LAJMI I FUNDIT:

Në prehrin e Ramës ka vend për dy B-të e PD-së

Në prehrin e Ramës ka vend për dy B-të e PD-së
Ilustrim

Basha: “Rama e Berisha, dy vëllezër siamezë!”.

Berisha: “Binomi i pandashëm Rama-Basha!”.

Edhe kryetari, edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, të shtunën në mbrëmje arritën kulmin në përpjekjet e tyre për të strehuar tjetrin në prehrin e Ramës.

Vetë Rama, një ditë më pas, tentoi të distancojë nga të dy prehrin e tij, duke i konsideruar kaq të padobishëm tashmë për veten, sa nuk ju drejtua as njërit dhe as tjetrit, por demokratëve. Pra, njerëzve që kanë votuar kundër tij dhe që sot e shohin atë të vizatuar nga vetë drejtuesit e tyre, si padron të shefave të PD-së.

E shtuna nuk ishte pika që derdhi gotën e mbushur me urrejtje. Dhuna e të shtunës thërrmoi gotën e demokratëve dhe ju shpjegoi qartësisht, mes mjegullës së fikëseve të zjarrit të Bashës, vareve të Berishës dhe gazit lotsjellës të policisë, se partia e tyre është peng i dy individëve. Nuk mjafton as një mbidozë idealizmi apo naiviteti, nuk mjafton as një egoizëm ekstrem interesash, për të mos dalluar këtë të vërtetë të thjeshtë që nuk e mbulon dot as lakuriqësia e dy mbretërve egoistë të PD-së.

Njëri Piter Pan i parritur i politikës, të shtunën në mbrëmje dëshmoi se nuk kishte kuptuar asgjë nga gjithë kalvari ku po tërheq partinë dhe më shumë akoma, interesat e gjithë vendit, për hir të vulës që mban në xhep. Lulzim Basha u shfaq krenar që kishte mbrojtur muret e selisë dhe mbase ju duk vetja strateg që kalaja e tij i la shkallëve sulmuesit.

Tjetri Oso Kukë i epilogëve të përsëritur me hedhje në erë dhe rifillim sërish nga e para, kujtoi edhe njëherë shprehjen e famshme të një kohe në të cilën vazhdon të jetojë paprerë: Nuk ka kala që nuk e marrin komunistët!

Profesionistë në mbrojtje dhe në sulm, shkopistët dhe zjarrfikësit e Bashës dhe po aq profesionistë në sulm, xhenierët e gurëhedhësit e Berishës, u dëshmuan llahtarisht amatorë në politikë. Ata refuzuan të pranojnë atë që e shmangën që në krye të herës kur nisën të ndeshen me njëri-tjetrin duke thënë tjetër gjë nga ajo që mendonin dhe duke bërë tjetër gjë nga ajo që duhej bërë: shkëmbyen shikimin sy më sy me gazin lotsjellës!

Ka vetëm një zgjidhje, e cila sa më vonë të jepet, aq më keq do të jetë për të gjithë. Dhe kjo zgjidhje kalon absolutisht mes votës. Sa kohë që zgjedhjet e parakohshme janë një ushtrim demokracie edhe për vetë qeverisjen e vendit, rikonfirmimi i legjitimitetit moral dhe politik i institucionit të kryetarit të një partie, është nevojë ulëritëse për PD-në. Edhe versioni më i keq i mundshëm, konkurrimi mes Bashës dhe Berishës, do të ishte shumë herë më i mirë se përpjekjet kriminale për të ruajtur status quo-në e tanishme: paqe derisa të rifillojë lufta që nuk mbaron! PD ka nevojë të dalë nga tuneli, fillimisht me aktin që pritet nga Basha, dorëheqje dhe krijimin e një grupi të përbashkët pune që të përgatisë zgjedhjet për kryetarin e partisë. Nëse ecet në këtë fill të tendosur të logjikës ka ende shpresë që të shmanget autostrada e gjerë e vetëshkatërrimit të partisë, ku me një lehtësi të papërballueshme po ecin të gjithë. Ky është leksioni i vetëm që mund të jepte ajo shfaqje groteske e të shtunës, që i rrëfeu syve të publikut një parti që e kishte nisur me “Rama Ik!” dhe po vazhdon drejt humnerës me duetin “Basha/Berisha Ik!”.

Të shtunën, të dy palët deklaruan fitoren duke pretenduar secila viktimizimin e vetes dhe afërsinë e tjetrit me Edi Ramën. Në fakt të shtunën humbën të gjithë. Humbi Partia Demokratike, i humbur është jo vetëm populli opozitar që sheh si tkurret një pronë jashtëzakonisht e rëndësishme publike si PD-ja, por edhe gjithë shoqëria shqiptare që sheh disekuilibrimin e skenës politike. I humbur është dhe vetë Edi Rama që të gjithë e shpallin fitues të padiskutueshëm nga absurdi në PD.

Një opozitë e dobët dhe e shkërmoqur nuk e bën mazhorancën me të fortë, përkundrazi. Ajo krijon kushtet që ta bëjë atë  më arrogante, më të ashpër, më të papërgjegjshme dhe më të pandëshkueshme, por në thelb, e bën autore të një qeverisjeje më të keqe. Dhëntë Zoti që këtë të vërtetë ta ketë kuptuar edhe Edi Rama, për të cilin tani edhe kritikët e tij më të egër thonë se ka lindur jo me këmishë si fatlumët e rrallë të kësaj bote, por me një gardërobë të tërë, të qepur nga dy rrobaqepësit e trazuar të PD-së. Një shenjë e dha. Edhe pse në prehrin e tij ka vend për të dy, i refuzoi dy B-të e PD-së; ata mund ta ndihmojnë për të ruajtur edhe më gjatë pushtetin e tij, por janë rrënues të nevojës dëshpëruese për të ndërtuar shtetin e të gjithëve.