LAJMI I FUNDIT:

Në odën e Jasharëve, më 24 janar 1998: “Dihet se si na zë nata, por nuk dihet se si dhe a do të na çelë sabahi”!

Në odën e Jasharëve, më 24 janar 1998: “Dihet se si na zë nata, por nuk dihet se si dhe a do të na çelë sabahi”!
Shaban Jashari, më 27 janar 1998 (pamje e përpunuar nga Telegrafi, marrë nga një reportazh i një televizioni gjerman, realizuar pas sulmit të 22 janarit 1998)

Nga: Agim Zogaj, Besa Ilazi dhe Hazir Reka (botuar në Javorën Politike Shqiptare “Zëri”, më 30 janar 1998)

Plaku e fillon rrëfimin e vet me fjalët: “S’po bahet, veç mos me metë gjallë hiq. Na askujt kurrgja nuk i kemi ba, por na po i pengojmë dikujt vetëm se jemi gjallë … Jemi në tokat tona, prej këtu s’kemi kah shkojmë. Po donë me na hjekë në mujshin, po ne nuk kemi ku me shku. Shka me bo. Druni s’po na shkoqet, zullumi s’po na hjeket. Dikush e ban, dikush s’mun e ban” – thotë mixha Shaban.


Mëngjes i ftohtë ishte ai kur morëm rrugën për në Drenicë. Rrugëtimi deri në Skënderaj nuk pati asgjë të pazakonshme, nëse për një moment harrohet atmosfera e rëndë e cila pa sukses përpiqej të fshihej pas qetësisë së rrejshme. Dita e 24 janarit ishte dita e parë e të pamës në familjen e të vrarit Hysen Manxholli.

Në Skënderaj autoblinda e policisë në qendër të qytezës dëshmonte për gjendjen e rëndë në këtë pjesë të Kosovës.

Në odën e jasharajve

“Ku është Prekazi i Poshtëm?” – pyetëm. “Në Drenicë, në zemër të Kosovës, në verilindje të Skënderajt, vetëm dy kilometra larg prej këtu …”, na tha shoqëruesi ynë i cili mundohej të na i sqaronte disa gjëra që nuk i dinim. Shumë shpejt u gjetëm para shtëpive të Jasharajve, e biseda na mbeti në gjysmë. Ky ishte Prekazi i Tahir Mehës, e tash ky është Prekazi i Shaban Jasharit, fshat jo i vogël që numëron rreth 400 shtëpi. Dyert e mëdha të shtëpisë së Jasharajve ishin skaj rrugës, e para tyre prisnin një grup djelmoshash të cilët i orientonin mysafirët. Drejt kësaj shtëpie mësynin nga të gjitha anët, shkonin për ta takuar mixhën Shaban, kryefamiljarin e shtëpisë, i cili dy ditë më parë ishte ballafaquar me policinë serbe. Na pranuan edhe neve në odën e Shaban Murat Jasharit, zotit të shtëpisë.

Në odën e madhe, të mbushur përplot me bashkëfshatarë, miq, dashamirë e farefis të familjes Jashari, mixha Shaban qëndronte i ulur në krye të oxhakut. Oda do të ishte krejtësisht e zakonshme po të mos e kishte në ballë një flamur kombëtar të shtrirë të tërin në një anë të murit të odës dhe mbi të një mbishkrim i veçantë që thoshte: Mos e lejoni malin me dushk që t’ju ndryshkë allti e pushkë!

“Ishe ba i fortë si graniti, o Shaban. Zoti ua pagoftë!” – i thoshin të afërmit. Disa e pyesnin: “A u mërzite, o Shaban Murati?” “Jo, jo, aspak. Pse m’u mërzit?” – ua kthente plaku. “Shaban Jashari” – foli një plak – “e mbrojti nderin e familjes së vet, e mbrojti ashtu si e mbron shqiptari pragun e shtëpisë”. “Si nuk mendohet kjo Serbi – tha dikush nga fundi i odës – kur një ditë mashtron duke thënë se u sulmua stacioni i policisë, e ditën tjetër thotë se shqiptarët u përleshën mes veti”.

