LAJMI I FUNDIT:

Në orkestrën e Parisit, përkrah kolosëve të muzikës klasike

Në orkestrën e Parisit, përkrah kolosëve të muzikës klasike

Tingujt e muzikës projektonin ëndrrat e tij, që në fëmijërinë e hershme. Frymëzimin dhe motivimin, si violonçelist i ardhshëm, djaloshi vlonjat Vlorent Xhafaj, i gjente tek të afërmit që në takimet me qytetërime të zhvilluara ishin ‘dashuruar’ me muzikën klasike.

“Unë kam nisur të merrem me violonçelin që në moshën gjashtë vjeçe. Kam nis fillimisht në shkollën e muzikës ‘Naim Frashëri’ në Vlorë. Kam hyrë rastësisht, edhe pse është relativisht e rrallë që të nisësh me këtë instrument që fëmijë. Ishte një dëshirë e gjyshit tim, i cili ka qenë regjisor në Teatrin ‘Petro Marko’ të Vlorës”, rrëfen Xhafaj.


Në Lice do të dëgjonte për studentët e parë të violonçelit. Po aq frymëzues, do të qenë për të pedagogët që e përçuan në breza këtë instrument, siç qe edhe profesori i tij Gjovalin Lazri, që i dedikoi jetën këtij profesioni për më shumë se 40 vite me radhë.

Dhe, s’do kalonte gjatë, derisa Franca u bë për të ëndërr e prekshme, pikërisht në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Baletit në Lion. Një trampolinë që do ta çonte mandej në orkestrat më të mira të botës, duke interpretuar krahas emrave të mëdhenj të muzikës klasike.

“Kujtoj se kur është bërë konkursi ‘Këngët e tokës’, edicioni i parë me ideator Limoz Dizdarin, profesori im Gjovalin Lazri më shtyu të merrja pjesë në të. Bëra një koncert në sallën e Akademisë së Arteve (sot UA) në moshën 16 vjeçe. E regjistrova dhe e dërgova në shkollën franceze, ku edhe më pranuan. Pasi shkova në Ambasadën franceze, përfundova në Paris, edhe se nuk dija frëngjisht”, shprehet Xhafaj, i cili që prej moshës 16-vjeçare frekuentonte koncertet e artistëve të njohur të orkestrës së Parisit, ndërsa tani luan përkrah tyre.

“Kjo është një ëndërr e realizuar. Nuk e di se si ka ardhur, por duhet të jetë nga puna graduale në kohë, që ka bërë që njerëzit të kenë besim tek unë”. /Shqiptarja/