LAJMI I FUNDIT:

Një forcë e fshehur në zgjedhjet presidenciale: A mund të jenë vendimtare votat e amerikanëve të natyralizuar?

Një forcë e fshehur në zgjedhjet presidenciale: A mund të jenë vendimtare votat e amerikanëve të natyralizuar?

Vlerësohet se rreth 3.5 milionë emigrantë janë bërë shtetas të SHBA-së që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë garën presidenciale midis zëvendëspresidentes, Kamala Harris dhe ish-presidentit, Donald Trump.

Imigracioni është një ndër çështjet kryesore në fushatën presidenciale amerikane për shkak të niveleve rekord të kalimeve të paligjshme në kufi gjatë administratës së presidentit, Joe Biden, e cila ka përpunuar kërkesat e reja për shtetësi të imigrantëve legalë shumë më shpejt sesa administra e Trumpit.

Sipas një analize të Qendrës së Politikave të Imigracionit të SHBA-së, bazuar në vlerësimet nga të dhënat e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), rreth 3.56 milionë emigrantë i janë shtuar kontingjentit të votuesve që nga zgjedhjet e vitit 2020, shkruan newsweek.


“Shumë imigrantë po natyralizohen dhe po shprehin dëshirën për të votuar, që do të thotë se shkalla e pjesëmarrjes së tyre mund të jetë më e lartë se zakonisht”, tha për Newsweek, Manuel Pastor, drejtori i Institutit të Kërkimeve për Barazi në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

“Gjithashtu, ata po natyralizohen në një kohë kur imigracioni është bërë një çështje e nxehtë”, pohoi ai, transmeton Telegrafi.

Numri më i madh i natyralizimeve të reja ishte në shtetet më të populluara të Amerikës: Kalifornia, Florida, New York dhe Teksas – që nuk janë ndër shtetet ku rezultati i zgjedhjeve pritet të vendoset.

Por, kishte gjithashtu një numër të konsiderueshëm natyralizimesh të reja në shtetet kyçe, ku Trump dhe Harris janë pranë për të siguruar votat e Kolegjit Zgjedhor që u nevojiten për presidencën.

Pensilvania, ku Biden fitoi me një shumicë prej mbi 80 mijë votash në 2020 dhe që mund të jetë përcaktuese këtë vit, shtoi mbi 70600 imigrantë të natyralizuar nga vitet fiskale 2021 deri në 2023.

Të dhënat e plota nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS) për shtetet e tjera kyçe nuk ishin në dispozicion, por të dhënat e kombinuara nga vitet fiskale 2021 dhe 2022 treguan gjithashtu rritje të rëndësishme.

Në Arizona, ku Biden mposhti Trumpin në vitin 2020 me pak mbi 10 mijë vota, mbi 31 mijë qytetarë u natyralizuan gjatë kësaj periudhe.

Biden fitoi me më pak se 12 mijë vota në Georgia, ku kishte mbi 46 mijë natyralizime. Mbi 15 mijë natyralizime u regjistruan në Nevada, ku ai fitoi me më pak se 34 mijë vota; mbi 30800 në Michigan, ku fitoi me mbi 150 mijë vota; mbi 37 mijë natyralizime të reja në Karolinën e Veriut, ku Trump fitoi me më pak se 75 mijë vota; dhe mbi 11 mijë në Wisconsin, të cilën Biden e fitoi me gati 21 mijë vota.

Të dhënat e DHS për vitin fiskal 2023 tregojnë se rreth 37 për qind e votuesve të rinj që nga viti 2020 vijnë nga Azia, 33.5 për qind nga Amerika Veriore dhe Qendrore dhe 11 për qind nga Afrika. Pesë vendet kryesore të origjinës janë Meksika, India, Filipinet, Kuba dhe Republika Dominikane.

Konservatorët kanë kritikuar përgjigjen e administratës Biden ndaj kalimeve të paligjshme për gati katër vjet, megjithëse kjo është forcuar në muajt e fundit.

Edhe pse politikat e Partisë Demokratike shihen përgjithësisht si më pro-imigracionit se ato të republikanëve, nuk është e qartë se për kë do të votojnë qytetarët e natyralizuar.

Pastor tha se ndërsa disa imigrantë mund të mos e pëlqejnë retorikën e Trumpit për imigrantët e paligjshëm, të tjerë mund të shohin politikat e demokratëve për kufirin si të padrejta, duke konsideruar që ata “kanë kaluar përmes kanaleve të duhura për t’u natyralizuar”.

Analistët thonë se është e vështirë të identifikohen prirjet politike duke marrë parasysh racat, vendet e origjinës, shtetet ku ata banojnë dhe çështjet që ndikojnë tek individët dhe familjet.

“Ne nuk mund të supozojmë përkatësinë partiake, kështu që kjo varet nga mënyra se si fushatat e Harrisit dhe Trumpit trajtojnë çështjet që shqetësojnë banorët e rinj në këto shtete përkatëse ku betejat janë të ashpra”, tha Denny Salas, strateg demokrat.

“Çështja kryesore ka qenë ekonomia dhe inflacioni”, shtoi ai.

T.J. McCormack, specialist republikan i komunikimit, tha se qytetarët e rinj do të votonin më shumë në favor të Trumpit sesa Harrisit.

“Nga përvoja ime, pak njerëz janë aq të frustruar dhe të ofenduar nga ata që hyjnë ilegalisht në Amerikë sa emigrantët legalë dhe fëmijët e tyre të gjeneratës së parë amerikane… Kushdo që ka kaluar në anën tjetër të atij tuneli, ndjen një mllef të madh ndaj kujtdo që mashtron dhe ndaj politikanëve që e lejojnë atë mashtrim… si Kamala Harris”, përfundoi Salas.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/