Nga kombinimet klasike që dikur ishin kudo te nuancat që e bëjnë dhomën të duket e ftohtë apo e rënduar – ja cilat zgjedhje po dalin nga moda në vitin 2026

Kur bëhet fjalë për mobilimin e dhomës së gjumit, funksionaliteti nuk është i vetmi element që duhet të keni parasysh. Ngjyrat dhe modelet e çarçafëve, mbulesave dhe jastëkëve ndikojnë shumë në pamjen e përgjithshme të hapësirës.


Nëse dëshironi një dhomë më moderne në vitin 2026, dizajnerët e interierit këshillojnë të shmangni disa ngjyra dhe stile që po dalin nga moda. Sipas tyre, disa zgjedhje mund ta bëjnë dhomën të duket e ftohtë, e rënduar ose e vjetëruar.

1. Gri dhe e bardhë

Është koha të largoheni nga kombinimi klasik i grisë me të bardhën, thotë Meghan Jay, themeluese e Meghan Jay Design. Sipas saj, këto nuanca mund të duken sterile dhe ta bëjnë dhomën të duket e ftohtë e pa gjallëri.

Në vend të tyre, ajo sugjeron ngjyra më të ngrohta, si terrakota dhe portokallia e djegur, të cilat pritet të jenë më të pranishme në dhomat e gjumit gjatë vitit 2026.

Nëse nuk dëshironi ndryshime të mëdha, mund t’i shtoni këto nuanca përmes jastëkëve, mbulesave ose detajeve të tjera dekorative, transmeton Telegrafi.

2. Kompletet ku gjithçka përputhet

Një tjetër tendencë që po largohet është përdorimi i çarçafëve, jastëkëve dhe mbulesave në të njëjtën ngjyrë dhe stil.

Në vend që çdo element të jetë identik, dizajnerët sugjerojnë kombinimin e ngjyrave dhe modeleve të ndryshme.

“Njerëzit po kërkojnë gjithnjë e më shumë të krijojnë një pamje të çlirët dhe eklektike, duke kombinuar modele dhe ngjyra”, thotë Jay.

Kompletet identike do t’i përkasin së kaluarës. Sipas saj, një pamje më e kuruar krijohet kur çdo pjesë e shtratit zgjidhet me kujdes dhe kombinohet me pjesën tjetër të dhomës.

3. Tonet e errëta të tokës

Jeshilja e errët, ngjyra e tullës, e hurmës së pjekur dhe bluja e errët mund të duken si zgjedhje të mira për t’i dhënë ngrohtësi dhomës. Megjithatë, Jill Litner Kaplan, themeluese e Jill Litner Kaplan Interiors, këshillon të mos përdoren në shtrat.

Sipas saj, këto nuanca mund të duken “shumë të rënda, të zymta dhe sikur në dhomë të jetë vjeshtë çdo ditë”.

Nëse i pëlqeni ngjyrat e errëta, Kaplan sugjeron t’i përdorni në mure dhe të zgjidhni shtrat në nuanca më neutrale. Kështu, hapësira do të duket më e balancuar.

4. Modelet tepër të ngarkuara

Edhe kur bëhet fjalë për modelet, më pak mund të jetë më shumë. Motivet shumë të theksuara mund ta mbingarkojnë dhomën dhe ta bëjnë të duket e rrëmujshme.

Dizajnerët sugjerojnë modele më të thjeshta, klasike dhe të përmbajtura. Kaplan rekomandon gjithashtu përdorimin e një jastëku të gjatë dekorativ ose jastëkëve me motive që lidhen me ngjyrat e tjera të dhomës.

Në këtë mënyrë, elementet e ndryshme duken të harmonizuara dhe krijojnë një pamje më elegante.

5. Modelet tepër formale

Modelet që duken shumë formale mund ta bëjnë gjithashtu dhomën të duket e vjetëruar.

Nëse ju pëlqen stili vintage, nuk keni pse të hiqni dorë nga motivet klasike, si lulet apo kuadratet. Jay thotë se rëndësi ka mënyra se si i kombinoni.

Sekreti është që ato të duken si pjesë e një interieri modern dhe jo sikur kanë ardhur nga një epokë tjetër.


Këto motive po interpretohen në një mënyrë më moderne. Versionet e reja duken më të lehta dhe më të çlirta.

Në fund, nuk është e nevojshme të ndiqni çdo trend. Por nëse dëshironi një dhomë gjumi moderne dhe të kuruar, kombinimi i ngjyrave, modeleve dhe teksturave të ndryshme mund të jetë zgjedhje më aktuale sesa një komplet ku çdo gjë përputhet në mënyrë perfekte. /Telegrafi/