LAJMI I FUNDIT:

Një delegacion nga SHBA takon Odën Amerikane, flasin për përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë

Një delegacion nga SHBA takon Odën Amerikane, flasin për përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë

Delegacioni i Korporatës Zhvillimore Financiare (DFC) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga CalebMcCarry, këshilltar i kryeshefit ekzekutiv të DFC ka takuar drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ku diskutuan për bashkëpunim dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se gjatë këtij takimi, korporata DFC prezantoi vizionin e saj për të hapur dhe rritur investimet amerikane dhe të huaja në Kosovë, si dhe instrumentet e reja të përkrahjes që kjo korporatë ka në dispozicion për të avancuar zhvillimin ekonomik të udhëhequr nga sektori privat.


Tutje thuhet se përfaqësuesit e Odës Amerikane, Zeka e Ramajli informuan delegacionin mbi situatën ekonomike në Kosovë në përgjithësi, duke përfshirë rritjet e fundit në tregtinë mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Ata gjithashtu theksuan sektorët që ofrojnë mundësi të mëdha për investime në Kosovë, si dhe disa nga rreziqet e perceptuara që kanë parandaluar investimet e huaja direkte për të arritur potencialin e tyre të plotë. Të dyja palët u dakorduan për të filluar bashkëpunimin për përmirësim të klimës së biznesit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe ky delegacion ishte i përbërë edhe nga, John Jovanovic, drejtor menaxhues për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Egjeut në DFC, dhe Brian Martalus, drejtor për marrëdhëniet për Evropë dhe Euroazi në DFC. /Telegrafi/