Shaban Jashari, 71-vjeçar, me urtinë e vet, më me dëshirë i dëgjonte mysafirët e odës, megjithatë, dikush i kërkoi që t’i thotë dy fjalë.

“Nuk i kam shti mendët, thotë, se do të shpëtojë dikush nga familja ime atë mëngjes. Natën na e kishin këput rrymën e lidhjet telefonike. E, pastaj, krejtësisht tinza në pesë të mëngjesit na kishin sulmue nga të gjitha anët”. “Jo”, vazhdoi, “nuk kam ku të shkoj përtej pragut të shtëpisë sime. Do të vdesim të gjithë, i madh e i vogël në mbrojtje të dheut tonë, të nderit e të kombit. Do të vdesim të gjithë për një, se përtej vdekjes për vatan nuk kemi ku të shkojmë, ndryshe as zoti nuk na pranon”.

Njerëzit hynin e dilnin në odën e Shabanit duke ia shtrënguar dorën e duke ia rrahur supet, me qindra pa pushuar tërë ditën. E, ai nuk lodhej, fliste. Mixha Shaban gjeti pak kohë edhe për ne, edhe pse u detyrua kështu t’i lërë mysafirët vetëm.

Sulmi i 22 janarit ndaj kësaj familje nuk ishte i pari. Kjo familje, e cila që kur dihet kishte pasur probleme me pushtetin serb, ka historinë e saj.

Tri lagje të një fshati të cilin e di tërë Kosova

Plaku e fillon rrëfimin e vet me fjalët: “S’po bahet, veç mos me metë gjallë hiç. Na askujt kurrgja nuk i kemi ba, por na po i pengojmë dikujt vetëm se jemi gjallë … Jemi në toka tona, prej këtu s’kemi kah shkojmë. Po donë me na hjekë në mujshin, po ne nuk kemi ku me shku. Përtej shtëpisë s’kemi ku me shku …”.

Fjalët e plakut ndërpreheshin nga krismat e tjegullave që binin nga kulmi e të cilat bashkëfshatarët vullnetarisht kishin ardhur për t’ia meremetuar shtëpinë e shkatërruar nga predhat dhe plumbat.

“Ne jemi të Prekazit të Poshtëm, Prekazit të Tahir Mehës, është fshat prej tri lagjeve, që të gjithë jemi të një gjaku. Kanë qenë tre vëllezër, Jashari, Meha dhe Kadriu, e prej tyre janë krijuar tri lagjet e katundit: Lagjja Jasharaj, Mehaj dhe Kodrali. Lagjja Jasharaj jemi ne. Tre djem i kishte pasur Jashari. Familja ime është e të tretit djalë të Jasharit, e Muratit. Muratin e kishin pasë thirrë atëherë për të shkuar ushtar për mbretin dhe prej atje nuk kthehet kurrë. Murati e kishte pasë lënë një djalë e një çikë. Çikën dy vjeç e djalin në djep. Djalin e Muratit, Fazliun, e rrit mixha, e marton dhe e ndan. Edhe Fazlia e len vetëm një djalë, Muratin. Ky është babai im. E unë i kam tre djem, Rifatin 50-vjeçar, Hamzën 47-vjeçar dhe Ademin 44-vjeçar. Tash, shyqyr Zotit, kam shumë nipa dhe mbesa, sepse vetëm ne Jasharët jemi një shtëpi, se ata të dy lagjeve tjera, Kodralitë dhe Mehajt, janë shtuar nga 30 shtëpi. Po tash jemi bërë 30 anëtarë të familjes. Rifati i ka tetë fëmijë, Hamza nëntë dhe Ademi pesë”, thotë plaku.

