Nga: Salajdin Salihu

Mjeku sllovak, Pavel Viskupi (1901-1981), ishte i fiksuar pas gjetjes së shkaqeve të jetëgjatësisë. Në librin “Çka hanin, pinin dhe si jetonin njëqindvjeçarët?” (Origjinal: Co jedli a pili a jak žijí století?, Pragë, 1937), ai shkruan për pleqtë njëqindvjeçarë në Maqedoni, Shqipëri dhe në Mal të Zi.

Viskupi ka botuar edhe librat: “Ushqimi si zgjedhje e njeriut të arsyeshëm”, “Doktori kuzhinier”, “Të pish a mos pish” dhe “Ushqimi kombëtar”.

Të ushqyerit, sipas mjekut, duhet të përjetohet si ritual festiv; njerëzit nuk duhet të ngrihen nga tryeza me lukthin e mbushur, por me zemrën plot; nuk duhet të shpejtojnë duke ngrënë, por të kënaqen duke e përgatitur dhe shijuar ushqimin.

Mjeku i fiksuar pas metuzalemëve, intervistoi pleq të moshës njëqindvjeçare nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Velesi, Prilepi, Ohri, Dibra, Elbasani dhe qytete tjera. Në fillim ai studioi 60 pleq. Prej tyre më plak ishte dibrani Imet Papraniku i moshës 120-vjeçare. Më pas e zgjeroi studimin dhe intervistoi edhe dyqind pleq të tjerë, kurse plakun më jetëgjatë, një 135-vjeçar e takoi në Elbasan.

Pleqtë jetëgjatë, sipas tij, ishin konsumues të mëdhenj të groshës dhe bukës. Ata nuk përdornin vezë, yndyra dhe mish derri (pjesa e krishterë). Përdornin dhallë, djathë e kos, por nuk përdornin qumësht. Hanin shumë perime, veçanërisht speca, domate dhe qepë. Ata pinin një kafe në ditë, kurse 20 për qind ishin duhanpirës. Sipas studimit, pleqtë flinin tetë orë në ditë, kurse gjatë jetës nuk kishin përjetuar tronditje shpirtërore. Mbi 90 për qind e tyre kishin flokë, veçanërisht gratë; shikimi i tyre ishte i dobësuar, por dëgjonin shumë mirë; kishin nga katër deri gjashtë dhëmbë dhe, sipas mjekut, nëse do të kishin më shumë dhëmbë, atëherë me siguri do të jetonin edhe më gjatë.

Mjeku sllovak ishte i bindur se jetëgjatësia kushtëzohej nga konsumimi i ushqimit vendor me të cilin është i mësuar organizmi, veçanërisht konsumimi i groshës. Tre njëqindvjeçarët nga Tetova, Jusuf Musliu, Emin Mustafa dhe Osman Jaja, kishin konsumuar bukë, groshë dhe perime. Për pleqtë njëqindvjeçarë në Tetovë kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Sipas gazetës “Slovenski Dom”, të vitit 1937, askund nuk gjeje vend tjetër si Tetova ku jetonin njerëz kaq pleq.

Jetëgjatësia e njerëzve, sipas tij, varej edhe nga aktiviteti fizik. Pleqtë e intervistuar kishin punuar deri 16 orë në ditë punë të rëndë fizike.

Që ta dëshmonte se sa të shëndetshëm ishin këta pleq, Viskupi përmend plakun 135-vjeçar prej një fshati që gjendej tetë orë larg Elbasanit. Plaku “i shëndoshë dhe i freskët” i kishte thënë se e kujtonte kryengritjen e Ali Pashë Janinës: “Atëherë isha djalosh. Prej atëherë kanë kaluar më shumë se 100 vjet”.

Gjatë bisedës me mjekun, ky plak kishte shtuar: “Nuk më vjen keq që kam udhëtuar tetë orë për të ardhur te ju dhe t’u flas se çfarë ha. Më vjen keq që e kam humbur këtë natë për të qenë pranë gruas sime, si zakonisht”.

Dr. Viskupi e përmend edhe rastin e një plaku prej Malit të Zi, i cili në moshën 50-vjeçare kishte vuajtur nga kanceri. Analizat e kishin vërtetuar diagnozën. Plaku ishte shëruar falë një melhemi të bërë prej një bime. Shpikësi i melhemit kishte vdekur dhe e kishte marrë me vete sekretin. Mjeku shumë herë tentoi ta gjente bimën mrekullibërëse, por nuk ia arriti qëllimit. Sipas rrëfimeve të njerëzve, ilaçi kishte dhënë rezultate mahnitëse. /Portalb/