Në Podujevë nis ndërtimi i Parkut Bujqësor

Komuna e Podujevës ka nisur sot ndërtimin e Parkut Bujqësor në fshatin Sfeçël, një projekt unik në nivel vendi që synon modernizimin dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, përcjell Telegrafi.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, deputetë, drejtorë e zyrtarë komunalë, si dhe banorë të zonës.
Ky projekt, me vlerë prej 1.4 milionë euro, pritet të shndërrojë Sfeçlën në një qendër të re të inovacionit bujqësor. Parku do të shtrihet në një sipërfaqe prej 6 hektarësh dhe do të përfshijë serra të madhësive të ndryshme për kultivimin e kulturave bujqësore, duke krijuar kushte të përshtatshme për prodhim, zhvillim dhe trajnime profesionale.
Kryetari Shpejtim Bulliqi tha se ky është një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik të komunës:
“Ky park bujqësor do të krijojë kushte moderne për kultivim dhe inovacion në bujqësi. Synimi ynë është që Podujeva të bëhet shembull i zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe i përkrahjes për fermerët tanë.”
Ai falënderoi gjithashtu Organizatën “Qatar Charity”, e cila ka financuar hartimin e projektit, duke theksuar se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Ky investim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë lokale dhe rritjes së prodhimit vendor në komunën e Podujevës. /Telegrafi/


















