Familja e Jasharajve ka qenë e ndjekur që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjatë luftës, Shaban Jashari iu bashkëngjit Shaban Polluzhës dhe me të ka qenë deri në fund. “Cili s’ka qenë atëherë në Drenicë luftëtar i Shaban Polluzhës. Më kujtohet se, pos me serbët, kemi pasur probleme edhe me vetë shqiptarët, me partizanët edhe me ata të Shqipërisë. Ka pasë ardhur këtu një brigadë nga Tropoja, e Mal Sadikut. Oda jonë u pat bërë konak dy ballistëve të një fshati afër, të Krushevcit. Kur merret vesh se po vjen brigada e Shqipërisë, mysafirët dalin prej shtëpie, sepse e dinin se nëse i zënë, do t’i pushkatonin menjëherë. Vjen Mal Sadiku dhe e nxjerr babën dhe mua te gardhi për të na pushkatuar. Mirëpo, shpëtojmë kur një milic vullnetar që ishin atëherë garanton se ata dy nuk kanë dalë prej shtëpisë sonë dhe na lirojnë …”!

Mësuesi i parë i fshatit

“Pas përfundimit të luftës kam shkuar ushtar prej vitit 1947 e deri në vitin 1949. Pas shërbimit ushtarak më kanë vendosur mësues dhe kam punuar katër vjet, prej vitit 1949 deri më 1952 nëpër fshatrat e Drenicës. Kam qenë mësuesi i parë në Prekaz. Kam punuar edhe në fshatrat tjera, në Terdevc, Lubovc. E kam pasur një certifikatë të nënshkruar prej Mehmet Gjevorit dhe Kolë Shirokës. Kam ditur shkrim-lexim shqip edhe para luftës. Pata mësuar te një hoxhë i Mitrovicës, në mejtep, tri vjet e edhe në Rezallë më ka mësuar një nxënës më i vjetër, Bajram Gashi, që e kemi pasur edhe nip tonin, prej abetareve të cilat atë kohë ishin të ndaluara. Për mësues u kualifikova në Gjakovë e në Prizren, ku mbajta kurse pedagogjike. Edhe certifikatën për mësues e kam të lëshuar në Prizren”.

Mirëpo, Shabani si mësues punoi shumë pak, sepse pas katër vjetësh e largojnë si të “papërshtatshëm”.

“Si u bë të më largojnë nga shkolla dhe të më burgosin? Dervish Kopriva, atë kohë, pra viteve të ‘50-ta, jetonte si kaçak maleve të Drenicës. Pat rënë në kontakt edhe me mua, më nderonte si mësues dhe si njeri autoritativ të asaj ane. Kur e zënë Dervishin, në një bllok të tij e gjejnë edhe emrin tim: kishte dashur të më vendoste komesar politik. Kjo mjaftoi që të më marrin prej orës së mësimit e të më burgosin. Në burg më mbajtën 12 ditë. Babai me bollica më ka nxjerrë prej burgut sepse, si duket, shënimet për mua nuk kishin qenë shumë të rënda. Atëherë m’u hup e drejta e mësimit. Më thanë atëherë se mund të vazhdoj të punoj, por vetëm nëse punoj edhe për ta. Kishin nevojë për mësues të përshtatshëm që do ta vendosnin në zona malore në rreth të Gollakut e të Gjilanit. Më lusnin të shkoja duke më premtuar kushte më të mira, por nuk pranova dhe kurrë nuk jam penduar për këtë. Sot e asaj dite kam mbetur bujk, kurrë nuk jam marrë me punë të shtetit”.

Prej atëherë, prej vitit 1952, kur edhe e patën përjashtuar Shabanin nga Lidhja Socialiste, familja e tij jetoi ashtu si mundi, kurrë pa iu ndarë zullumi e presioni. Iu thoshin ose bashkëpunoni, ose shpërnguluni! U patën lodhur një kohë dhe vendosën të shesin tokën dhe të shpërngulen diku tjetër jashtë Kosovës. Por, atë kohë nëna e Shabanit kishte ngulur këmbë dhe nuk i kishte lënë të shpërngulen.

