Netanyahu viziton tokat e pushtuara të Libanit: Izraeli ende nuk do të tërhiqet


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vizitoi sot territorin libanez të pushtuar nga ushtria izraelite, duke u thënë ushtarëve se Izraeli nuk do të tërhiqet prej andej për sa kohë që Hezbollah paraqet kërcënim.
Kjo është vizita e parë e liderit izraelit në territorin e pushtuar në jug të Libanit që nga arritja e marrëveshjes së sigurisë mes qeverive të Izraelit dhe Libanit të premten e kaluar, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kësaj marrëveshjeje, Izraeli pritet t'ia dorëzojë ushtrisë libaneze dy zona.
"Qëndrimi ynë është se nuk do të tërhiqemi nga jugu i Libanit derisa të eliminohet kërcënimi", u tha Netanyahu ushtarëve, sipas një njoftimi të publikuar nga zyra e tij, duke iu referuar Hezbollahut.
"Për sa kohë që Hezbollahu është i pranishëm këtu, i armatosur dhe na kërcënon, edhe ne do të qëndrojmë këtu", deklaroi ai, raportoi agjencia Reuters.
Netanyahu, i cili për herë të fundit kishte vizituar publikisht territorin e pushtuar në Liban në prill, shoqërohej nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, si dhe nga zyrtarë të lartë ushtarakë.
Sipas marrëveshjes së sigurisë të mbështetur nga SHBA-ja, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga dy "zona pilot" dhe t'i lejojnë ushtrisë libaneze të marrë kontrollin mbi ato territore. Deri tani janë bërë publike pak detaje se si do të zbatohet ky projekt në praktikë.
Izraeli nisi një ofensivë në Liban pasi u sulmua nga Hezbollahu më 2 mars, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt. Ky zhvillim çoi në një luftë rajonale që mori mijëra jetë, kryesisht në Iran dhe Liban, por edhe në rajonin e Gjirit Persik dhe në Izrael.
Ushtria izraelite ka krijuar një "zonë tampon" me thellësi rreth 10 kilometra brenda territorit libanez përgjatë gjithë kufirit me Izraelin. Zyrtarët izraelitë thonë se kjo zonë është e domosdoshme për mbrojtjen e komuniteteve në veri të Izraelit nga sulmet e Hezbollahut.
Ushtria ka detyruar banorët vendas libanezë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ka kryer bastisje në fshatra, duke shkatërruar banesat e tyre. Sipas ushtrisë izraelite, objekt i operacioneve janë infrastruktura dhe tunelet nëntokësore që, sipas saj, përdoren nga Hezbollahu. /Telegrafi/







































