LAJMI I FUNDIT:

Nëna nga qielli ma zgjat dorën, më përkund e ma këndon një ninullë

Nëna nga qielli ma zgjat dorën, më përkund e ma këndon një ninullë
Foto: Fahredin Spahija

Është publikuar tema muzikore me titullin “Ninulla”, një realizim unik i miqve që e duan artin, pa përkulur. Se, ai që dëshiron të jetojë me dinjitet, nuk ka rrugë tjetër përveç të mbështetet në mur, e të pret të vdesë në këmbë si burrë. Dëgjojeni. Shikojeni. Dhe, reflektoni nga mesazhi i hedhur në eter e në fjalë.

Muzika dhe aranzhmani: Agron Shala; Vargjet: Xhevdet Bajraj; Miksi dhe postproduksioni: MV Muha; Fotografia: Fahredin Spahija
Pjesët e zërave të përpunuar janë marrë nga: “Këngë djepi” – incizuar nga A. L. Lloyd (1964); “Këngë fyti” – Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” (1974)

***

NINULLA


Poezia e shkruar ennkas për këtë temë nga: Xhevdet Bajraj

Në bregun e kësaj humnere
të mbushur deri në grykë me njerëz të dehur
me fruta të kalbura të jetës
e që duken si bagëti simpatike
që kanë nevojë për një goditje në kokë
sa për t’u korrigjuar shqisat e dëgjimit
dhe të pamurit
e shoh veten
fëmijë
që më shikon me kureshtje
nga bregu tjetër

Kthe kokën në anën tjetër i them
mos më shiko
mos më ndiq
Unë e ti
vetëm ditën e lindjes e kemi të njëjtë
dhe djepin
dhe ninullat që na i këndonte
e njëjta nënë
Unë e ti nuk jemi të njëjtë
as heronj të njëjtë nuk kemi
as dhimbje të njëjtë
as këngë të njëjtë për jetën

Dy herë nuk mund të futemi brenda të njëjtës lëkurë
lëkura e qingjit bëhet lëkurë e deles
lëkura e deles bëhet këpucë njeriu
këpucë njeriu që po e braktis atdheun

Ai
dukej shumë më i gjallë se unë
buzë kësaj grope të thellë
të kompromiseve të kalbura
të hipokrizisë
dhe të frikës
e unë
i lodhur së çjetuari
rreth gishtit tregues e rrotulloja
çelësin e shtëpisë së vdekjes
që ma kishte dhënë në dorë jeta
sepse tërë jetën e kisha paguar

Dashuria e hapi varrin e vet
hyri në të
dhe tash ajo gropë po rritet çdo ditë
po bëhet humnerë
brenda saj realiteti përpëlitet
si pulë pa kokë
që kurrë nuk pati mundësi
t’i përpëlitë krahët
brenda kafazit të vogël
sa ishte gjallë
Toka e prindërve të mi
gogësinë
dhe pahetueshëm
majmet

Kur Zoti
(një zot prej guri)
e sheh fytyrën e vet aty
në ujin e turbullt të lirisë prej guri
dridhet
mes ca kafshëve prej guri
në terr
qan

Është koha kur në Kosovë
i gjalli nuk mund të fle
pa hasur në ëndrra
pa ngrënë bukë
pa pirë
me të vdekurit
me nënën e tij

Ne kemi shumë më tepër heronj të gjallë
se sa të vdekur
që historinë
mund të fshijnë
me mëngë
si qurrat e veta

Ai që dëshiron të jetojë me dinjitet
i pa përkulur
i pa përulur
nuk ka rrugë tjetër
përveç të mbështetet në mur
e të pret të vdesë në këmbë si burrë

Duhet të vdesë gjysma ime
që të mund të jetojë
gjysma ime tjetër

Atij në anën tjetër të bregut të jetës
i afrohet nëna e re
Mua nga qielli ma zgjat dorën e saj
të ngrohtë si rreze dielli
po ajo nënë
më përkund
më përkund
më përkund
ma këndon një ninullë

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Keqinterpretimi i historisë: Mesjeta e errët, nuk ishte aq e errët!

Kulture
Kultura dhe globalizmi

Kultura dhe globalizmi

Kulture
3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Kulture
Kalo në kategori