“E kemi pasur vështirë. Fëmijët kanë qenë të vegjël. Nuk kishim krah pune edhe pse tokë kishim mjaft, më shumë se 12 hektarë tokë pune. Ishte tjetër kohë atëherë. Kur e ke pasur hyqymetin kundra, e ke pasur edhe miletin kundra. Kemi qenë të leçitur, nuk u bë me na ardhë as miku, as nipi, as daja e as kojshia. Nuk e kemi pasur përkrahjen e askujt. Përkundrazi, janë munduar në të gjitha mënyrat të na thyejnë. Më kujtohet se tatimi për familjen tonë ka qenë tepër i madh. Familja jonë dhe dy familje tjera patriotësh të fshatit, deri në vitin 1956 i kemi paguar tatim shtetit sa krejt Prekazi i Poshtëm. Por, kurrë nuk jemi ankuar, e besa edhe djemtë filluan të rriten. Djali i madh Rifati, në vitin 1969, shkoi në Gjermani për shkak të kushteve të rënda materiale. Ai nuk pati mundësi të shkollohet, vetëm filloren e kreu. Hamza dhe Ademi e kanë të kryer shkollën e mesme. Tash në Gjermani i kam edhe tre nipa, sepse të tre djemtë e kanë atje nga një djalë. Prej atëherë më nuk kemi pasur probleme ekonomike, vetëm aso me hyqmet, si familja e Shaban Jasharit, familje reaksionare na thonin”.

Ka pasur rrezik të shpërthimit të një lufte më të madhe

Djemtë e Shabanit, të flaktë për liri, kishin qenë aktivë gjatë të gjitha ngjarjeve, gjatë 1968-shit, 1981-shit e madje një prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1989 në Skënderaj kishte qenë djali i vogël i Shabanit, Ademi.

“E patën zënë atëherë në demonstrata Muratin, djalin e madh të Rifatit dhe, edhe pse 17-vjeçar, e dënuan me 45 ditë burg. Por, pasi ishte i mitur, e liruan pas 15 ditësh. Mirëpo, si duket, nuk u kënaqën me kaq dhe pas disa ditësh e sollën thirrjen se duhet t’i mbajë edhe 30 ditë. Djali nuk deshi më të shkojë, por u largua e shkoi në Gjermani dhe prej atëherë është atje. Djemtë atë kohë ishin aktivistë të LDK-së, por shumë shpejt hoqën dorë prej saj …”

Kështu rrëfen mixha Shaban për jetën e tyre gjithmonë nën presion dhe me frikën se do t’i thërrasin, pasi plakun shpesh e thërrisnin në polici. Kishin vendosur të ndaheshin, sepse ishin bërë 30 anëtarë të familjes.

“Shtëpitë i kishin përfunduar të tre djemtë dhe vetëm kishte mbetur që secili të dilte në shtëpinë e vet. Por, nuk na lanë vend, nuk doli ashtu s’i menduam, doli ndryshe, e tash them shyqyr që s’u ndamë, vetëm sa duhet të bashkohemi edhe më shumë”.

“Në vitin 1991 na sulmuan. Edhe atëherë kemi qenë të rrethuar. Atë kohë kërkohej një grup të rinjsh të cilët, sipas policisë, ishin stërvitur në Shqipëri dhe kishin sjellë armatim prej atje. Erdhën për ta kërkuar atë natë më 30 dhjetor të vitit 1991 edhe djalin, Ademin. Atë kohë qëlloi në shtëpi edhe djali i madh Rifati, që kishte ardhur për pushime të Vitit të Ri. Lajmet për arrestimet dhe ndjekjet i dëgjuam në radion e Zagrebit, sepse atë kohë vetëm ashtu mund të informoheshim.

