LAJMI I FUNDIT:

Në Pejë dje ranë 67 mm shi në metër katror

Në Pejë dje ranë 67 mm shi në metër katror

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se dje në Kosovë, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, shumëkund pati vërshime. Por, këto ajo i konsideron si pasojë të infrastrukturës së papërshtatshme.

Sipas raportit të IHMK-së më së shumti të reshura shiu u regjistruan në Pejë – 67 mm për metër katror, ndërsa më së paku në Podujevë, 22 mm për metër katror.


“Këto sasi të reshjeve të regjistruara ditën e djeshme nuk janë shqetësuese pavarësisht se patë vërshime në shumë vende të Kosovës. Sipas statistikave që posedon IHMK , ka pasur ditë kur janë regjistruara  deri  84 mm brenda ditës ( 21.09.2011). Këto vërshime janë pasojë e infrastrukturës së dobët që ka pothuaj gjithë vendi . Prishja e shtratit të lumenjve dhe prerja e pyjeve në të kaluarën nga faktori njeri  e ka sjellë këtë situatë e cila do të na përcjellë edhe më tutje”, thuhet në njoftim.

Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka sqaruar për Telegrafin se reshjet e shiut të cilat kanë qenë dje mbi qytetin e Pejës (67mm), janë regjistruar edhe më herët në këtë komunë.

Sipas tij, arsyet pse kanë ndodhur vërshime nuk kanë të bëjnë më reshjet e shiut, por me problemet e mëdha infrastrukturore.

“ Jemi në stinën e dimrit dhe duhet pasur parasysh se kalimi nga dimri në pranverë nuk bëhet përnjëherë dhe në mënyrë të prerë.  Gjatë këtyre ditëve të fundit të dimrit, moti është i paqëndrueshëm. Ditët e ngrohta që ishin më herët zëvendësohen me ditë të ftohta  me reshje ,erëra dhe me ngrica të lehta të cilat mund të jenë jo të mirëseardhura për  kulturat bujqësore e sidomos për pemëtari,  meqë shumë prej tyre janë në fazën e lulëzimit. Ky mot jostabilë mund të vazhdoj deri në fillim të prillit, kuptohet do të ketë edhe ditë  me diell, sidomos pas 20 apo 21 marsit , por duhet pasur parasysh se muaj i mars edhe në të kaluarën ka qenë jostabilë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

4