Neymar–Barcelona deri në vitin 2021
Sulmuesi brazilian që po kalon një moment pozitiv në Katalonjë do të ulet në tavolinë me drejtuesit e klubit në fillim të vitit tjetër për ta shtyrë bashkëpunimin deri në vitin 2021.
Në parim palët kanë rënë dakord për kontratën e re, por aktualisht po punohet edhe me disa detaje të fundit qe gjithçka të jetë gati në muajin janar ose shkurt. Në Barcelonë janë të vetëdijshëm se rreth brazilianit sillen shumë klube të mëdha evropiane dhe përpiqen të shfrytëzojnë faktin që ai mund të jetë lider në skuadrat e tyre pasi aktualisht në “Camp Nou” është i detyruar të vazhdojë të qëndrojë në hijen e Messit.
Ofertat nuk kanë munguar madje sipas gazetës “El Mundo Deportivo”, një klub ka trokitur me rreth 190 milionë euro, por Bartomeu e ka refuzuar menjëherë duke besuar se Neymar është e ardhmja e Barcelonës.
Shpërthimi i tij gjatë këtij sezoni ka rritur edhe kërkesat ekonomike të të atit që është edhe agjenti i lojtarit. Gjithsesi, për momentin nuk mendohet që Barcelona t’i ofrojë një pagë të ngjashme me atë të Lionel Messit, i cili do të vazhdojë të mbetet njeriu kryesor në grupin katalanas.
Një çështje që e shqetëson familjen e brazilianit është edhe ajo e konfliktit me autoritetet fiskale në Spanjë, një çështje që pritet të zgjasë edhe për shumë vite të tjera, ndërsa në Brazil janë pothuajse 42 milionë euro pasuri të ngrira nga zyrtarët pasi Neymar akuzohet për evazion fiskal gjatë viteve 2011-2013.
















































