Mbyllet protesta e opozitës, Berisha: Ja vdekje, ja liri, ne do fitojmë

(E plotësuar) - Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka dhënë fund protestës së sotme, përmes deklaratës së tij nga ambientet e selisë blu.
Ai falenderoi të gjithë protestuesit të cilët morën pjesë pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, teksa një mesazh pati për kryeministrin, Edi Rama dhe socialistët e tjerë.
“Së pari, një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju që sot, këtë ditë shiu, këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë dhe si elitë e vërtetë e guximit të kombit dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve. Për t’u përballur me narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij. Sot, regjimi dëshmoi përsëri fytyrën e tij të vërtetë, bllokoi marshimin paqësor tonë. Bllokoi marshimin tonë paqësor. E garantoj se do të ketë të gjithë përgjegjësitë që meriton. Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës. Ta harrojnë, kurrë! Dhe ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri! Asgjë në botë nuk mund të na imponojë ne të pranojmë pushtetin e hajdutëve dhe kriminelëve si Edi Rama. Të pranojmë pushtetin e një lubie të vërtetë të shqiptarëve. Hajdut që me vjedhjen e pasurive, vjedhjen e fondeve, mjerojnë qindra e mijëra shqiptarë. Largojnë nga vendi qindra mijëra të tjerë.
Ndaj dhe beteja jonë është betejë për çdo qytetar shqiptar. Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari. Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. Beteja jonë është betejë, është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj.
Asgjë nuk do mund të na mposhtë ne pa nisur në burg Lubi Ballukun, atje ku e ka vendin kjo hajdute e pafytyrë, që për fytyrë ka vjedhjen dhe cinizmin. Pa larguar nga pushteti dhe dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama që i ka dhënë pushtetit të sotëm moralin e etereve të tij xhelatë. Por ne jemi në këmbë. Edhe njëherë, kam një mirënjohje të pakufishme. Asgjë nuk u dekurajoi ju sot. As terrori i policisë së radhës së kaluar, as moti,as propaganda e turpshme e mafies mediatike që këndon, që mban në 24 orë ison e propagandës së Edi Ramës, vetëm e vetëm se si mamuthë, si shushunja pinë gjakun, paguhen me paratë tuaja për t’u mashtruar ju. Jo, jo, kjo kohë do marrë fund. Ja pse jemi ne në këmbë. Dhe në mënyrë absolute asgjë nuk na mposht. Edi Rama, dije mirë se të ardhme nuk ke. Fundi yt është i pashmangshëm. Lubi Balluku, Lindat e shpifura të AKSHI-t dhe Surrelit, në burg tek Lubia do shkoni për vjedhjet që keni bërë.“
I pyetur se kur do të mbahet protesta e radhës, Berisha nuk pati një datë konkrete.

Lëndohen 3 policë nga lëndët piroteknike
Si pasojë e hedhjes në drejtim të punonjësve të Policisë të bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga disa protestues, u lënduan tre punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Ata u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Përshkallëzohen tensionet në protestën e opozitës në Tiranë
Kanë përshkallëzuar tensionet në protestën e opozitës që po mbahet në bulevardin kryesor të Tiranës.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Ndërkohë, ka pasur edhe përplasje fizike mes protestuesve dhe kordonit të policisë.
Tensione në protestën e opozitës në Tiranë, përplasje me molotov dhe ujë

Kanë nisur tensionet në protestën e organizuar nga PD para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku raportohet se janë përdorur mjete ndezëse nga disa protestues.
Situata në vendngjarje është përshkallëzuar për disa momente, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në terren për të mbajtur nën kontroll turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Protestuesit marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme, policia hedh ujë në drejtim të turmës

Protestuesit kanë nisur marshimin-protestë nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Gjatë marshimit protestuesit brohorasin fjalët “policia e krimit”, në shenjë revolte ndaj veprimeve të “bluve” gjatë protestës së fundit. Policia ka krijuar menjëherë një gardh përballë Galerisë së Arteve, duke hedhur ujë në drejtim të tyre.
Një ditë më parë Hita tha se opozita ka marrë leje vetëm për protestën para Kryeministrisë dhe nëse do të ketë veprime anti-ligjore efektivët do të përgjigjen.
Nis protesta e opozitës në Shqipëri
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia ë për t’u nisur drejt protestës së opozitës, e cila pritet të zhvillohet përpara Kryeministrisë.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës janë angazhuar rreth 1500 punonjës policie. Tubimi është njoftuar të zgjasë nga ora 19:00 deri në 22:00 dhe sipas organizatorëve nuk do të ketë fjalime, por do të zhvillohet në formën e një marshimi.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur edhe masat e qarkullimit rrugor. Nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të protestës më 8 maj, është ndaluar qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Po ashtu, të premten nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në terren ka qenë edhe drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita, i cili ka inspektuar nga afër masat e sigurisë në bulevardin kryesor të kryeqytetit.




















































