LAJMI I FUNDIT:

Nga çmimet Grammy e deri te milionat në Spotify – artistët shqiptarë pushtuan tregun e muzikës ndërkombëtare edhe gjatë vitit 2021

Nga çmimet Grammy e deri te milionat në Spotify – artistët shqiptarë pushtuan tregun e muzikës ndërkombëtare edhe gjatë vitit 2021
Rita Ora, Ava Max, Dua Lipa, Regard dhe Bebe Rexha (Foto-kolazh: Ardian Keka/Telegrafi)

Viti 2021 ishte mjaft i suksesshëm për artistët shqiptarë në rrafshin ndërkombëtar.

Megjithëse një vit pandemik pa koncerte, turne dhe organizime që përfshijnë turma të mëdha njerëzish, këngëtarët shqiptarët me famë ndërkombëtare arritën që më së miri t’ia dalin të mbajnë emrin e tyre lart në top listat e huaja.

Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max dhe DJ Regard janë emrat që edhe këtë vit shkëlqyen me prurje të reja muzikore dhe vlerësime në eventet me renome ndërkombëtare.


Telegrafi ka bërë një rezyme të të arriturave vjetore për artistët e lartpërmendur.

DUA LIPA

Foto: Dua Lipa/Instagram

Dua Lipa nuk është se ishte edhe shumë aktive në muzikë gjatë vitit 2021 me prurje të reja, megjithatë i voli frytet e suksesit që shënoi me publikimin e albumit “Future Nostalgia” në vitin 2020.

Në mars, ajo fitoi trofeun e tretë “Grammy” në jetën e saj, pasi doli fituese në kategorinë “Albumi më i mirë pop vokal”.

Dua Lipa në Grammy Awards 2021 (Foto: Kevin Winter/Getty Images)

Vetëm dy muaj më pas, ajo gjithashtu doli fituese e dy çmimeve tjera të rëndësishme në mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, Brit Awards 2021.

Ajo fitoi çmimin “Femra më e mirë solo e vitit” dhe çmimin “Albumi më i mirë i vitit” për albumin e saj “Future Nostalgia”.

Dua Lipa në Brits 2021 (Foto: David M. Benett/Dave Benett/Getty Images)

Çmimet nuk kishin të ndalur për këngëtaren me prejardhje nga Kosova, e cila edhe në iHeart Radio Music Awards 2021, u nderua me çmimin “Artistja femër e vitit”.

Për rastësi ky çmim iu nda asaj nga artistja tjetër e njohur shqiptare me famë botërore, Ava Max.

Për sa i përket muzikës, përgjatë vitit 2021, Lipa arriti të sjellë në treg dy këngë, baladën “We’re good” dhe këngën “Cold Heart” në bashkëpunim me Elton John.

Në korrik, ajo dhe familja e saj erdhën për një vizitë speciale në Shqipëri, ku shijuan pushimet verore së bashku me familjarët e tyre për dy javë.

Foto: Dukagjin Lipa/Instagram

Dua vizitoi fillimisht Tiranën, më pas Krujën, Vlorën dhe Butrintin – teksa përgjatë gjithë kohës i ndante me miliona ndjekës të saj në Instagram, imazhet nga vendet turistike që vizitonte ato ditë.

Në Tiranë ajo u mirëprit nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në shenj mirënjohje i dhuroi asaj librin e tij me punime artistike, gjersa më pas Lipa mori edhe një dekoratë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në zyrën e tij.

Foto: Edi Rama/Instagram

Dua gjatë vitit 2021 ishte gjithashtu e nominuar për çmime edhe në ngjarjet e mëdha si MTV Video Music Awards dhe American Music Awards, por dështoi të marrë çmime në secilën prej tyre.

E për sa i përket jetës private, 26-vjeçarja e kaloi shumicën e vitit 2021 në krahët e të dashurit të saj, Anwar Hadid, i cili është vëllai i vogël i motrave super-modele Gigi dhe Bella Hadid.

Kjo ndodhi deri në dhjetor të vitit 2021, kur tabloidi britanik The Sun raportoi se Dua dhe Anwar po i ndanin rrugët, për shkak se mbajtjen e lidhjes së tyre po e bënin të pamundur udhëtimet e shpeshta individuale dhe largësia me njëri-tjetrin.

RITA ORA

Foto: Rita Ora/Instagram

2021-ta ishte një vit relativisht i suksesshëm edhe për artisten tjetër shqiptare me renome botërore, Rita Sahatçiu – Ora.

Viti 2021 për Ritën nisi me publikimin e një mini-albumi (EP) të titulluar “Bang”, me katër këngë: “Bang Bang”, “Mood” (bashkëpunim me Khea), “The One” dhe “Big” (bashkëpunim me David Guetta dhe Gunna).

