Nga partitë politike shqiptare, deri më tani, vetëm Partia Demokratike Shqiptare, ka publikuar emrat e deputetëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet e 5 qershorit, shkruan Zhurnal.

Edhe pse Bashkimi Demokratik për Integrim zyrtarisht nuk ka publikuar emrat e deputetëve, partia e Ahmetit ka përmbyllur listat për deputetë, ndërsa sot në orën 13:00, kandidaturat do t’i paraqesin në KSHZ.


Me bartësit e listave dhe emrat për deputetë deri në moment të fundit po taktizojnë Demokracia e Re dhe Rilindja Demokratike Kombëtare. Këto dy parti ende nuk kanë publikuar emrat e deputetëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme.

Dilema kryesore e cila mbizotëron DR është se në cilën njësi duhet të garojë lideri i kësaj partie Imer Selmani, në njësinë e parë apo në të gjashtën ku do të ballafaqohen të gjithë liderët e partive politike shqiptare.

Kandidaturat e tyre në KSHZ, duhet t’i dorëzojnë edhe partitë më të vogla të cilat do të garojnë në këto zgjedhje.

Kryetari i PDK-së, Xhezair Shaqiri do të kandidohet në njësinë e dytë zgjedhore, Kryetari i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti në njësinë e gjashtë zgjedhore. /Telegrafi/