LAJMI I FUNDIT:

Nga akuzat dhe protestat për reduktimet e rrymës deri te shpallja emergjente – deklaratat e fundit rreth gjendjes energjetike

Nga akuzat dhe protestat për reduktimet e rrymës deri te shpallja emergjente – deklaratat e fundit rreth gjendjes energjetike

Kosova për disa ditë më radhë është duke u ballafaquar me krizën e energjisë elektrike. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur akuza nga opozita dhe kundër akuza nga ana e Qeverisë në drejtim të partive opozitare dhe ish-qeverive. Gjithashtu, ka pasur edhe protesta lidhur me gjendjen e krijuar me reduktime së fundi.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së fundit ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen pas reduktimeve të energjisë elektrike. Mirëpo, ky vendim do të diskutohet gjatë ditës së martë në Kuvendin e Kosovës.


Ditën e hënë një grup i qytetarëve kanë protestuar para Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për të kërkuar furnizim të rregullt me rrymë dhe shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me reduktimet, duke thënë se reduktimet e rrymës pothuajse janë larguar.

Kurti po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë elektrike në mënyrë racionale.

“Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju faleminderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Kurti: Reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, po bëjmë krejt çka mundemi
Lexo po ashtu Kurti: Reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, po bëjmë krejt çka mundemi

Ai ka treguar se çmimi energjisë elektrike në bursë është shatëfishuar.

“Çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MWh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1.4 GW, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MW) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MW”, ka shtuar ai.

Kryetari Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj gjatë një konference për medie ka pretenduar se se rënia e bllokut A3 dhe A5 në termcentralin “Kosova A” ishte e qëllimshme.

“Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë menjëherë një hetim të organeve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës, rënia e bllokut A3 dhe A5 brenda të njëjtit sekondë duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS”, është shprehur Molliqaj.

Pas deklaratave të Molliqajt ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke thënë se pretendimet e tij nuk qëndrojnë dhe janë shpifje.

“KEK ka marrë me shqetësim këto dezinformata dhe shpifje të Molliqajt. Për këtë arsye KEK do ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore tek organet e drejtësisë ndaj tij”, ka reaguar KEK.

KEK reagon ndaj pretendimeve të Molliqajt se “rënia e bllokut A3 dhe A5 ishte e qëllimshme”
Lexo po ashtu KEK reagon ndaj pretendimeve të Molliqajt se “rënia e bllokut A3 dhe A5 ishte e qëllimshme”

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlen për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Po ashtu përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Qeveria shpall gjendjen emergjente për furnizim me energji elektrike
Lexo po ashtu Qeveria shpall gjendjen emergjente për furnizim me energji elektrike

Për shkak të krizës energjetike, Kuvendi i Kosovës gjatë të martës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Po ashtu, në këtë seancë pritet të miratohet vendimi i Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente.

Lidhur me pakënaqësitë për gjendjen energjetike në vend, një numër i qytetarëve kanë protestuar para ndërtesës së KEDS-it me kërkesën për shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli.

Sipas organizatorëve të protestës, me ndarjen e 20 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, qytetarët po ua paguajnë dy herë faturën KEDS-it.

“Në vendet periferike përveç që po ndalet rryma, po ndalet edhe uji. Qeveria e Kosovës i ka ndarë 20 milionë euro, ne po ia paguajmë KEDS-it dy herë faturën. Pra, ne ia paguajmë dy herë faturën, kurse Qeveria kur të ka nevojë. Pse na duhet t’ia mbajmë barrë fitimin një kompanie private, hajde ta nacionalizojmë. Ne duhet t’ia blejmë nga një biletë këtyre investitorëve”, ka thënë Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës.

Protestuesit gjuajnë poça elektrik drejt objektit të KEDS-it, kërkojnë nacionalizimin e kompanisë
Lexo po ashtu Protestuesit gjuajnë poça elektrik drejt objektit të KEDS-it, kërkojnë nacionalizimin e kompanisë

Ndryshe, reduktimet me energji elektrike ditëve të fundit janë rikthyer, ku sipas Qeverisë së Kosovës, sistemi elektroenergjetik aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara. /Telegrafi/