LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e çmimeve: Inspektorët dhe policia në aksion – vaj i sekuestruar dhe depo të mbyllura

Ngritja e çmimeve: Inspektorët dhe policia në aksion – vaj i sekuestruar dhe depo të mbyllura

Ngritja e çmimit të vajit dhe derivateve të naftës që ka ndodhur për gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, ka bërë që të moblizohen institucionet kompetente. Inspektorët e tregut, Administratë Tatimore, departamenti policor i krimeve ekonomike janë duke kryer inspektime të shumta në markete e pompa të derivateve të naftës.

Çmimi i vajit ditën e enjte në Kosovë shënoi ngritje enorme në disa markete, kur një shishe vaj u shit për 3.49 euro.


Përveç që kishin ngritur çmimet, pronarët e disa marketeve kishin vendosur që në rafte të shkruhej që sasia është e limituar, dukë shkaktuar kështu edhe panik te qytetarët, të cilët edhe vrapuan drejt marketeve për t’u furnizuar me vaj, transmeton Telegrafi.

Ngritje të çmimve janë duke pësuar në vazhdimësi edhe produktet tjera ushqimore.

Për ngritjen e çmimit të vajit, reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se çmimi i vajit në vend është më i shtrenjti në botë.

“Anë e mbanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit”, kishte deklaruar kryeministri, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari deklaroi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme, ani pse tha se kanë mungesë të inspektorëve të tregut.

“Po ka mungesë të inspektorëve për disa sektorë, siç e dini prej zgjedhjeve të fundit edhe më herët ne kemi synim për rritjen e inspektorëve, veçse kemi shtuar numrin e inspektorëve në punë. Ne kemi shtyrë përpara ligjin për inspektime”, ka thënë ajo.

Në orët e vona të së enjtes, kryeministri Albin Kurti reagoi sërish, por kësaj radhe duke njoftuar se kanë mbyllur dy depo ku është gjetur vaji me mungesë të dokumentacionit.

Aksionin ishte ndërmarrë nga Inspektorati I Tregut dhe Policisë së Kosovës, në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

“Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni. 3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, kishte thënë Kurti.

Inspektorët e tregut vazhduan inspektimet edhe gjatë ditës së premte, ku bën të ditur se kanë sekuestruar sasi të konsiderueshëm të vajti ushqimor.

“Inspektorati i Tregut i MINT në bashkëpunim me Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë inspektuar pikat shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e marzhës tregtare. Te disa biznese ka pasur mosbarazim sa i përket sasisë së stokut dhe me këtë rast do të shqiptohen gjoba në përputhje me ligjin.

Janë inspektuar depo, markete dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve, mashtrime me sasisë e produkteve etj. Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Gjithashtu në njoftim thuhet se, inspektimet do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren masa ndëshkuese.

Reagimi i Doganës së Kosovës: Vaji ushqimor që u shit për 3.49 euro u importua me çmim prej 1.22 deri në 1.45 euro

Për ngritjen e çmimeve, ka reaguar edhe Dogana e Kosovës, ku përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se kanë analizuar sektorin e importit të vajrave ushqimore.

Dogana ka njoftuar se, gjatë vitit 2021 në total janë importuar vaj luledielli i përpunuar rreth 17.7 milionë litra, derisa janë importuar edhe 5 milionë litra vaj luledielli i papërpunuar.
“Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit 2021, duke filluar 1.11 euro/cent në janar të 2021, e ka shënuar rritje në 1.44 euro/cent në dhjetor të vitit 2021, derisa taksat që paguan një litër vaj në import është TVSH-ja e reduktuar 8%”, thuhet në njoftimin e Doganës, transmeton Telegrafi.

Dogana: Vaji ushqimor që u shit për 3.49 euro u importua me çmim prej 1.22 deri në 1.45 euro
Lexo po ashtu Dogana: Vaji ushqimor që u shit për 3.49 euro u importua me çmim prej 1.22 deri në 1.45 euro

“Derisa vajrat e papërpunuara nuk paguajnë asnjë taksë pasi konsiderohen lëndë e parë për prodhim. Derisa në vitin 2022 (periudha janar -shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj luledielli i papërpunuar. Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit këtyre dy muajve nga 1.22 euro/cent deri në 1.45 euro/cent”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Statistikave të Kosovës: Çmimet e konsumit janë rritur për 7,5% sivjet në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë për 7,5% në muajin shkurt, në krahasim me muajin shkurt 2021.

Ndërkohë, indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,1% në muajin shkurt të këtij viti, në krahasim me muajin janar.

Sipas ASK-së, ngritja e çmimeve është vërejtur tek produktet si buka dhe drithërat, mishi, qumështi, djathi, vezët, vaji, pemët, perimet etj.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7.5 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (15.7%); mish (8.6%); qumësht, djathë dhe vezë (11.1%); vajra dhe yndyra ushqimore (32.1%); perime (13.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (11.3%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6.5%); kafe, çaj dhe kakao (12.5%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3.9%); duhan (4.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4.1%); energji elektrike (12.3%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Në Kosovë çmimi i vajit shkoi deri në 3.5 euro, kaq kushton në vendet e Evropës
Lexo po ashtu Në Kosovë çmimi i vajit shkoi deri në 3.5 euro, kaq kushton në vendet e Evropës

Ndryshe, Kosova së bashku me Shqipërinë janë dy vendet që kanë pagën mesatare me të ulët në Evropë. /Telegrafi/