LAJMI I FUNDIT:

Në Ukrainë kjo verë do të thotë gjak dhe sirena – por peshkimi dhe teatri vazhdojnë

Në Ukrainë kjo verë do të thotë gjak dhe sirena – por peshkimi dhe teatri vazhdojnë
Andrey Kurkov

Nga: Andrey Kurkov, shkrimtar ukrainas / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Qyteti i Kremençukut kërkon gjak. Javën e kaluar, dy raketa ruse shkatërruan një qendër të madhe tregtare dhe zbavitëse ku rreth një mijë njerëz e kalonin pasditen. Ende nuk dihet numri i saktë i të vrarëve, por qindra persona ishin në epiqendrën e shpërthimit dhe disave prej tyre nuk u kanë mbetur as copat. Megjithatë, dihet numri i të plagosurve. Të mbijetuarit mbetën pa krahë, pa këmbë. Dhe, ata kanë nevojë për gjak.


Kjo tragjedi i ka dhënë shtysë të re përpjekjeve për dhurimin e gjakut. Gjaku nevojitet kudo në Ukrainë – kudo ku shpërthejnë raketat dhe predhat ruse, kudo ku prej vijave të frontit dërgohen ushtarët e plagosur.

Në Lviv ata janë duke pritur për gjak në spitalin ushtarak që ndodhet në një rrugë me emrin e shkrimtarit rus Anton Chekhov, si dhe në spitalin rajonal në një rrugë me emrin e shkrimtarit rus Leo Tolstoy.

Valët e urrejtjes po e përfshijnë Ukrainën dhe po i shtyjnë ukrainasit të kërkojnë armiq të brendshëm. Kërkojnë hakmarrje. Ekzistojnë shumë armiq të vërtetë të brendshëm. Dikush me sa duket i ndau me ushtrinë ruse koordinatat e qendrave të stërvitjes ushtarake të ukrainasve, dhe kazermat u shkatërruan nga raketat.

Dikush përhap propagandë pro-ruse në korridoret ukrainase të internetit. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë po shfaqet mosbesimi, e ndonjëherë edhe urrejtja ndaj autorëve dhe intelektualëve rusishtfolës të cilët tani duhet të tregohen tre herë më patriotë se homologët e tyre që flasin ukrainisht. Dhe, as kjo nuk i shpëton prej akuzave se janë ata që janë fajtorë për luftën sepse po flasin, po mendojnë dhe po shkruajnë në rusisht. Është në karakterin e tyre.

Pavarësisht vrullit të të rinjve ukrainas dhe kërkesës zyrtare të Ukrainës që vendet tjera ta bojkotojnë kulturën ruse, ukrainasit e moshuar mbesin konservatorë dhe nuk duan të shkojnë aq larg. Ata në heshtje e kundërshtojnë bojkotin total të kulturës ruse. Një miku ynë që është adhurues i operës, ka qarë nga ideja se nuk do të mund ta dëgjojë më “Eugjen Onjeginin” në teatrin e operës së Kievit.

Ukrainasit që flasin rusisht pothuajse janë mësuar me këto akuza të vazhdueshme, ashtu siç vendi është pothuajse i mësuar me luftën. Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë mësuar me shpërthimet e raketave nëpër qytete, por jemi mësuar me idenë se kjo luftë do të zgjasë shumë.

“Ekspertët” vazhdimisht e parashikojnë datën e përfundimit të luftës. Disa prej tyre thonë shtator. Presidenti Volodymyr Zelenskiy thotë se lufta do të përfundojë para fillimit të ngricave – para dimrit. Politikanët tjerë mendojnë se më e mundshme është pranvera e vitit 2023.

Familjarët e të burgosurve ukrainas të luftës, zëshëm dhe në mënyrë shumë publike kërkojnë shkëmbim të hershëm të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që një proces tjetër po vazhdon në heshtje dhe jo publikisht: shkëmbimi i të vdekurve.

