"Nëna e denoncoi të birin", detaje të reja rreth vrasjes së trefishtë në Mal të Zi - dy viktima dhe vrasësi nga Rozhaja

Drejtori i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Rozhajë të Malit të Zi, Aldin Kalaq, ka deklaruar për CdM se nëna e Vehid Muriqit (25), i dyshuar për vrasjen e trefishtë në lagjen “Stari Aerodrom” në Podgoricë, ka thirrur policinë pasi i biri i kishte pranuar krimin.
“Ai i ka thënë nënës se i ka njollosur duart me gjak dhe ka dalë nga shtëpia. Ajo pas një kohe e ka raportuar këtë në polici”, ka thënë Kalaq për CdM.
Kalaq thekson se nuk janë të sakta pretendimet e disa mediave se Vehid Muriqi është raportuar për dhunë në familje.
“Nëna nuk ka raportuar asnjë dhunë ndaj saj”, ka theksuar Kalaq, shkruan rtcg.
Drejtoria e Policisë ka njoftuar se, në koordinim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, po ndërmerr masa intensive për lokalizimin e Vehid Muriqit, duke bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me informacione.
“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Policisë janë vënë në funksion për lokalizimin dhe arrestimin e tij, dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë. Nëse kanë ndonjë të dhënë për këtë person, të lajmërojnë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 122, dhe nëse ndodhen në të njëjtin ambient me të, të jenë të kujdesshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në rrugën Kozaraçka të lagjen “Stari Aerodrom” gjatë natës janë vrarë tre persona, ndërsa policia po e kërkon intensivisht të dyshuarin, për të cilin besohet se pas mosmarrëveshjeve personale ka kryer krimin.
Sipas informacioneve fillestare nga vendi i ngjarjes, krimi dyshohet se është kryer me përdorimin e armës së ftohtë. /Telegrafi/





















