Këtë të fundit e vizualizoi edhe me një klip, xhirimet e të cilit i kreu në Bullgari, por që mbetet një ndër klipet më të veçanta për shqiptarët.

Foto: Rita Ora/Instagram

Kjo pasi në këtë klip, ajo u shfaq me veshje tradicionale shqiptare të modifikuar nga stilisti i njohur nga Kosova, Valdin Sahiti.

Menjëherë pas këtij mini-albumi i cili rezultoi i suksesshëm, Rita u largua për në Australi ku filloi një eksperiencë të re si anëtare e jurisë në “The Voice Australia”.

Ajo shijoi një qëndrim të gjatë në Australi, teksa nga suksesi i shfaqjes së talenteve, Rita u ftua edhe për një edicion tjetër të “The Voice Australia”, ku iu ofruan një milion dollarë për të qenë përsëri pjesë e panelit të jurisë.

Rita Ora në “The Voice Australia 2021” (Foto: Rita Ora/Instagram)

Nuk mungoi as pjesëmarrja e saj në evente të rëndësishme botërore, si ajo në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards 2021.

Rita u duk mjaft atraktive në një fustan të zi dhe me plot aksesorë te goja, teksa ishte e ftuar për të prezantuar performancën e Ed Sheeranit në mbrëmje.

Pas MTV VMA, Ora u paraqit edhe në mbrëmjen më të përfolur të vitit, Met Gala, ku i fascionoi të gjithë me paraqitjen e saj magjepsëse.

Rita Ora në MET Gala 2021 (Foto: Rita Ora/Instagram)

Përveç mini-albumit “Bang”, Rita gjatë vitit 2021, arriti të nxjerrë në treg edhe dy këngë tjera të reja shumë të suksesshme, “You For Me” (bashkëpuni mem DJ Sigala), dhe “Follow Me” (bashkëpunim e Sam Field).

Ndërkohë sa i përket jetës private, duket se 2021-ta ka qenë viti më i mirë i këngëtares shqiptare, e cila duket se më në fund gjeti dashurinë e saj të vërtetë.

Përgjatë viteve, Rita ka qenë disi e pafat në dashuri, por që njohja me regjisorin me prejardhje nga Zelanda e Re, Taika Waititi, ishte ndryshe.

Dyshja janë parë shumë herë bashkë gjatë vitit 2021, teksa në dhjetor u raportua se ata po e mendonin edhe fejesën e tyre në Australi.

BEBE REXHA

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Artistja shqiptare me prejardhje nga Dibra, e cila jeton dhe vepron në Amerikë, Bleta ‘Bebe’ Rexha arriti që gjatë vitit 2021 t’iu jap jetë projekteve që i kishte lënë pezull në vitin 2020.

Albumi i saj i dytë në karrierë “Better Mistakes” u publikua në maj dhe përmbante plot 13 këngë, të cilat përshkruajnë shëndetin e saj mendor.

Bebe Rexha në korrik të vitit 2021 dha një intervistë ekskluzive për Telegrafin, njëherësh të parën për një media në Kosovë.

Kopertina e albumit “Better Mistakes (E gjeni të plotë albumin KËTU)

Ajo tregoi arsyet se pse vendosi që të trajtojë çështje të shëndetit mendor në albumin e saj të dytë.

“Unë thjesht dua, e dini, njerëzit dhe fëmijët në të gjithë botën të mos ndihen vetëm dhe të dinë se ata janë të fortë dhe ata mund të kapërcejnë gjithçka për të cilën ata mendojnë. Dhe, thjesht doja të shkruaja këngë që i bëjnë njerëzit të mos ndihen sikur janë vetëm dhe mund të dëgjojnë këngët e mia dhe ta dinë që unë jam aty për ta”, tha Bebe Rexha për Telegrafin.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Në po të njëjtën intervistë, ajo potencoi se mbetet ndër dëshirat e saj që ta vizitojë Kosovën për herë të parë në jetë.

“Mezi po pres të vij në Kosovë. Jam krenare që jam shqiptare dhe e dini, mezi pres të shoh të gjithë fansat e mi shqiptarë. Mezi pres të shkoj në Kosovë dhe ta shohë atë vend, jam shumë e ngazëllyer. Ne jemi njerëz shumë të fortë dhe jemi shumë të apasionuar dhe punojmë, ne punojmë shumë fort për gjithçka që kemi, dhe unë jam vërtet e emocionuar dhe jam shumë e lumtur nga të gjithë sukseset që vijnë nga artistët shqiptarë. Kjo tregon se ne jemi të fortë dhe jemi të talentuar dhe kjo më bën shumë emocionale. Dhe mezi pres të shoh se çfarë artistësh të tjerë vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, dhe unë thjesht jam e ngazëllyer për të ardhmen e njerëzve tanë”, ka thënë tutje për Telegrafin interpretuesja e hitit “I’m a mess”.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Përveç albumit “Better Mistakes”, Bebe Rexha publikoi gjatë vitit 2021 edhe tri bashkëpunime të tjera shumë të suksesshme: “Chain my heart” me DJ Topic, “It’s you, not me” me Masked Wolf” dhe “Family” me David Guetta, Ty Dolla $ign dhe A Boogie Wit da Hoodie.

