LAJMI I FUNDIT:

Nëna e dy djemve të vrarë në Kosuriq, refuzon të japë përgjigje në gjykatë pa i treguar se përse ia vranë djemtë

Nëna e dy djemve të vrarë në Kosuriq, refuzon të japë përgjigje në gjykatë pa i treguar se përse ia vranë djemtë

Në gjykimin ndaj të akuzuarit Binak Panxha, nëna e dy djemve të ndjerë Ramiz e Arsim Berisha, e dëmtuara Shake Berisha, ka refuzuar të japë dëshminë e saj, në Gjykatën Themelore në Pejë, pa i treguar se përse ia kanë vrarë djemtë.

Një gjë të tillë, e dëmtuara e ka bërë pasi rasti ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllezërve Berisha, Binak Panxha është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.


E dëmtuara Berisha deklaroi se nuk mund të jepte dëshmi, derisa shteti nuk i kishte treguar asaj se përse i pandehuri kishte vrarë djemtë e saj.

“Nuk përgjigjem në pyetje pa më kallëzu se pse m’i ka vra. Ky s’e ka kry veprën vet”, tha e dëmtuara Berisha.

E dëmtuara gjatë seancës u përgjigj vetëm në një pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit Panxha, avokatit Besnik Berisha, ku ky i fundit kërkoi të dinte se kush ishte Gëzim Panxha.

Ajo tha se Gëzim Panxha ishte personi që ia kishte vrarë dy djemtë e saj të parë.

Duke qenë se e dëmtuara refuzoi të jepte përgjigje, avokati Berisha kërkoi që refuzimi i të dëmtuarës të japë deklaratë, të trajtohet si cenim i barazisë së armëve, për shkak të mungesës së ballafaqimit me pyetjet e mbrojtjes.

“Çfarëdo fakti që rëndon të pandehurin me deklaratën e dëmtuarës, të trajtohet në favor të pandehurit kur nuk kemi mundësi ballafaqimi”, shtoi Berisha.

Mirëpo, më pas avokati Berisha lexoi deklaratën e të dëmtuarës Shake, e cila në prokurori kishte thënë  se dy djemtë e saj ishin vrarë nga i pandehuri Binak, Valon dhe Xhavit Panxha, të shtyrë nga Gëzim Panxha, ku ky i fundit, në vitin 2006 kishte vrarë dy djemtë e parë të saj.

Ky deklarim sipas avokatit Berisha, e demantonte atë që Prokuroria e Pejës pretendonte në dispozitivin e aktakuzës së vrasja kishte ndodhur për shkak të prerjes së drunjve.

Sipas mbrojtjes, e dëmtuara po ashtu kishte theksuar se djemtë e saj kishin pasur mal të tyre.

“Ajo ka deklaruar se rreth orës 20:30 minuta, dy djemtë e mi Ramizi dhe Arsimi, së bashku me shokun e tyre Jetlirin janë nisur me dy kerre me ka një kali . Mua s’më kanë treguar se ku po shkojnë me pre dru”, lexoi avokati Berisha, deklaratën e të dëmtuarës dhënë në prokurori.

Mbrojtja theksoi se e dëmtuara Shake e kishte përmendur në Prokurori se dëshmitari  Jetlir para se të niset me tani të ndjerët në mal, kishte bërë një telefonatë.

“Nga shtëpia e të ndjerëve para se me shku në mal, Jetliri e bën një telefonatë dhe nuk dihet me kënd, por këtë e ka deklaruar e dëmtuara në prokurori”, shtoi Berisha.

E për këtë dëshmitar, avokati Besnik Berisha në fjalën hyrëse tha se i njëjti duhej të mbahej përgjegjës, pasi sipas tij, dëshmitari Jetlir kishe qenë pjesë e asaj çfarë iu kishte ndodhur vëllezërve Berisha.

“Për bindjen time, ka qenë pjesë e asaj që me të vërtetë ka ndodhur me vëllezërit Berisha, e ka ditë dhe e di kush kanë qenë agresorët, i ka çu në pritë ose së paku e ka ditë për priten dhe pas ekzekutimit të tyre ka vrapuar drejt shtëpisë së tyre, për të shfajësuar veten dhe për të luajtur rolin e ekspertit “, tha avokati Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti shtoi se për këtë krim makabër që iu kishte ndodhur të ndjerëve, nuk ekzistonte asnjë provë e vetme që të mbrojturin e tij, Binak Panxha e bënte fajtor.

“Vrasësit e vëllezërve Berisha sot janë në liri”, shtoi avokati Berisha.

Ai shtoi se kishte vetëm një kërkesë për gjykatën, që kjo e fundit t’ia zëvendësonte të të akuzuarit Panxha masën e paraburgimit me arrest shtëpiak, siç kishte qëndruar në gjykimin e kaluar para se të shpallej fajtor.

“Asnjëherë nuk do të ikë apo fshehet dhe se jeni të bindur dhe nëse marr vesh në këtë punë, kjo gjykatë do të lirojë nga kjo aktakuzë, sepse ky nuk është kryesi e as direkt e as indirekt në një krim që e dënon edhe vet”, tha Berisha.

Zëvendësimin e masës e kundërshtoi prokurori Agron Galani, ndërsa në lidhje me këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, tha se do të vendos jashtë seance.

Ndryshe, gjykatësi Sharraxhiu njoftoi se kryetari i Gjykatës së Pejës kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit, për përjashtimin e gjykatësit Sharraxhiu dhe anëtares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Seancat e radhës u caktuan më 22 prill dhe 25 maj 2022.

Ndryshe, me 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit, me 23 vite burgim efektiv, e kishte gjykuar të akuzuarin Binak Panxha për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Ramiz e Arsim Berisha në pyllin e familjes Panxha.

Gjykata e Apelit e mori këtë vendim, pasi ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit të angazhuar në shkallën e dytë, avokatit Besnik Berisha, por edhe sipas detyrës zyrtare ka gjetur se vendimi gjyqësor ishte i përfshirë në shkelje procedurale.

Ndryshe, më 16 shkurt 2021, Panxha është gjykuar me 23 vite burgim efektiv. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, në dënimin e të akuzuarit llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Aktakuza e ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Binak Panxhën se më 21 korrik 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të akuzuarit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drunj në pyllin e të akuzuarit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga nenit 179, par.1, lidhur me pikën 1.11 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënmi me burgim jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Pahor paraqet interes për të drejtuar dialogun Kosovë-Serbi, a do të zgjidhet ai si zëvendësuesi i Lajçakut?

Pahor paraqet interes për të drejtuar dialogun Kosovë-Serbi, a do të zgjidhet ai si zëvendësuesi i Lajçakut?

Jehona Hulaj
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Kalo në kategori