LAJMI I FUNDIT:

Në gjurmët e Gertrude Steinit

Në gjurmët e Gertrude Steinit

Luan Rama

Në një nga librat e saj të shkruar në Paris në vitet ’20 të shekullit XX, Gertrud Stein (1878-1946) kishte shënuar: “Pashë një yll që ishte poshtë. Ishte aq poshtë sa ajo shndriste. Fryma ishte brenda saj…” Sigurisht një metaforë pasi Stein ishte e ndërgjegjshme se në Paris, në vitet 1910-1930 ajo po bëhej një udhërrëfyse për shkrimtarët dhe artistët, duke i drejtuar ata drejt një letërsie dhe arti të ri, drejt modernitetit.


Ishte “fryma”, ajo çka ishte e rëndësishme në të gjithë lëvizjen intelektuale e artistike të metropolit parisian dhe rrymave avanguardiste, nga dadaistët tek surrealistët, nga kubistët tek fovistët, apo krijimin e një letërsie të re…

Në 27, Rue Fleurus, në zemër të Parisit, në sallonin e dikurshëm të zonjushës Stein, tablotë e famshme – të Delacroix, Renoir, El Greco, Monet, Gauguin, Picasso e Matisse – nuk janë më.

Tabloja e fundit që i mbeti zonjushës Stein deri kur vdiq ishte një tablo e Picassos, e cila pas vdekjes së saj shkoi në “Metropolitan Museum”. Të tjerat u shpërndanë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ato zbritën në jug të Francës. Një tablo të Picassos, “Vajza me shportën me lule”, Stein e shiti thjesht për të mundur të shtypte dy libra… Ç’fatalitet! Dhe ajo e dinte vlerën e madhe të asaj tabloje e po ashtu dhe dy vëllezërit e saj Leo dhe Michael, te cilët që para lufte u kthyen në Amerikë.

SHTËPIA ME SHUMË VIZITORË

Sidoqoftë, të duket e habitshme dhe gati e pabesueshme që në sallonet e familjes Stein qëndronin të varura tablo mitike të piktorëve tët ë mëdhenj të botës, duke shtuar këtu dhe Degas, Lautrec, Gris, Braque dhe shumë tablo të të madhit Cezanne, tablo që do tu referohej dhe ekspozita e famshme që u hap në Grand Palais të Parisit me titullin “Aventura e familjes Stein”. Po, një aventurë unike, gjeniale pasi Gertrude Stein ishte një intelektuale që diti t’i pararendë kohës, ashtu siç dinë të ecin vetë prekursorët, modernët.

Për këtë shtëpi është shkruar shumë në kujtimet e artistëve dhe letrarëve të ndryshëm francezë e botërore në vitet 1910-30 të shekullit XX. I ngjante një koshereje bletësh, ku mbretëresha ishte Gertrude Stein, ajo grua e zgjuar hebre, jo e bukur, e ardhur nga Pensilvania e Amerikës ku jetonin prindërit e saj dhe që ishte vendosur aty me të vëllain, Leo Stein, në vitet e para të shekullit, kohë kur Leo, ky admirues i madh i pikturës, sapo kishte blerë një tablo të Paul Cezanne. Ishte viti 1907. Gertrud kishte studiuar për mjekësi, por pasioni i saj ishin letërsia dhe artet figurative. Ajo ra në dashuri me sekretaren e të vëllait, amerikanen Alice Toklas, me të cilën jetoi derisa vdiq.

Ishte koha kur filloi aventura e saj e artit dhe e dashurisë safiste apo lesbike, çka ishte e modës në fillimet e shekullit XX në Paris, veçanërisht me një grup feministesh të rretheve poetike të Safos greke.