Në statistikat e nxjerra nga Spotify, rezulton se artistja shqiptare përgjatë vitit të shkuar ishte e dëgjuar mbi 953 milionë herë nga 90.5 milion dëgjues në 178 vende të botës.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Ndërsa sa i përket jetës private, Bleta gjatë 2021-s vetëm sa vazhdojë ta përforconte lidhjen e saj me regjisorin amerikan, Keyan Safyari.

AVA MAX

Foto: Ava Max/Instagram

Amanda Ava Koçi, apo e njohur me emrin artistik Ava Max e nisi vitin 2021 me sukseset e albumit “Heaven and Hell”, të cilin e publikoi në shtator të vitit 2020.

Ajo vazhdoi me publikimin e disa projekteve muzikore, të cilat janë pritur kryesisht mirë nga publiku i saj.

Në prill, artistja shqiptare pati një prezantim shumë dinjitoz në iHeart Radio Music Awards, ku prezantoi çmimin “Artistja femër e vitit”.

Foto: Ava Max/Instagram

Dhe si mos të ndodhte më mirë, ku çmim shkoi për kolegen e saj shumë të dashur, gjithashtu me prejardhje shqiptare, Dua Lipa.

Në muajin korrik, Ava Max publikoi baladën “Every Time I Cry”, e cila është renditur lart në top listat ndërkombëtare.

Foto: Ava Max/Instagram

Ndërkohë, kënga e saj më e suksesshme e vitit 2021 mbetet bashkëpunimi me DJ Tiesto, i cili u publikua në nëntor dhe ka arritur deri më tash mbi 20 milionë klikime në kanalin YouTube.

Sipas statistikave vjetore të Spotify, shqiptarja Ava Max u rangua si femra e 24-të më e dëgjuar e vitit në planet, pasi arriti të grumbullojë mbi 1.4 miliard dëgjime brenda vitit.

REGARD

DJ Regard në Brtis 2021 (Foto: JMEnternational/JMEnternational for BRIT Awards/Getty Images)

DJ i njohur me prejardhje nga Kosoa, Regard, është tashmë pa dyshim një emër i depërtuar në tregun ndërkombëtar të muzikë.

Suksesi i tij evropian u dëshmua kur edhe në mars të vitit 2021, ai u nominua për herë të parë çmimin e rëndësishëm, Brit Awards 2021.

Regard dhe Dua Lipa në Brit Awards 2021 (Foto: Getty Images)

Artisti me origjinë nga Ferizaj, ishte i nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë e vitit”, çmim i cili në këtë spektakël jepet dhe mundësohet nga Brits në bashkëpunim me Mastercard.

Por kjo nuk është e tëra, pasi po gjatë të njëjtit vit, ai u nominua edhe për një tjetër trofe të rëndësishëm.

Eventi i rëndësishëm i ndarjes së çmimeve, American Music Awards, e nominoi Regardin në kategorinë “Artisti më i mirë i zhanrit electronic/dance”, krahas emrave të njohur si: David Guetta, Marshmello, Illenium dhe Tiësto.

Foto: Regard/Instagram

Ky çmim për fatin e keq të artistit kosovar, shkoi në duart e DJ-it të njohur, Marshmello.

Megjithatë vet nomini në ngjarjet e mëdha të muzikës, dëshmoi edhe një herë emrin e tij si ndër dominuesit më eminentë të vitit në muzikën elektronike.

Statistikat vjetore treguan se Regard është dëgjuar mbi 592 milionë herë nga 63 milionë dëgjues nga 178 vende të ndryshme të botës. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Ellen DeGeneres dhe partnerja e saj largohen nga SHBA-ja, shkaku mund të jetë fitorja e Trumpit

Ellen DeGeneres dhe partnerja e saj largohen nga SHBA-ja, shkaku mund të jetë fitorja e Trumpit

Magazina
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Gruaja e George Clooney-t, Amal është një nga njerëzit kyç në lëshimin e urdhër-arrestit për Netanyahun

Gruaja e George Clooney-t, Amal është një nga njerëzit kyç në lëshimin e urdhër-arrestit për Netanyahun

Magazina
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Magazina
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike

Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike "Provocativo"

Magazina
Kalo në kategori