Në orën 5 e 15 të mëngjesit, forca të mëdha policore, me autoblinda e tanke na rrethuan. Atë natë bile Ademi mendonte të shkojë në Gjakovë për ta marrë një koftorr më të mirë. Por, mëngjesi na gjeti të rrethuar. Ademi pat qëlluar çuar dhe tha: ‘Pasha zotin, erdhën!’ Puna e parë që bëmë, iu thamë fëmijëve se nuk ka nevojë të tuten. Djemtë i morën armët dhe dolën. Dëgjoheshin vetëm të shtënat. Janë munduar të dalin prej lëme, për të depërtuar rrethin, por ishte qitur rrethi. U zatetën fyt për fyt. Ata bam, këta bam. U munduan të dalin nga ana tjetër. Pas nja 30 minutash u qetësuan të shtënat. U mërzita fort, s’ka çare pa u mërzitur njeri. Mendova: m’i vranë djemtë. Por ata e kishin shpërthyer rrethimin dhe kishin kaluar në mal – në malin tonë i cili është nja 200 metra larg shtëpisë. Të shtënat filluan të ndihen përsëri, tash vinin prej shpatit dhe prapë u dhez lufta. Lufta atë ditë ka vazhduar deri në orën gjashtë të mbrëmjes. Atë ditë thuhet se kanë qenë qindra vetë me pushkë, filluan të vijnë prej të gjitha anëve të Kosovës. Policët erdhën edhe me helikoptera. Atëherë ka qenë rreziku i shpërthimit të një lufte më të madhe. Por patën ardhur shumë vetë për të ndërmjetësuar te ne dhe te policia. Vetëm Fehmi Aganin e pranuan për të biseduar dhe për t’i bindur që ta ndërprejnë luftën. Në mbrëmje u qetësua, u tërhoqën policia”.

Prej vitit 1991, djemtë në arrati

Kështu rrëfen plaku për atë që ka ndodhur atë ditë me bijtë e tij që patën dalë në mal, mirëpo brenda shtëpisë u pat zhvilluar një luftë krejt tjetër.

“Na patën hyrë edhe brenda në shtëpi aty kah ora 11. Unë pata dalë jashtë dhe si më panë menjëherë më sulmuan, më ranë kamxhik e më përgjakën. Secili që dilte prej shtëpisë e zinin. E zunë edhe djalin e Ademit, djalin 16-vjeçar të Hamzës, e madje edhe djalin 8-vjeçar të vajzës sime, e cila kishte qëlluar te ne. Të gjithë i kanë rrahur. Na lidhën te trafoja dhe ashtu na mbajtën disa orë. Na kërcënonin. Më thonin se t’i kemi vrarë djemtë. Pas një kohe u dëgjua edhe altoparlanti që thonte: ‘Ademe, predaj se! Unishtiqemo t’i kuqu, ubiqemo ti oca!’ Ata mendonin se Ademi është brenda në shtëpi dhe paramendonie këtë: një herë na kishin sulmuar e gjuajtur me plumba – me orë të tëra e pastaj, pasi nuk patën ndonjë sukses, e kërkonin Ademin të dorëzohej. Nuk e dinin se djemtë kishin dalë në mal. Donin të hynin brenda në shtëpi për të kontrolluar, sepse ende mendonin se djemtë i kam aty. Pas një kohe më morën. Më qitën para tytës së pushkës dhe më detyruan të eci i pari. Por, si duket, nuk u mjaftova vetëm unë, sepse e morën edhe vajzën time shtatzënë edhe Ilirianën e cila ishte krejt e re atëherë dhe na detyruan të hyjmë në shtëpi. Kur e panë se djemtë e mi nuk janë në shtëpi, më morën dhe më çuan në Mitrovicë – në stacionin e policisë, ku më mbajtën deri të nesërmen. Gjatë tërë kohës më kanë provokuar. ‘Ta kemi vrarë Ademin e Rifati është i plagosur rëndë …’ – më thonin. Prej dajakut të madh më kanë lënë edhe me pasoja. Prej atëherë më nuk dëgjoj mirë. Zoti deshi të më shpëtojnë djemtë, por ata prej asaj kohe janë në arrati. Mendonim se kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, por u bë kohë e gjatë dhe asgjë nuk ndryshoi. S’kam qejf t’ia mohoj punën askujt, por u bënë tetë vjet e politika e Rugovës s’po fiton, burrë. Çka me bo. Druni s’po na shkoqet, zullumi s’po na hjeket. Dikush e ban, dikush s’mun e ban”, thotë mixha Shaban.

Ky është rrëfimi i vitit 1991, por familja e Shaban Jasharit kurrë nuk u la e qetë.

