LAJMI I FUNDIT:

Nevoja për besim mes serbëve dhe Qeverisë së Kosovës, Rashiq: Po punohet në zgjidhje strategjike afatgjatë të problemeve

Nevoja për besim mes serbëve dhe Qeverisë së Kosovës, Rashiq: Po punohet në zgjidhje strategjike afatgjatë të problemeve

Për ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, nuk është befasi vlerësimi i Komisionit Evropian se marrëdhëniet ndërmjet pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Qeverisë janë “përkeqësuar ndjeshëm” dhe pranon se ky është fakt, por nënvizon se është dashur të bëhet një dallim mes serbëve në veri dhe jug.

Në anën tjetër, pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të lumit Ibër, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë (REL), theksojnë se marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës “asnjëherë nuk kanë qenë më keq” dhe vlerësojnë se për të ndërtuar besimin, është e nevojshme të marrin vendime që do të përmirësojnë jetën e tyre dhe do të garantojnë paqen.


Megjithatë, në një prononcim për REL-in, Rashiq thotë se është duke punuar për një “zgjidhje strategjike dhe afatgjatë të problemeve”, me të cilat ballafaqohet komuniteti serb dhe beson se një gjë e tillë do të rrisë besimin e serbëve në Qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Si një nga shembujt ai përmend strategjinë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë, e cila ka të bëjë me kthimin, zhvillimin ekonomik dhe realizimin e të drejtave të dhëna me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Në raportin e tij vjetor për Kosovën, Komisioni Evropian (KE) ndër të tjera vë në dukje një “përkeqësim të konsiderueshëm” të marrëdhënieve ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë.

“Kosova duhet të bëjë përpjekje shtesë për të ndërtuar besimin me këtë komunitet [serb]”, thuhet në raportin e KE-së.

Aty shtohet se vendimet e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës private në veri, si dhe prania e shtuar e njësive speciale policore në atë rajon, “krijoi pakënaqësi të gjerë te popullata vendase e serbëve të Kosovës”.

“Kjo ka ndikuar negativisht në besimin e popullatës serbe të Kosovës në institucionet e Kosovës dhe në dialogun [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë]”, thuhet tutje.

Çfarë thonë qytetarët?

Dalibori, zyrtar në institucionet serbe në Leposaviq, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, beson se marrëdhëniet e serbëve me autoritetet kosovare nuk kanë qenë asnjëherë të mira, por asnjëherë nuk kanë qenë “kaq të këqija”.

Si disa nga arsyet e një situate të tillë, ai përmend vendimet e Qeverisë së Kosovës, për të cilat ai dhe bashkatdhetarët e tij “nuk ndihen të sigurt”, dhe në këtë kontekst përmend arrestimet e serbëve nga autoritetet kosovare dhe praninë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Në veri të Kosovës, në vitin e fundit ka pasur një sërë krizash, në të cilat serbët kundërshtuan vendosjen e kryetarëve të komunave nga Prishtina zyrtare, e cila solli arrestime për “shkelje të rendit kushtetues”, “terrorizëm”, sulme ndaj policisë apo KFOR-i. Një nga incidentet e fundit ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.

Megjithatë, Dalibori beson se autoritetet e Kosovës arrestojnë “rastësisht” serbët në veri dhe pretendon se “askush nuk është më i sigurt”.

“Tani është sikur kjo të mos jetë më e juaja, një lloj pasigurie ka lindur”, thotë ai.

Megjithatë, ai beson se marrëdhëniet e tilla ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe serbëve mund të ndryshojnë nëse më shumë vëmendje do t’u kushtohej qytetarëve të thjeshtë dhe më pak (vëmendje) politikës.

Edhe Milani, po ashtu zyrtar në institucionet serbe në Leposaviq, thotë se “askush nuk mendon për popullin”, dhe se kjo është një pengesë e madhe në ndërtimin e besimit te serbët dhe Qeveria e Kosovës.

“Askush nuk po mendon se si të sigurojë popullin, ata mendojnë vetëm për territorin dhe kush do ta sundojë atë territor. Ky është problemi më i madh”, thotë ai.

Edhe Bojani, dyqanxhi nga komuna e Graçanicës, afër Prishtinës, beson se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq. Për t’i përmirësuar këto marrëdhënie dhe për të ndërtuar besimin, thotë ai, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen e saj dhe të fillojë të marrë vendime që do të përfitojnë dhe nuk do t’i dëmtojnë serbët.

“Të anulohet vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]”, citon disa nga shembujt.

