Një perspektivë tjetër për logon e Komunës së Prizrenit

1.
Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës, pavarësi kjo e arritur me shumë gjak, mund e sakrifica të popullit shqiptar dhe ndihmës vendimtare të NATO-s.
Në Deklaratën e Pavarësisë, të lexuar në Kuvendin e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë, pos tjerash Republika e Kosovës shpreh përkushtimin e saj ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë. Më tutje, po në Deklaratën e Pavarësisë thuhet se: “Ne shpallim Kosovën një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.”
Më 15 qershor 2008 në fuqi hyri Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila në dispozitat themelore të saj Republikën e Kosovës e përkufizon si shtet të shtetasve të saj. Sipas Nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”
Me përmbajtje të ngjashme janë edhe një sërë nenesh tjera të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pos kësaj me përmbajtje të përafërt janë edhe një serë ligjesh të miratuara nga deputetët e zgjedhur nga populli i këtij shteti në Kuvendin e Kosovës, sikurse janë Ligji për vetëqeverisje lokale, Ligji për gjuhët, Ligji për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre në Kosovë etj. Me përmbajtje të ngjashme janë edhe një sërë konventash ndërkombëtare për zbatimin e të cilave Republika e Kosovës është zotuar, duke e marrë përsipër zbatimin e tyre në Nenin 22 të Kushtetutës së saj.
2.
Komuna e Prizrenit më 15 tetor 2008 miratoi Statutin e Komunës së Prizrenit, dokument ky i cili paraqet aktin më të lartë juridik të Komunës së Prizrenit. Ashtu sikurse të gjitha dokumentet e ngjashme edhe Statuti i Komunës së Prizrenit rregullon çështjen e përmbajtjes së logos së saj, çështje e cila është rregulluar në Nenin 7 të saj. “Komuna ka emblemën, flamurin dhe simbolin e saj. Emblema e Komunës është "Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit", e rrethuar me fjalët në vijim "1878 - Prizren". Përdorimi i simboleve të Komunës do të përcaktohet me vendim të posaçëm të Kuvendit.” – thuhet në Nenin 7 të Statutit të Komunës së Prizrenit.
Logoja e re e Komunës së Prizrenit e miratuar me vendimin e datës 15 tetor 2008 është e shumë e ngjashme me logon e vjetër të Komunës së Prizrenit. Ndryshimi i vetëm konsiston në faktin se tashmë në vend të fjalëve “Kuvendi Komunal – Municipality Prizren” tash thuhet “1878 – Prizren”. Thelbi absolutisht nuk ndryshon. Objekti në të cilin është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit me gjithë madhështinë e saj vazhdon të jetë prezente në logon e Komunës së Prizrenit.
Ajo çka ishte kontestuese në këtë mes për një pjesë të qytetarëve të Komunës Prizrenit dhe për komunitetet që jetojnë në këtë Komunë, ishte futja e vitit 1878 (vit i mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) në kuadër të logos së Komunës së Prizrenit. Kjo pjesë e qytetarëve të Komunës së Prizrenit propozuan që në vend të vitit 1878, të shkruhej “Komuna, Opstina, Belediye”, që njëkohësisht në plotni do të ishte vazhdimësi e logos së vjetër të Komunës së Prizrenit, me një ndryshim të vetëm se tashmë do të respektoheshin edhe Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës. Megjithatë ky propozim nuk u mor parasysh gjatë votimit për Statutin e Komunës së Prizrenit dhe kjo çështje u bart në gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
3.
Asgjë më shumë, nga kjo që u tha më lartë, nuk vjen në shprehje në kontestin gjyqësor të krijuar me këtë rast, pas së cilës Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi se Neni 7 i Statutit të Komunës së Prizrenit është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se brenda 3 muajsh Komuna e Prizrenit është e obliguar që ta ndryshojë nenin përkatës.
Me këtë rast Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka përkujtuar se me propozimin që fjalët "Komuna", "Opstina", "Belediye" të shkruhen brenda rrethit të emblemës së Komunës pa vitin "1878" do të mund të përmbusheshin shqetësimet legjitime të komuniteteve.
Pra, siç mund të nënkuptohet, asnjë qytetar i vetëm i Komunës së Prizrenit nuk e kundërshton përfshirjen e trashëgimisë historike kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në logon e Komunës së Prizrenit.
4.
Andaj, tendencat e qarqeve të ndryshme kuazi patriotike dhe të kuazi intelektualëve kombëtarë, të cilët tentojnë që nëpërmjet këtij rasti të shpallin “fetva” për dikë, të thërrasin për mbrojtje me çdo kusht (qoftë edhe me përsëritje të Marsit 2004) të vlerave kombëtare shqiptare me arsyetimin se kinse ato po u rrezikuakan nga komunitetet, të thërrasin për protesta masovike për “mbrojtje” të dinjitetit kombëtar e shumë hipokrizi të ngjashme, nuk janë tjetër veçse tendencë për mashtrim të opinionit, tendencë për keqpërdorim të ndjenjave patritoke të qytetarëve apo edhe tendencë për promovim “patriotik” të kuazi patriotëve tanë.
Vlerat që i bart Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk i përkasin as kuazi patriotëve, as kuazi intelektualëve, as partive (qoftë të pozitës, opozitës apo të komuniteteve) dhe asnjë individi. Lidhja Shqiptare e Prizrenit i takon secilit shqiptar, kudo që jeton ai në Prizren, Preshevë, Gostivar, Janinë, Tiranë, Ulqin apo diku tjetër.
Si e tillë, askush nuk duhet të lejohet që të merr guximin që Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ta përdorë për promovim personal, promovim patriotik, intelektual e politik dhe aq më pak për nxitje të urrejtjes ndëretnike në një shoqëri me nivel të lartë të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare siç është Komuna e Prizrenit.
(Autori punon në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI, opinionet e shprehura janë personale)




