“Kur më patën thirrë në vitin 1992 për të më pyetur për rastin e 1991, pata kërkuar nëpërmjet avokatëve për të nxjerrë aktakuzën se për çka na akuzuan atëherë. Asgjë nuk më dhanë, nuk kishin asgjë. Vetëm se na patën dërguar një ftesë sipas të cilës duhej për t’u lajmëruar në gjyq, e ftesa ishte për ‘Okrivljenog Rifata Jasharija i ostale’, asgjë më shumë nuk shkruante në të.

“Kam boll lula tjera në shtëpi”

Kjo familje edhe gjatë vitit 1993 pati një “vurmak” të madh. Familja Jasharaj u ballafaqua me diçka tepër të rëndë, u detyruan ta lërë peng djalin e Ademit.

Kështu, një ditë, rrugës për në shtëpi e zunë Lulzimin, djalin e madh të Ademit, së bashku me gruan e Rifatit dhe një djalë (6-vjeçar) të tij. Lulin e kishin marrë dhe e kishin çuar në Mitrovicë në polici, ku e kishin maltretuar dhe ushtruar presion në të. I kanë kërkuar armë sepse, për ndryshe, nuk do ta lironin. Për këtë mixha Shaban thotë:

“Tri ditë e kanë mbajtur djalin, e neve gjatë asaj kohe na kanë maltretuar me telefon. Na thirrnin tërë natën, duke më thënë mua: ‘Po t’kërkon Luli’. Djalin e lamë peng. Më thonin ‘eja merre djalin’, por unë u thashë se nuk vie. Më thanë se e dimë se i ke djemtë aty, pra nëse don me e pa gjallë Lulin, atëherë le të dorëzohen djemtë dhe le t’i dorëzojmë armët. Por, unë iu thashë: ‘Nëse doni, ejani e merrini, sepse ju i keni përzënë djemtë e mi prej shtëpie me pushkë, e vallahi tash me top nuk mund t’i qitni prej saj’. Iu thashë: ‘Nëse doni ejani, e sa për Lulin, bëni çfarë të doni me të, se kam boll Lula tjerë’. Qëllimi i tyre ka qenë se ja tash ia morëm djalin e madh Ademit dhe, menduan, thehet familja. Por, ne këtë s’e pranuam, të gjallë më nuk do t’u dorëzohemi. Tri ditë rresht na kanë bërë person me telefon. Edhe njerëz kanë tentuar të na çojnë, por askush nuk ka pranuar të vij. Ne nuk shkuam e ata nuk guxuan të vijnë. Më në fund marrin vendim për të liruar djalin. E kishin rrahur goxha fort. Me këmbë e duar të ënjta ka ardhur në shtëpi. I kishin dhënë afat që brenda 40 minutave të kthehet, por më nuk e kemi lënë të shkojë. Me kaq pat përfunduar puna e tyre njëherë përnjëherë edhe pse presioni psikik ka qenë i padurueshëm gjatë tërë kohës”, thotë Shaban Jashari.

Prej atëherë për këtë familje më nuk pat qetësi. A mund të ketë qetësi e rehati për ata që jetojnë gjithmonë në pritje të mysafirëve të paftuar, të cilët nuk dihet se kur mund t’ia behin. Hallet e kësaj familjeje shtohen edhe më shumë pas gjykimeve ku në mesin e 15 të akuzuarve të cilët i dënojnë me 264 vjet burgim, vitin e kaluar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, ishte edhe Ademi, të cilin e dënuan me 20 vjet burgim në mungesë. Atëherë u dënua edhe Asllan Selimi me 15 vjet burg e që është i fejuari i Ilirianës së plagosur.

Historia përsëritet

“Tash vjen edhe rasti i fundit edhe pse ka një vit që na përcjellin shtëpinë pandërprerë. Na përcjellnin me dylbi prej fabrikës së municionit e cila ja ku shihet s’i ka as 300 metra prej shtëpisë sonë. Nuk di që ka diku në botë ligj që lejon për të përcjellë gjatë tërë kohës brenda në shtëpinë tënde. Gjithmonë nuk mund të jetohet nën vështrimin e tjetrit, por s’kishim se si fsheheshim se na shikonin si në pëllëmbë dore”.

