eksperti ad

Hyundai Elantra krejt e re në version karavan është një nga idetë që po tërheq vëmendje, veçanërisht në tregun evropian, ku automjetet kompakte në formë karavani po bëhen gjithnjë e më të rralla.

Elantra e re ka shkaktuar shumë reagime menjëherë pas prezantimit në panairin e makinave në Busan.


Gjenerata e tetë e këtij modeli, i njohur në Korenë e Jugut si Avante, sjell dizajn krejtësisht të ri, përmasa më të mëdha dhe teknologji moderne.

Ndërkohë, janë shfaqur edhe rendera që tregojnë se si do të dukej Elantra në version karavan. Sipas këtyre vizualizimeve, shumë njerëz mendojnë se ky format i shkon më mirë sesa sedan-i klasik.

Renderat ruajnë pjesën e përparme të makinës, ndërsa pjesa e pasme është zgjatur, duke krijuar siluetën tipike të karavanit, me çati më të gjatë, dritare anësore më të mëdha dhe bagazh më praktik.

Megjithatë, pavarësisht pamjes tërheqëse, është shumë e mundshme që ky version të mos prodhohet fare. Hyundai po largohet gradualisht nga karavanët, pasi kërkesa për SUV është shumë më e lartë dhe më fitimprurëse.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, pas përfundimit të prodhimit të modelit i30 Wagon, marka nuk planifikon më zhvillim të karavanëve të rinj, duke e zhvendosur fokusin drejt SUV-ve.

Modeli i ri Elantra pritet të dalë në treg fillimisht në Korenë e Jugut, ndërsa versioni global mund të vijë më vonë, por ende nuk është konfirmuar rikthimi i tij në Evropë. /Telegrafi/