LAJMI I FUNDIT:

Nevojtoret publike dhe përshtatshmëria politike!

Ruaje veriun, pshurre komshiun: Kosova është vend i mrekullueshëm. Ka bukuri të rralla natyrore dhe pasuri gjithashtu të mëdha nëntokësore. Madje, pasuritë nëntokësore apo nëntokën e ka edhe mbi tokë. Është e përhapur gjithandej dhe ka lëshuar rrënjë. E kemi nëntokën me rrënjë të fuqishme që po i bënë ballë të gjitha stuhive.

Në fakt këto stuhi siç e quanin veten UNMIK-u dhe tash EULESH-i, vetëm po e shkundin aty-këtu ndonjë fletë e cila edhe ashtu do të binte vet . Mirëpo, rrënjët nuk lëkunden dot, sepse jemi popull i lashtë, me identitet, me traditë dhe të palëkundur. Që i kemi bërë ballë të gjitha stuhive dhe furtunave. E lëre më këtyre stuhizave të EULESH-it të cilat vetëm sa po na forcojnë. Po na i trashin rrënjët. Po na i trashin rrënjët me “zbatim të ligjit”, “luftë” kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të peshqve të mëdhenj, trafikimit me qenie njerëzore dhe krimeve të luftës. Ndonëse nuk pranojnë se në Kosovë ka pasur luftë! Se shqiptarët janë vrarë dhe masakruar nga regjimi serb.


Këtë e mohojnë edhe disa internacionalistë dhe globalistë këndej dhe andej kufirit. Qytetarë të botës! Pa përcaktim kombëtar, skrupuj moral , identitet dhe integritet njerëzor etj. të cilët dhjetë herë kanë menduar serbisht dhe njëherë kanë belbëzuar shqiptarisht! Ata që i kanë mbrehë thikat dhe sëpatat në kohën e Mehmet udbash kovaçit, tash po bëjnë shtatë palë qejfe në Kosovën e EULESH-it dhe të Hashim Thaçit! Edhe sot, bijtë dhe bijat e tyre, si pjesë e jashtëqitjeve të trashëguara gjenetike, janë shumë të fuqishëm në vendimmarrje politike! Janë gazetarë, opinionist , historianë, akademikë, prokurorë dhe gjyqtarë, lepuj dhe zagarë, këshilltarë politikë, hartues të strategjive “kombëtare”, negociatorë për “integrimin e veriut” dhe proceseve tjera integruese të përmasave botërore!

Thjesht, po përpiqen ta heqin marren duke mbuluar prapanicën e lakuriquar në ndërkohë që pafytyrësinë e tyre po e mirëmbajnë duke e konservuar! Konservim moral në një kaos institucional! Ku i korruptuari të ligjëron si ruhet thesari i shtetit, i pamoralshmi hap universitet për etikë, vrasësi serik bëhet mbrojtës i jetës, gënjeshtari ka monopol mbi të vërtetën , pakurrizori shkruan disertacion për dinjitet, mohuesit e shtetit kërkojnë pushtet, ku shpiket një komb i paqenë kosovar, ku këmbëngulësia për të drejtën të shndërron në gomar, ku të ndershmit, të mençurit janë në bisht të litarit dhe ku injorantët, banditët, kriminelët dhe dhunuesit mbrohen me Pako të Ahtisaarit! Ku hajnia – materializmi e dhunon idealizmin në emër të vlerave patriotike dhe të drejtave historike!

Në Kosovë është bërë përshesh, një lëmsh dhe puna lesh! Nuk po dihet kush ka punuar dhe kush është sakrifikuar për këtë vend, sepse duket se kemi deficit për mend. Ne po detyrohemi t’i normalizojmë marrëdhëniet me serbët dhe Serbinë në ndërkohë që i kemi punët llugë me shqiptarët dhe Shqipërinë! Serbia po na mohon, Shqipëria po na injoron!

As diferencim e as linçim, por vetëm konstatim: Të gjitha shtetet e Ballkanit, por edhe disa të Evropës, pas ndërrimit të sistemeve kanë kaluar përmes procesit të lustrimit apo ballafaqimit me të kaluarën për individë të caktuar të shënjestruar si ushtrues të dhunës, shkeljeve të të drejtave njerëzore, politike dhe kombëtare. Përjashtim ka bërë Kosova sepse dosjet kanë qenë në Beograd.

