LAJMI I FUNDIT:

Një delegacion i FSK-së po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar në Stamboll

Një delegacion i FSK-së po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar në Stamboll

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i Përgjithshëm i FSK-së, Shkëlzen Sylaj dhe një delegacion i lartë i FSK-së po marrin pjesë në “Panairin e 13-të Ndërkombëtar të Mbrojtjes IDEF 2017” në Stamboll të Turqisë.

Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së, ka zhvilluar takime të rëndësishme dypalëshe me pjesëmarrës të panairit nga ministritë e mbrojtjes të shteteve të ndryshme.


Po ashtu takime të nivelit të lartë janë mbajtur edhe me zyrtarë dhe oficerë të lartë të ushtrisë së Turqisë. Në këto takime temë e bisedimeve ka qenë rritja dhe thellimi i bashkëpunimit edhe në të ardhmen në fushat me interes të përbashkët.

Gjatë panairit ndërkombëtar, delegacioni i FSK-së, ka vizituar prodhimet e ekspozuara të shumë kompanive ndërkombëtare, që po marrin pjesë në këtë panair, me pajisjet dhe teknikën e tyre ushtarake, thuhet në komunikatën e MFSK-së.