Në kujtimet e tij, Man Ray, fotografi i famshëm i surrealist kujtonte: “Që nga vizita ime e parë në shtëpinë e Gertrude Steinin në Rue Fleurus, pak kohë pas mbërritjes time në Paris, ruaj kujtime disi kontradiktore. Mbaj mend kur kalova oborrin dhe i rashë ziles. Një grua e vogël brune me vathë të gjatë në veshët e saj, si të ishte një cigane, më hapi portën me një buzëqeshje të përzemërt. Gertrude ishte një grua e bëshme, veshur me një fustan dhe me çorape leshi, si dhe sandale që e bënin më të dukshme peshën e saj. Kisha me vete aparatin fotografik meqë kishim rënë dakord ta fotografoja. Ajo më prezantoi mikeshën e saj Alice Toklas që në fillim, me atë robë të zezë me dantellë të bardhë, e mora për një shërbyese. Kështu vendosa aparatin të fotografoja. Stein ishte një grua në moshë të pjekur dhe disi e ashpër. Sipas saj askush nuk kishte më shumë vlerë se sa miqtë e saj Picasso, Braque dhe Matisse. Ajo i qortonte gjithashtu shkrimtarët që imitonin Hemingwayn, Joycen, dadaistët apo surealistët. Si pionere e gjithçkaje ajo konsideronte vetveten. Atë e trishtonte fakti që të tjerët bëheshin të njohur në botë para saj. Në rrethin e vet ishte gjithnjë ajo që e drejtonte bisedën. Kur dikush e merrte fjalën, ajo ndërhynte që ta drejtonte vetë. Një çast, kur po fliste me dy miq, ajo dëgjoi në anën tjetër të sallonit që Alice bisedonte me një mike tjetër. Papritur Gertrude ndaloi dhe me një ton agresiv i qortoi që të ulnin zërin. Ngado ra një qetësi varri…”!

STEIN, PICASSO DHE MATISSE

Matisse dhe Picasso ishin dy nga admiruesit e parë të Gertrude Steinit. Ndërsa Picasso do të pikturonte portretin e Gertrudes, Matisse do të pikturonte portretet e vëllait të saj Michael dhe gruas së tij, Sarah, të cilët banonin atë kohë në Rue Madame. Kishte një lloj xhelozie midis dy piktorëve të shquar, pasi në sallonet e tyre, tablotë e dy piktorëve zinin një vend nderi.

I imagjinoj tani të dy ata gjeni të pikturës, kur njëri pas tjetrit, rreth orës 21:00 e darkës, tek i bien ziles së asaj shtëpie, duke kaluar oborrin dhe duke përshëndetur pastaj me dashuri zonjushen Stein. Duke hyrë në sallon, disi fshehurazi, ata hidhnin sytë për të parë nëse veprat e tyre kishin lëvizur nga vendi ku ishin varur apo jo, pasi blerjet e tablove tek Stein ishin të shpeshta dhe arti figurativ ishte në një lloj apoteoze. Aty vinin t’i shijonin artisët e letrarët e mëdhenj, Apollinaire, Braque, dadaistët e surrealistët, shkrimtarët amerikanë si Hemingway, Fitzgerald, Anderson, Joyce…

E megjithatë mbrëmjet ishin interesante, pasi Stein dinte ç’fliste. Ajo ishte gjithnjë frymëzuese në idetë e saj moderniste. Ishte ajo që i frymëzonte dhe i mbështeste rrymat e reja avangardiste. Më shpejtë se të tjerët ajo e kuptonte prirjen moderniste. Kush vallë e pëlqeu në fillim “Zonjushat e Avignon” të Picassos përveç saj? Askush tjetër… Në sallonin e Steinin ishte “Gruaja me kapele” e Matisses si dhe “Vajza me një shportë me lule” dhe “Djaloshi që çon kuajt” të Picassos, dy tablo madhore.

Në disa fotografi të viteve 1920-30 të shekullit XX duket Stein që ka pozuar në sallonin e saj pranë tablosë së Picassos me portretin e saj. Një portret i vështirë, për të cilën asaj i duhej të shkonte me omnibus nga Odeoni deri në Montmartre, në atelierin e piktorit në Rue Ravaignan: 90 seanca ku ajo pozoi para piktorit që e vlerësonte aq shumë për penelin dinamik dhe origjinalitetin e tij.

Por, të kapje portretin e Steinit ishte e vështirë. Madje, disa miq të Picassos, që shkonin atëherë në ato atelierë dërrasash (ku dhe jetonin, mes tyre dhe Modigliani), kur kishin parë portretin e Steinit ata i kishin thënë mos ta ngiste më, se ashtu ishte mjaft bukur. Por, Picasso ishte i pakënaqur dhe vuajti shumë me të. Portreti prishej dhe rifillonte përsëri. Ai e vinte gjithnjë në atë kolltuk gati të thyer dhe ai niste të pikturonte. Shumë herë seanca kalonte veçse me biseda për artin, pasi ishte kënaqësi të dëgjoje Stein kur fliste për artin dhe botën. Mes tyre ka patur një korrespondencë të gjatë. 250 letra tregojnë jo pak për miqësinë e tyre.