Nismat për lustrim në Kosovë janë penguar kryesisht nga ata që kanë qenë viktima, ndërsa kjo dukuri është konsideruar si përpjekje për diskreditim dhe linçim të personave të caktuar! Të përvuajturit nuk kanë dashur të shndërrohen në përndjekës apo dhunues. Kanë falur edhe në raste kur nuk është dashur të falin. Edhe unë jam në mesin e tyre që ka qenë kundër lustrimit. Jo për shkak të dosjes sime, por shkaku se nuk kam dashur që fëmijët e atyre që kanë pasur baballarët kriminelë apo shërbëtorë të Titos , Jugosllavisë dhe Serbisë të përndiqen apo të diferencohen. Pse ata duhet të vuajnë apo të paguajnë fatura për krimet dhe poshtërsitë e baballarëve të tyre!

Mendoj se është dashur megjithatë të bëhet një konstatim i fakteve për të kaluarën e atyre që kanë punuar kundër interesave të popullit në mënyrë që të mos kenë hapësirë të vazhdimit të një zinxhiri të dhunës. Thjesht, të veprohet sipas modeleve të vendeve të rajonit. As më shumë e as më pak!

Kështu, ata që janë ende gjallë, ndonëse në moshë të shtyrë, do të duhej të rrinë anash e jo të përfitojnë nga 3-4 rroga nga Hashimi apo Atifetja! Apo bijtë dhe bijat e tyre të cilët me një agresivitet dhe arrogancë edhe më të sforcuar po bëjnë përpjekje të rivendosin një kod moral, politik, njerëzor, kombëtar dhe shtetëror sipas modelit të baballarëve. Tash me një dallim që në vend të dhunës fizike po përdorin dhunë verbale dhe dhunë mediale. Të përbashkët e kanë instiktin për të denoncuar çdo gjë që ka përmbajtje kombëtare dhe që paraqet vlerë njerëzore.

Këta nuk pranojnë se Hasan Prishtina ka qenë, është dhe mbetet vlerë kombëtare dhe shembull i një politikani vizionar, sakrifikues, të pakorruptuar materialisht dhe moralisht, prandaj e kundërshtuan emërtimin e Universitetit të Prishtinës me emrin e këtij politikani, patrioti dhe njeriu të papërsëritshëm në qiellin, ajrin dhe tokën ku jetojnë shqiptarët! Këta e sulmuan dhe e sulmojnë Adem Demaçin i cili bëri 30 vjet burg edhe për lirinë e tyre. Që e shajnë, e pështyjnë dhe e pushkatojnë publikisht përmes mediave! Për ta Isa Boletini, Jakup Ferri, Shotë Galica, Azem Bejta, Shaban Polluzha, Rifat Berisha, Gjon Serreqi, Marie Shllaku, Mulla Idriz Gjilani, Ramë Govori nuk paraqesin vlera civilizuese, por më shumë i marrin si objekt përqeshjeje. Për UÇK-në mendojnë njëjtë si Karla del Ponte se paska qenë organizatë kriminale. Ivica Daçiq dhe Tomislav Nikoliq kanë qëndrim më korrekt.

Këta të cilët nuk e kanë bërë as sakrificën më të vogël për popullin e vet dhe shtetin mund ta quajnë Jakup Krasniqin fashist. Po të mendonin ndryshe nuk do të ishte normale. Apo Adem Jasharin që e quajnë vrasës të familjes së tij, përfshirë babën, nënën, vëllanë dhe fëmijët e tij si dhe të vëllezërve të tij!

Këta që shokun Tito, shokun Kardel, Dollanc, shokun Maliqi, shokun Brosha, shokun Koçinaj dhe shumë shokë të tjerë që vranë Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Shaban Shalën, Fazli Grajçevcin dhe shumë atdhetarë të tjerë duke i shndërruar këta shokë jugosllavë në mite dhe legjenda nuk kanë si të veprojnë ndryshe veçse të kërkojnë ç’mitizimin e mitit për Adem Jasharin dhe vrasësit e tjerë të UÇK-së si: Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, Ramiz Lladrovci, Elmi Reçica, Bekim Kamishi, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi Latif Gashi dhe vrasësit e tjerë.

Definitivisht duhet të bëhet një ndarje midis lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë dhe akuzave eksplicite të pambështetura në fakte që po e bëjnë disa opinionistë apo pinjollë të kohës së kaluar ose ata që po e parashikojnë se si do të duhej të ishte ardhmëria sipas standardeve ekskluzive të tyre. Për këtë është dashur të bëhet edhe lustrimi. Pas kësaj do të dinim se cila ka qenë e kaluara e atyre që sot po përpilojnë lista të vrasësve pa zhvilluar fare hetime dhe pa pasur mandate për këtë! As moral e as ligjor!

