LAJMI I FUNDIT:

Nga Gaza në Ukrainë: Çfarë do të mendonin pionierët e të drejtave të njeriut, për botën tonë sot?

Nga Gaza në Ukrainë: Çfarë do të mendonin pionierët e të drejtave të njeriut, për botën tonë sot?

Nga: Philippe Sands / The Guardian

Përkthimi: Telegrafi.com


Gjatë javës kur shënojmë 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të Konventës së vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, kam menduar për gjenezën e të dy ngjarjeve dhe se si duhet tani t’i përkujtojmë ato.

Miratuar brenda 24 orëve në Paris në dhjetor 1948, Deklarata universale synon të mbrojë individët, ndërsa Konventa kërkon të mbrojë grupet. Ishte revolucionar ai moment në Paris: njohje se të drejtat e shtetit nuk janë të pakufizuara, se si çështje ligjore kishin mbaruar ditët e lejimit të nëpërkëmbjes së jetës njerëzore.

Si ndihet kjo sot? Do të kthehem në atë periudhë, rreth vitit 1945, te botimi i dy librave nga dy burra, origjina dhe idetë e të cilëve mund të gjurmohen në qytetin e mrekullueshëm të Lvivit dhe në Fakultetin Juridik të universitetit të tij. Njëri ishte Sundimi i Boshtit në Evropën e pushtuar nga Rafael Lemkin, botuar në nëntor 1944 në të cilin ai e shpiku fjalën “gjenocid”. Tjetri është Projektligji ndërkombëtar i të drejtave të njeriut nga Hersch Lauterpacht, botuar disa muaj më vonë, në të cilin parashtronte idetë që do të informonin zhvillimin e të drejtave të njeriut dhe “krimeve kundër njerëzimit”.

Të dy burrat ishin pjesë e ekipeve të prokurorisë në Nuremberg. Penalisht e ndoqën Hans Frankun, i cili dikur shërbeu si avokat i Adolf Hitlerit, pa e ditur se ai ishte i përfshirë në vrasjen e gjithë familjarëve të tyre. Këtë e mësuan vetëm në fund të gjyqit. Do të ishte e kuptueshme nëse të dy burrat do të strukeshin në një cep dhe do të qanin për gjendjen e botës, për humbjen e familjarëve të tyre. Nuk e bënë. Zhvilluan ide, pastaj i shtynë përpara ato ide. Si do të ndiheshin sot, 75 vjet më vonë?

Si do të ndiheshin ata për të drejtat e shkrimtares Victoria Amelina, të shoqes sime dhe të të gjithë civilëve të tjerë të vrarë në Ukrainë? Si do të ndiheshin ata për të drejtat e çagosianëve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e veta, 50 vjet më parë – dhe që ende nuk mund të kthehen? Si do të ndiheshin ata për qeverinë britanike që kërkon të kufizojë efektin e Konventës evropiane mbi të Drejtat e Njeriut – hartuar me një kontribut të rëndësishëm nga Mbretëria e Bashkuar – për të lejuar vendin që të kthejë njerëzit në Ruandë, në një vend për të cilin Gjykata Supreme ka vendosur se nuk është i sigurt? Si do të ndiheshin ata për vdekjet e tmerrshme që ndodhën në Izraelin jugor, më 7 tetor? Si do të ndiheshin ata për vdekjet e tmerrshme që pasuan në Gazë? Si do të ndiheshin ata për burgosjen masive të ujgurëve? Si do të ndiheshin për politikën e torturës që u mbështet pas 11 shtatorit?

Mund të spekulojmë, por nuk mund ta dimë. Por, e di se si ndihem në këtë përvjetor të frymëzuar nga idetë dhe përpjekjet e tyre dhe të shumë e shumë të tjerëve. Do të thosha: ky nuk është moment festimi, por pranimi se sa shumë mbetet për t’u bërë, dhe po ashtu për atë se çfarë është ndryshe sot dhe çfarë kemi sot.

