
t`shëmtuet, të mjerë, për neveri.


A din poeti se si duhet t`jetë,
cila është qenia e tij, oj lavire?
Rrufe e kuqe, shqiponjë me fletë,
ta çajë qiellin në natë errësire.

Dell i poetit është porsi shpani,
me gojë të tij flet çdo njeri.
Ai s`bëhet vegël në dorë tirani.
Jo. Më mirë vdekje! Jo më mirë fli.

E po me ç`fytyrë del para bote,
kur ajo të di çdo poshtërsi?
Çdo varg i yti, çdo fjalë e jote,
është helm, por kurrë jo dhe poezi

Ah, jo! Kurrë s`mundet të jetë poet
turiri i djallit, gjarpri i zi!
Ai që pas shpine njeriun e pret,
ai që ka thyer besë dhe njerëzi.

(Kjo poezi e vitit 1970, është kritikë ndaj Azem Shkrelit, Adem Gajtanit e Fahredin Gungës. Meqë arsyet e sakta përmes poezisë nuk dihen, mund të aludohet në aversionin e Hoxhës ndaj flirteve me pushtetin. Pa anime e aq më pak me qëllimin për të ndikuar në preferencat dhe bindjet e lexuesve, duhet cekur se për dallim nga shumë të tjerë që shkelin lehtë fjalët dhe parimet, sidomos kur në pyetjen janë paratë e shpërblimet, Rexhep Hoxha e ka refuzuar çmimin “Azem Shkreli”, me këtë arsyetim: “Nga mjetet e informimit u njoftova se më është ndarë Çmimi Kombëtar për vepër jetësore ‘Azem Shkreli’. Mirëpo, duke qenë se çmimin e jep një qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj të vetëve, me zyrtarë të lartë të pangopur për t’u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër, me deputetë rrogash shumëfish me të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët, pa i përmendur kategoritë më të ulëta të nëpunësve me rroga të mjerueshme, pensionistë lëmoshash, të kërkojnë edhe nga një veturë për kokë, shofer për vete dhe beneficione të tjera në një kohe varfërie të hatashme e papunësie të përvajshme, me vetëvrasje si kurrë më parë nga humbja e besimit në jetë, për t’u lënduar çdo zemër njeriu, këtë çmim e refuzoj. Së dyti, duke e njohur mirë Azem Shkrelin, shpirti, nderi dhe karakteri im nuk e pranon asnjë çmim me emrin e tij. Me shkrimtarin merr frymë kombi. Ai për asgjë as nuk shitet as nuk blihet”.)