Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar pritjen e fundvitit, ku ka numëruar sukseset e Qeverisë që ai e drejton, duke përmendur sukseset, sfidat, dhimbjet, krenarinë dhe mësimet në qeverisjen e tij.

Në, një postim në Facebook, Haradinaj ka folur edhe për dorëheqjen e tij, duke thënë “dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit”.


Postimi i plotë i Haradinajt:“Në pritjen e fundvitit të organizuar nga Zyra e Kryeministrit përmbyllëm një vit me suksese, sfida, e dhimbje. Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit. ➢ Sukseset: 1. Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs; 2. Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime; 3. Investitori i parë strategjik SOËI + Parku ITP – me Gjermaninë; 4. Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit; 5. Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë. ➢ Sfidat 1. Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE; 2. Rikthimi i dialogut në binarë - dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale; 3. Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë. 4. Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj. ➢ Dhimbje: 1. Tërmeti në Shqipëri na goditi të gjithëve pa dallim. 2. Sulmet terroriste anembanë botës e qytetarëve të lirë i përjetuam rëndë. Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve dhe aleancës globale kundër terrorizmit. ➢ Krenari: 1. Sukseset e rinisë së Kosovës në sport e kulturë kanë mahnitur botën. ➢ Mësimet nga ky vit: 1. Kur jemi unik jemi më të fortë – bashkë në tema nacionale. 2. Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin. Ju uroj festat e fundvitit! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e Bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/