Katër vjet më parë isha në një panel në Universitetin Xhorxh Uashington, bashkë me Thomas Buergenthalin – ish-gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë dekada më parë, si djalosh 10-vjeçar, ishte nën kujdesin e një mjeku të quajtur Josef Mengele, në një vend të quajtur Aushvic. Paneli që ndamë ndodhi një javë para seancës dëgjimore në Hagë, për çështjen e ngritur nga Gambia kundër Mianmarit – një kërkesë për masa të përkohshme, për të ndaluar gjenocidin e rohinxhave. “A mund ta imagjinoni”, tha Tomi, “nëse në vitin 1944 do të ishte një traktat që do të thoshte se nuk mund t’i trajtoni njerëzit ashtu siç trajtoheshim unë dhe të tjerët, një gjykatë ku vendet do të mund të shkonin, si dhe një vend i largët që në fakt do të jetë i gatshëm të shkojë në atë gjykatë dhe të kërkojë nga gjyqtarët që të urdhërojnë se sjellja e tillë duhet të ndalet?”

Në seancën dëgjimore në Hagë, një javë më vonë, u ula pranë Aung San Suu Kyit, që u shfaq si agjente e Mianmarit. Nuk u pajtova me shumë gjëra që ajo tha atë ditë, por një fjali që foli më kujtoj se: “E drejta ndërkombëtare mund të jetë sistemi ynë i vetëm global i vlerave”.

Dhe, kështu ishte. 17 gjyqtarët vepruan njëzëri për ta miratuar urdhrin e gjerë të masave të përkohshme, me kërkesa të pashembullta raportimi. Në Koks Bazar, në Bangladesh, qindra refugjatë rohinxha qëndruan dhe mbanin pankartat mbi të cilat ishin shkruar këto fjalë: “Faleminderit Gambi”.

Pra, 75 vjet më pas, si duhet t’i shënojmë përvjetorët e Deklaratës universale dhe të Konventës? Mund të mos kemi mjaftueshëm, por kemi më shumë se asgjë dhe kjo na jep shpresën dhe një tullë mbi të cilën mund të ndërtohet.

Katër gjëra më vijnë në mendje në këto kohë të mjera, në këtë botë të paligjshme në të cilën duhet t’i njohim kufijtë e asaj që është arritur.

Një: mbrojeni atë që kemi, atë që u arrit në atë moment të jashtëzakonshëm më 1948, sepse ajo dhe idealet e shtetit ligjor janë nën kërcënim të madh.

Dy: ndërtoni mbi përgjegjësinë për të gjithë. Mbështeteni Konventën e komisionit të së drejtës ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit. Mbështeteni përgjegjësinë për të gjitha krimet ndërkombëtare, përfshirë krimin e agresionit. Mbështeteni një gjykatë ndërkombëtare penale (GjNP) që të gjithëve u kërkon llogari, jo vetëm më të dobëtëve apo atyre që janë nga Afrika.

Tre: lëvizni përtej të drejtave të njeriut dhe përqafojini të drejtat e natyrës. Sa i përket klimës, shkencëtarët na thonë se ajo që shpejt po vjen do të jetë katastrofa, se nuk na duhet dështimi i Cop28-shit për t’u angazhuar për të hequr gradualisht karburantet fosile. Ndoshta mjedisi do të jetë në rregull, por ne njerëzit nuk do të jemi. Mendoni për të drejtat në lidhje me krizën klimatike. Mendoni për ekocidin që do t’i shtohet statutit të GjNP-së si krim i pestë ndërkombëtar.

Katër: veproni ndaj efekteve të vazhdueshme të keqbërjes historike, jo më pak të skllavërimit dhe kolonializmin – të cilin Emmanuel Macron e karakterizoi si “krim kundër njerëzimit” – dhe emetimet historike të gazeve serrë. Mund të mos ju pëlqejë, por reparacioni, ose diçka e ngjashme me të, është në tryezë dhe aty ka për të qëndruar. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Liga e Kampionëve
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Magazina
Tchouameni ndërpreu Mullerin në intervistë, krijohet situatë qesharake mes dyshes

Tchouameni ndërpreu Mullerin në intervistë, krijohet situatë qesharake mes dyshes

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori