LAJMI I FUNDIT:

​Në mungesë të kuorumit dështon mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për hidrocentralet

​Në mungesë të kuorumit dështon mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për hidrocentralet

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, ka dështuar të mbahet si shkak i mungesës së kuorumit.

Në këtë mbledhje të Komisionit ishte paraparë që të bëhej intervistimi i dëshmitarëve me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy” Muhamet Malësiu, drejtor Departamentit të Mjedisit dhe Ujërave dhe Gani Berisha, drejtor i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit.


Zëvendëskryetari i këtij komisioni, deputeti Haxhi Avdyli, tha se kjo mbledhje do të mbahet të hënën e javës së ardhshme.

“Për shkak të mungesës së kuorumit ne nuk do të mund ta vazhdojmë edhe sot këtë raportim. Arsyet e mungesës së kuorumit janë në të shumtën e rasteve të deputetëve janë të arsyeshme për shkak të mbledhjeve të komisioneve tjera, mungesave të ndryshme shëndetësore. Kështu që, kjo mbledhje duke e parë edhe agjendën pjesa administrative e këtij komisioni na ka dërguar të hënën e ardhshme që kemi pasur një raportim të Georg Weber i cili e ka lutur që ta shtyjë raportimin nga 07.12 në 15.12, do të thotë për një javë atëherë agjenda e javës së ardhshme e të hënës është e lirë. Kështu që, unë propozoj që të merret me organizimin e këtij takimi edhe një herë për të hënën e ardhshme, për kohën mund të vendosim bashkërisht dhe besoj që të hënën do ta kemi kuorumin”, tha ai.

Ai po ashtu, bëri të ditur se komisioni do të ketë mbledhje të premten e kësaj jave ku do të jetë për raportim ministri i Arban Abrashi, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit dhe drejtoreshën e Institutit Hidrometeorologjik.

Në këtë mbledhje të Komisionit ishin deputetët Haxhi Avdyli, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Besa Gaxherri dhe Visar Hoti. /KP/