LAJMI I FUNDIT:

Një mjek italian në Shkodrën e shekullit XIX

Një mjek italian në Shkodrën e shekullit XIX

Mjeku Xhenaro Simini (Gennaro Simini), patriot leçez, revolucionar i rrekjeve për të bashkuar Italinë pas dënimit me vdekje për qëndrimet e tij politike, ikën nga Italia dhe mbërrin në Shkodër. Nga skaji fundor i Perandorisë Osmane, dëshmon udhëtimin e tij. Një libër i të birit, Giacintos, hedh dritë mbi qytetin e Shkodrës dhe historinë.

Anna Shkreli thotë se Simini “gjen një Shkodër interesante të shekullit XIX”.


“Lidh miqësi të ngushtë me Marubin, fotografin, aq sa është dëshmitar në dasmën e tij. Si mjek arrin të fitojë besimin e parisë shkodrane, dhe më pas rrëfen çfarë ndodh: është njeriu që hyn në shtëpitë e tyre, i kanë borxh jetën dhe si i tille, i biri, përshkruan hyrje daljet në këto ambiente shkodrane që janë ambiente private e që përbëjnë historinë e qytetit”, thotë Shkreli.

Duke ngritur spital e duke realizuar me Marubin edhe reklamën e parë shqiptare, shumë shpejt mjeku italian behet pothuajse vendas, ndaj në botim gjenden rrëfime për beun, për konsujt dhe për fatet që përplaseshin në veri mes vendasve e ndërkombëtarëve.

“Simini tregon lëvizjet që bënë austriakët, financimin që iu bënë shkollave jezuite e saveriane. Dhe, tregon se si në thelb gjithë ajo që vinte më pas si lëvizje politike në Shqipëri ishte një konvergjencë forcash të faktorëve ndërkombëtarë që ishin në Shkodër që bënin një lojë paralele në gjurmët e fundit të Perandorisë Osmane. Ai ndjehet shumë mirë në Shkodrën e shekullit XIX sepse Simini pati mundësi të ikte, po zgjodhi të mos ikte. Vdiq në Shkodër ndërsa i biri u kthye në Itali”. /BW/