Në zonën 50 voziti me shpejtësi 112 km/h, gjobitet me 300 euro, 3 pikë negative dhe suspendim të patentë shoferit për 6 muaj

Policia e Kosovës ka ndaluar 21-vjeçaren me iniciale S.H., pasi është kapur duke vozitur me shpejtësi 112 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar i shpejtësisë është 50 km/h.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.
Kështu thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Ferizajt, në të cilin tregohen edhe masat që janë marrë ndaj 21-vjeçares.
“Për këtë kundërvajtje, ndaj saj është shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 eurosh, janë dhënë 3 pikë negative, si dhe është caktuar masa mbrojtëse e ndalimit të patentë shoferit për një periudhë prej 6 muajsh, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”- thuhet në njoftim.
Më tej, Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë.
Po ashtu, Policia inkurajon qytetarët të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat e emergjencës: 192, 0290/326-250, 0290/322-406.




















































