ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ekspertët: Cilësia, sfida e re e sektorit

Turizmi vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, por këtë sezon ai përballet me një sfidë të re. Banka Botërore parashikon ngadalësim të ekonomisë globale gjatë vitit 2026, një zhvillim që mund të ndikojë në fuqinë blerëse të turistëve dhe mënyrën se si ata shpenzojnë gjatë pushimeve.


“Ngadalësimi i ekonomisë globale nuk do të thotë domosdoshmërisht më pak turistë për Shqipërinë. Përkundrazi, destinacionet me kosto konkurruese dhe ofertë të larmishme, si Shqipëria, mund të përfitojnë duke tërhequr vizitorë që kërkojnë alternativa më ekonomike për pushimet e tyre”, thotë eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ka fituar një pozicion më të rëndësishëm në hartën turistike europiane. Sfida tashmë nuk është vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por ofrimi i një eksperience që i bën ata të rikthehen dhe të shpenzojnë më shumë.

“Shqipëria ka qenë konkurruese sepse ka ofruar një raport të mirë mes çmimit dhe eksperiencës. Por nëse çmimet rriten më shpejt se cilësia, ekziston rreziku që turistët të krahasojnë alternativat në rajon. Nuk mjafton të kemi më shumë vizitorë, duhet të kemi vizitorë që rikthehen. E rëndësishme është të ruajmë imazhin e krijuar dhe të mos krijojmë pasiguri për rezervimet dhe investitorët e huaj”, shton eksperti.

Për ekonomistët, suksesi i sezonit nuk do të matet vetëm me hyrjet në kufi, por edhe me të ardhurat që gjeneron turizmi për ekonominë shqiptare. Investimet në infrastrukturë, cilësia e shërbimeve dhe diversifikimi i ofertës do të jenë vendimtarë për ta kthyer rritjen e këtij sektori në një zhvillim të qëndrueshëm./TV Klan