Thuhet se trupat do të shkëmbehen një me një – një ushtar ukrainas i vdekur për një ushtar të vdekur rus. Në përpjekjen për të marrë sa më shumë trupa, rusët përdorin marifete. Thuhet se kufomat e civilëve të vdekur i kanë futur në thasë të zinj. Si rezultat, puna me çanta fillon me një proces të përgjithshëm të renditjes. Përpunohen edhe mbetjet “civile”, por kjo është çështje më e gjatë dhe më e ndërlikuar, sepse nuk dihet se prej nga i sollën rusët ato mbetje. Mbahen për disa kohë në frigoriferin e morgut dhe më pas transferohen në morgjet tjera rajonale – për identifikimin e mëtejshëm dhe për kërkimin e të afërmve.

Nuk e di se ku bëhet ky shkëmbim, por është diku afër vijës së frontit. Një kamion-frigorifer me numrin “200” në xhamin e përparmë, rregullisht mbërrin në morgun rajonal në Rrugën “Oranzhereinaja” pranë kopshtit botanik të Kievit. “200” – kështu emërtohen të vdekurit në terminologjinë ushtarake. Ushtarët shoqërues i sjellin në morg çantat e zeza me eshtrat e të vdekurve. Patologët punojnë me këto mbetje.

Detyra kryesore është të përpiqemi t’i zbulojmë të dhënat e ushtarit, në mënyrë që t’i bartim te të afërmit eshtrat e tyre për varrim. Nëse i ndjeri kishte tatuazhe, kjo është shumë më e lehtë për t’u bërë. Por, çantat e zeza nuk e përmbajnë gjithmonë gjithë trupin e ushtarit. Shpesh ka vetëm kocka dhe kafkë, ndonjëherë copa të një trupi. Të afërmit e të zhdukurve e dhurojnë ADN-në e tyre për ta bërë më të lehtë dhe më të shpejtë gjetjen e të dashurve të tyre të vdekur.

Vazhdimisht rritet baza e të dhënave të ADN-së së ukrainasve, të afërmit e të cilëve janë zhdukur në luftë. Secili që të hënën e kaluar ishte pranë qendrës së shpërthimit në Kremençuk, është tërësisht i zhdukur; asgjë nuk ka mbetur. Asnjë gjurmë apo copë. Ai ose ajo është zhdukur përgjithmonë. Nuk e dimë saktësisht se sa janë. ADN-ja nuk do të ndihmojë.

Derisa banorët e qytetit dhuruan gjak për të plagosurit, autoritetet lokale shpallën tri ditë zie për të vdekurit. Në kohën e zisë zakonisht nuk ka ngjarje argëtuese, koncerte dhe shfaqje cirku, por për një kohë të gjatë nuk mund të paramendoj se banorët e Kremençukut do të bëjnë plane për zbavitje. Edhe tash, një nga argëtimet më të njohura për ukrainasit mbetet peshkimi. Peshkimi nuk është i ndaluar gjatë zisë. Periudhat e zisë mund të shpallen në dhjetëra qytete dhe qyteza në Ukrainë – pas granatimeve dhe masakrave të qytetarëve ukrainas nga ushtria ruse.

Por, duket e çuditshme të mbash zi në mes të luftës. Në fund të fundit, pas përfundimit të periudhës së zisë, jeta rëndomë duhet t’i kthehet normalitetit. Komeditë mund të shfaqen sërish në TV, teatrot dhe cirqet mund t’i hapin dyert e veta. Tani ka vetëm një kanal televiziv lajmesh në Ukrainë që i bashkon të gjitha kanalet televizive ekzistuese të lajmeve.

Në disa qytete është e mundur të shkosh në teatër, por nuk ka asnjë garanci nëse sirena që njofton për sulmin ajror nuk do ta ndërpresë shfaqjen. Sigurisht, do të ishte më mirë nëse ndonjë performancë e fuqishme e dramatike do ta pengonte luftën. Ose edhe ta ndalte fare. Por, mjerisht, drama e një lufte të vërtetë mbetet gjë e pandalshme. Regjisori dhe producenti i luftës, Vladimir Putini, dëshiron të derdhë sa më shumë gjak ukrainas. /Telegrafi/