LAJMI I FUNDIT:

Një biçikletë u ble për afro 3 mijë euro, Komuna e Prishtinës thotë se ato nuk janë të zakonshme por me kyçje elektronike inteligjente

Një biçikletë u ble për afro 3 mijë euro, Komuna e Prishtinës thotë se ato nuk janë të zakonshme por me kyçje elektronike inteligjente

Komuna e Prishtinës ditë më parë ka nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave në vlerë 500 mijë euro.

Sipas kontratës, komuna ka blerë një biçikletë në vlerë prej 2,744 euro.


“Çmimet njësi të furnizimeve janë paraqitur në ofertën financiare, lista e çmimit e paraqitur nga furnizuesi. Vlera totale indikativë e kontratës për çmim për njësi është 2.744.00 euro”, thuhet në kontratë.

E lidhur me nënshkrimin e kësaj kontrate, nga Komuna e Prishtinës i kanë thënë Telegrafit, se këto nuk janë biçikleta të zakonshme.

“Biçikletat e porositura nga Kryeqyteti nuk janë biçikleta të zakonshme, por janë biçikleta me kyçje elektronike inteligjente që nënkupton sigurimin e biçikletës pranë ose jashtë stacionit të parkimit, alarmin e sigurisë, pozicionimin e saj nëpërmjet komunikimit GPS, GSM, GPRS, BLE, zhbllokimin dhe kyçjen nëpërmjet aplikacionit celular dhe terminalit dhe kartës së përdoruesit dhe kodit QR”, ka deklaruar zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati.

Ajo ka theksuar se projekti i blerjes së këtyre biçikletave është në përputhje me vizionin e përgjithshëm të transformimit të Kryeqytetit.

“Këto biçikleta do të ndikojnë në krijimin e një Prishtine të pastër, me mjedis më të shëndosh dhe me numër më të ulët të vetura në Qendër”, u shpreh Kastrati.

Kastrati ka shpjeguar se biçikletat kanë karikim autonom të bravës me burim energjie të rinovueshme nëpërmjet diellit.

Komuna e Prishtinës njofton se ka nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave të qytetit
Lexo po ashtu Komuna e Prishtinës njofton se ka nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave të qytetit

“Ato kanë edhe lexuesin RFID të integruar dhe kanë mundësinë e integrimit me transportin publik. Gjithashtu, përfshin dhe aplikacionin special të shërbimit për monitorimin dhe kontrollin e biçikletave nëpërmjet pajisjeve celulare”, tha Kastrati për Telegrafin.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës ka shtuar se “Nextbike” është operatori kryesor i biçikletave në Evropë dhe kanë mbi 100,000 biçikleta në më shumë se 200 qytete dhe 26 vende në mbarë botën. /Telegrafi/