Zhivoradi, pensionist nga Graçanica, beson se përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të kontribuonte në marrëdhënie më të mira mes komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

“T’i trajtojmë disi njerëzit ndryshe, ta qetësojmë situatën, disi ta stabilizojmë situatën me Serbinë, t’i fillojmë ato negociata [për normalizimin e marrëdhënieve]”, thotë ai.

Si të ndërtohet besimi?

Nenad Rashiq thotë se që nga ardhja në pozitën e ministrit në Qeverinë e Kosovës, po përpiqet të krijojë besim në mes të institucioneve qendrore dhe komunitetit serb dhe të zgjidhë problemin e “vakumit institucional”, i cili lindi pas daljes së serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës.

Në nëntor të vitit 2022, serbët u larguan nga institucionet e drejtësisë, nga Policia e Kosovës dhe administrata lokale me iniciativën e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ata vendosën ta ndërmarrin atë hap për të penguar Qeverinë e Kosovës që të çojë përpara procesin e riregjistrimit të targave serbe në ato RKS.

Më pas dorëheqje ka dhënë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakiq. Në vend të Rakiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi Nenad Rashiqin, i cili vepronte nga opozita pa mbështetjen e Beogradit.

Rashiq thotë se aktualisht janë duke punuar në një “zgjidhje strategjike afatgjatë të problemeve” me të cilat përballet komuniteti serb.

Si shembull, ai përmend vendimin e Qeverisë së Kosovës për njohjen e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe diplomave të shkollave të mesme që mësohen në gjuhën serbe. Meqë ra fjala, të gjitha institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë punojnë nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Serbisë.

Çështja e diplomave nga institucionet arsimore në gjuhën serbe është përmendur edhe nga KE-ja në raportin e saj, me vlerësimin se mosnjohja e tyre ka ndikuar në mundësinë e punësimit të serbëve apo vazhdimin e shkollimit sipas sistemit të Kosovës.

Gjithashtu, KE-ja thekson se strategjia për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Kosovë është ende në pritje. Kjo strategji është zhvilluar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në krye me Rashiqin, i cili thekson se tashmë është prezantuar në Qeverinë e Kosovës dhe se pret që së shpejti të miratohet.
Çfarë thonë nga sektori civil?

Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv, thotë se dialogu i brendshëm politik dhe social është i nevojshëm për marrëdhënie më të mira ndërmjet serbëve dhe Qeverisë së Kosovës.

Që nga viti 2019, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar një “dialog të brendshëm” me serbët e Kosovës, me vlerësimin se është më i rëndësishëm sesa ai me Beogradin. Mirëpo, ky lloj dialogu asnjëherë nuk është iniciuar publikisht, dhe Qeveria e Kosovës më herët i tha REL-së se kryeministri Kurti është në “komunikim të vazhdueshëm” me serbët, por se kjo nuk po diskutohet që të mos u ekspozohen presioneve dhe kërcënimeve nga “struktura dhe grupe të paligjshme”.

Miliçeviq, megjithatë, nënvizon se për marrëdhënie më të mira ndërmjet serbëve dhe Qeverisë në Kosovë, nevojiten marrëdhënie më të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ata hapa, përveç dialogut politik, përfshijnë edhe nevojën e zvogëlimit të prezencës numerike të policisë së Kosovës në veri. Për të stabilizuar sa më shumë situatën nënkuptohen edhe zgjedhjet lokale në veri të Kosovës”, thotë ai.

Aktualisht, në krye të komunave me shumicë serbe në veri janë kryetarë shqiptarë, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet e prillit.

Organizata Aktiv nga Mitrovica e Veriut ka vite që i përcjell dhe analizon qëndrimet e komunitetit serb në veri dhe në jug të lumit Ibër dhe Miodrag Miliçeviq thotë se nuk dallojnë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës.

“Raportet tona të viteve më parë tregojnë një shkallë të lartë të mosbesimit që komuniteti serb, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, e ka ndaj Qeverisë së Kosovës. Nuk është vetëm ndaj kësaj qeverie, por kjo qeveri e ka thelluar nivelin e mosbesimit”, thotë Miliçeviq.

Në raportin “Analiza e trendëve serb – qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë” të organizatës Aktiv, i publikuar në nëntor të vitit 2022, thuhet se serbët nga Kosova më shumë u besojnë institucioneve të Serbisë sesa atyre të Kosovës. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Drejtësi
Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Lajme
Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në

Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në "TikTok"

Kronika e Zezë
Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Lajme
Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Lajme
Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Lajme
Kalo në kategori