Më 21 janar Prekazi i Poshtëm mbetet pa rrymë, e që nga ora gjashtë e mbrëmjes edhe pa telefon.

Shabani atë natë ishte burri i vetëm i kësaj familjeje.

“Jemi çuar në syfyr, e kam pasur edhe një mik të vjetër, nipin 76-vjeçar Bajram Gashin. Kur u bë ora 5 e 17 erdh koha me e lanë syfyrin, nisa me e falë sabahin, veç kur t’u ni një gjëmim dim-bau. Ka qenë gjuajtje e largët, predhë. Tri të tilla janë gjuajtur mbi shtëpinë time. Një ka rënë në ahër, një në derë e tjetra diku në oborr”.

Por, familjen e Jasharajve nuk e habitën as predhat e as gjëmimet e murtajave. Ishin mësuar më me këso sulme. Të gjithë kishin rënë për tokë dhe asnjë zë nuk ishte ndier. As atëherë kur plumbi e kishte marrë Selveten, bijën e madhe të Hamzës e as atëherë kur Iliriana ishte plagosur. E dinin se historia po përsëritet, edhe pse me asgjë nuk i kishin provokuar e dinin se kurrë nuk do t’i linin të qetë. I kishin sulmuar. Të gjithë pos plakut ishin gjetur në dhomën e gjyshes, mbesës së Shaban Polluzhës. Nuk ua kishte marrë mendja se policia kanë guxim të futen në oborr.

“Edhe pse dy vajzat ishin plagosur, askush nuk bëri as ciu. Ma mori mendja se donë për të na rrëzuar krejt shtëpinë. Dridhje të mëdha ka pasur, tërë xhamat janë thyer. Është ndier edhe një zë i thekshëm në serbishte që thonte: ‘Ugjite, ugjite, ugjite’! Më dukej se po qesin edhe prej malit. Pastaj u dëgjuan bombat e dorës, edhe murtajat janë përdorur, kanë mbetur gropa nëpër tërë oborrin. Katin më të lartë të shtëpisë e kanë bërë shoshë. Plumbat i gjen gjithkah nëpër shtëpi – në dyer, dritare, mure. Ka plumba që i kanë shpuar tej e përtej edhe katër parë dyer”, thotë plaku.

Kur ia thyejnë derën e hymjes për në odë, me gjuajtje të rënda dhe kur tentojnë të hyjnë brenda, plaku s’durohet dhe mbrohet.

“Më vloi gjaku. Iu thashë ku po doni, bre t’hyni?! Po a e dini se këtu veç fëmijë ka”?!

Sulmi kishte zgjatur rreth 30 minuta, pastaj forcat policore ishin tërhequr.

“Shkova te familja. ‘A shpëtuat?’ – iu thashë.

“’Po, po, veç Selveten pak e ka marrë plumbi’”.

“Hajr i koftë, po ka mundur të na marrë të gjithëve” – iu thashë.

“Kur e pashë se vajzat nuk ishin në rrezik jete, m’u lehtësua shpirti. Vendosëm që sa më shpejt që është e mundshme t’i largojmë prej shtëpisë, sepse kemi pritur se do të vijnë prapë me forca të tjera. Sa ka zgjatur sulmi, pas pesë minutave kanë ardhur bashkëfshatarët nga të gjitha anët … Tash presim”.

Këtu e përfundon këtë rrëfim të tmerrshëm mixha Shaban, e shpresojmë që ky të jetë rrëfimi i tij i fundit për ngjarje të tilla të rënda për familjen e tij.

Pasdite, para perëndimit të diellit, ne e lëshuam odën e ngrohtë të Shaban Jasharit, e cila frymonte optimizëm, me një ndjenjë të një sigurie të çuditshme, në shtëpinë që, sipas dukjes së jashtme, me përplot plumba e vrima, do të duhej të ishte vendi më i pasigurt në Kosovë. /Telegrafi/