Për dikë duket se denoncimi është dhe mbetet përcaktim jetësor, kulturë familjare, identitet intelektual apo mundësi e hatashme për përfitim material! Krejt në shërbim të kësaj të fundit: përfitimit material!

Duhet gjithashtu të bëhet një prerje e thellë dhe e vendosur midis kohës së luftës dhe kohës së paqes. Për luftën e bërë meritat për horrëllëqet e bëra pas përfundimit të luftë ligji! Kjo prerje nuk po bëhet sepse në shumë raste denoncuesit apo horrat që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë flenë në të njëjtin krevat me disa horra me prejardhje nga lufta e që janë veshur me pushtet! Po definitivisht kemi të bëjmë me horra të kombinuar që kurrë nuk do të jenë në gjendje ta kompromitojnë luftën e lavdishme të UÇK-së, vlerat e saj, dëshmorët e kombit, martirët e kombit apo ata që në një formë apo tjetër kanë kontribuar për lirinë e popullit të një shteti pa pushtet! Aq ishin mundësitë!

Ne, së paku bëmë përpjekje! Po ju, ç’bëtë ? Përveçse keni denoncuar dhe po denonconi! Ju, bimë e ligë e farës së keqe !

Një nevojtore për Prishtinën: Prishtina duhet t’i ketë së paku 450.000 banorë, ndonëse regjistrimi i fundit tregon se nuk i ka as 250.000. Prishtina nuk e ka asnjë nevojtore publike ku qytetarët mund t’i kryejnë nevojat fiziologjike. Nuk ka qytet tjetër në rajon ku nuk ka WC publike. Vetëm Tirana është në pozitë të njëjtë! Për këtë arsye hyrjet e banesave, parqet, këndet e shtëpive, hapësirat rreth pemëve, banderëve, kontenjerëve janë shndërruar në WC dhe kundërmojnë erë të rëndë të urinës, sidomos në muajt e verës! Kush ka problem me stomak është në pikë të hallit!

Në Kosovë çdo gjë është politizuar. Tash edhe ndërtimi i nevojtoreve. Lokacionet e parapara nuk pranoheshin ekskluzivisht për shkaqe politike. Nuk bënë të ndërtohet WC në sheshin Ibrahim Rugova sepse këtë e dëshiron PDK. Nuk bënë të ndërtohet WC publike në sheshin Skënderbeu sepse këtë e dëshiron LDK për ta “stolisur “ ndërtesën e qeverisë së Kosovë që udhëhiqet nga PDK. Nuk bënë të ndërtohet WC në sheshin Zahir Pajaziti sepse në këtë mënyrë po fyhen vlerat e luftës.

Banorët e rrugës Edit Dyrham po e kundërshtojnë ndërtimin e WC-së publike sepse mund të kundërmojnë erë urine apo m… kur edhe ashtu te të gjitha hyrjet ka kundërmime apo vërshime të ujërave të zeza.

Kosova është rast sui generis, vërtetë. Vetëm këtu policët përdoren si logjistikë e ndërtimit të nevojtoreve publike!

Qyteti i Prishtinës ka nevojë për më shumë WC publike, prandaj propozoj që një të ndërtohet në sheshin “Vëllazërim-Bashkim”, pikërisht te simboli i saj trerremësh, një tjetër prapa Skenderbeut (ku zhvillohet prostitucioni legal), tjetri afër hotelit Grand, edhe një në oborrin e EULESH-it dhe atë të fundit te pallati Boro-Ramizi! Më vonë mund t’i bëjë publik edhe emrat që do të bënin përurimin e këtyre objekteve jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët e Prishtinës, vizitorëve të shumtë dhe turistëve të huaj.

Në asnjë qytet në botë nevojtoret nuk ndërtohen në periferi, por në qendër ku frekuentimi i qytetarëve është i madh! Arsyetimi se kundërmimi është pengesë për ndërtimin e WC-ve publike është i pavend! Edhe ashtu në shumë vende në Kosovë ka kundërmim edhe më të rendë se kjo e urinës! Prandaj, nuk është edhe e rastit pse i kam propozuar pikërisht këto lokacione për ndërtimin e WC-ve publike!

Në trend

Më shumë
Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Ndërkombëtare
Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Liga e Kampionëve
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Barcelona e hapur për të shitur yllin e madh të ekipit

Barcelona e hapur për të shitur yllin e madh të ekipit

La Liga
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Vedat Muriqi afër rikthimit në Turqi, pritet ta zëvendësojë yllin e madh

Vedat Muriqi afër rikthimit në Turqi, pritet ta zëvendësojë yllin e madh

Ndërkombëtare
Kalo në kategori