LAJMI I FUNDIT:

Ngjarje e rëndësishme në Prishtinë, “Numarics” u ofron një mundësi kontabilistëve të Kosovës për zhvillim të karrierës në kompani zvicerane

Ngjarje e rëndësishme në Prishtinë, “Numarics” u ofron një mundësi kontabilistëve të Kosovës për zhvillim të karrierës në kompani zvicerane
Gent Shala nga Numarics

Të enjten të rinjve të Kosovës që kanë zgjedhur si fushë studimi kontabilitetin dhe auditimin u është hapur një mundësi e re, ku përmes një programi trajnimi që do të mbahet nga kompania zvicerane Numarics, do t’u ofrohet specializim e më pas mundësi zhvillimi karriere në tregun zviceran.

Një ngjarje e madhe për të gjithë ata që dëshirojnë të specializohen në kontabilitet, auditim dhe financë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë.


Kristian Kabashi, Numarics dhe Ardiana Bunjaku nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK)

Në këtë ngjarje të organizuar nga Numarics së bashku me Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, dhe të bashkë-mbështetur nga Shoqata Zvicerane-Kosovare e Biznesit e BERZH, kanë folur ekspertë të fushës për të ardhmen e këtij profesioni.

Me mbi 140 profesionistë të punësuar, 6 zyre në Zvicër dhe mbi 3 mijë klient, Numarics është zgjidhja e parë për nevojat e kontabilitetit dhe menaxhimit të biznesit.

Por kjo kompani zvicerane, në praninë e dhjetëra kontabilistëve e studentëve të ekonomisë prezantoi në Prishtinë një mundësi të artë për të gjithë ata që kanë zgjedhur këtë profesion.

Gent Shala nga Numarics duke prezantuar iniciativën ka thënë se qëllimi është zhvillimi i kuadrove për tregun zviceran.

Ai tha se programi synon trajnimin dhe punësimin e kontabilistëve dhe auditorëve posaçërisht për të përmbushur nevojat e kompanisë zvicerane.

Sipas tij objektivi parësor i këtij programi është ofrimi i mundësive për të rinjtë profesionistë për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u punësuar brenda tregut zviceran nga Kosova.

“Numarics së bashku me Shoqatën e Kontabilistëve të Kosovës është duke përgatitur një program ku ka për qëllim zhvillimin dhe specializimin e kuadrove për tregun zviceran, në mënyrë që të zhvillohet kontabiliteti dhe financat”, ka deklaruar Shala para të pranishmëve.

Kristian Kabashi, bashkëthemelues i Numarics ka folur për përvojën e tij ndërkombëtare në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

Ai tregoi se karrierën në Numarics e filloi para tre viteve.

Zvicra është e njohur në mbarë botën për sektorin e saj financiar.

Kabashi një ditë u takua me auditorë dhe ekspertë financiarë në Zvicër dhe filluan diskutimet për të dërguar kontabilitetin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në një tjetër nivel.

Ai më pas themeloi Numarics në partneritet me Dominique Rey.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Zvicrës, Pauline Menthonnex Gacaferri ka folur për rëndësinë e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe shtetit helvetik.

Ajo ka përmendur numrin e madh të kompanive që janë me qendër në Kosovë dhe që ofrojnë shërbime për tregun zviceran.

Në këtë drejtim përmendi edhe Numarics, si një kompani që për qëllim ka zhvillimin e arsimit, me fokus kontabilitetin dhe financat.

“Iniciativa është një mundësi e mirë për kontabilistët e së ardhmes”, deklaroi Pauline Menthonnex duke thënë se kjo do t’u mundësonte të rinjve të qëndrojnë në Kosovë dhe kompanitë zvicerane të vijnë të ta për të kërkuar shërbime.

Ardiana Bunjaku nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) tha se kjo është një mundësi e mirë për t’u specializuar në ndonjë lëmi të caktuar të këtij profesioni.

“Ne nuk kemi nevojë të bëhemi vetëm kontabilistë të certifikuar apo auditorë në hapin e  parë për të gjetur një punë. Është e rëndësishme të keni një specializim që të filloni punën dhe me kohë të shihni vetën të kualifikuar”, deklaroi Bunjaku.

Ajo tha se pa e praktikuar, profesioni i kontabilitetit nuk ofron asgjë, e sipas saj këtë mundësi ua ofron kompania Numarics.

“Juve do të ju jepet mundësia [me këtë program] që të keni module specifike dhe të jeni të gatshëm të punoni jo vetëm në Kosovë por edhe për tregjet jashtë shtetit tonë dhe pse të mos punoni edhe në Zvicër”.

Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Zhvillim duke ftuar të rinjtë të aplikojnë për t’u avancuar në Numarics ka thënë se sa më shumë kontabilistë e auditorë të përgatitur aq më shumë mundësi për të marrë fonde nga BERZH.

“Me ju përfitojnë edhe kompanitë zvicerane por edhe Kosova”, ka deklaruar Leonora Kusari.

Në fund të pranishmëve u është prezantuar QR kode me anë të cilit u hapet mundësia për të aplikuar në programin e Numarics./Telegrafi/