Në një nga letrat, më 9 dhjetor 1915, Picasso i shkruante: “Mos u çudit që s’të kam shkruar që ditën kur ikët. Jeta ime këtu është një ferr i vërtetë. Eva është gjithnjë e sëmurë. Pothuajse nuk punoj në atelier, pasi rend sa në një spital në tjetrin. Megjithatë e punova një tablo, një ‘arlekin’, që sipas meje dhe miqve që ma panë është puna më e mirë që kam bërë. E bleu z. Rosenberg. Do ta shkoni kur të ktheheni në Paris…”

Kohë më vonë, një ditë, Picasso ishte futur në një dyqan antikuaresh dhe ja tek kishte parë një seri maskash afrikane që e kishin befasuar me origjinalitein e formës. Në kthim, në atelier, ai e prishi portretin e Steinit dhe e rikrijoi, kësaj radhe në frymën e maskave, formë që do ta thellonte me tablonë mitike “Zonjushat e Avignonit” apo më pas me “Tri gratë” e cila do gjendej më pas në sallonin e Steinit dhe që do të lajmëronin “revolucionin kubist”. Në sallonet e familjes Stein kishte një numër të madh tablosh të Picassos, si dhe mjaft vizatime, etude për “Zonjushat e Avignonit” apo shumë “nature mort” e peizazhe që rrallë janë parë nga publiku

STEIN MIDIS HEMINGWAYT DHE FITZGERALDIT

“Zonjusha Stein ishte një grua e fortë, jo shumë e madhe dhe me një shtat fshatareje “- kishte shkruar Hemingway në librin e tij “Parisi, një festë e pambarrimtë”. “Kishte sy të bukur dhe fytyrë të ashpër, si të një hebreje gjermane, madje, nga mënyra si vishej, me fytyrën aq ekspresive, me flokët e saj të dendura e të bukura të një emigranteje, të cilat ajo i ngrinte me një kapse (mesa dukej që kur kishte qenë në universitet), më ngjante me ato fshataret e Italisë së veriut. Fliste pa pushim për njerëzit dhe vendet. Shoqja e saj me të cilën ajo jetonte, kishte një zë të këndshëm, ishte me shtat të vogël dhe flokë si të një Jeanne D’Arc dhe ishte shumë brune. Ne e donim zonjën Stein dhe miken e saj edhe pse ajo kishte një pamje të tmerrshme…”

Hemingway kujtonte në librin e tij dhe tablotë që mbushnin muret e sallonit të saj apo artistët e shumtë që vinin aty, duke shtuar dhe Braque, Gris, Vallotton etj. Një ditë, siç pohon Hemingway “Zonja Stein bënte edukimin tim mbi jetën seksuale, pasi është e vërtetë që unë atëherë kisha disa paragjykime për homoseksualitetin… Ne bisedonim, por nuk isha dakord aspak me të. Megjithatë secili kishte mendimet e tij. Sidoqoftë unë nuk i kundërshtoja më të mëdhenjtë në moshë. Parapëlqeja të dëgjoja dhe Gertrude kishte një cilësi mjaft inteligjente për të treguar gjëra interesante. Ajo më tha se shpejt a vonë duhej ta braktisja gazetarinë. Më tha se nuk isha një shkrimtar aq i mirë për tu botuar në revistën ‘Atlantic Monthly’ dhe në ‘Saturday Evening Post’, por mund të bëhesha një shkrimtar i një lloji të ri… Ne atëherë jetonim në Rue Notre-Dame-des-Champs dhe me Stein ishim ende miq të mirë, kur pikërisht ajo më foli për gjeneratën e brezit të humbur. Atë ditë ajo kishte problem me dritat e makinës së saj të vjetër, një Ford T, dhe djaloshi që punonte në garazh po merrej me një makinë tjetër, duke e lënë makinën e saj për më vonë. Sidoqoftë nuk ishte treguar serioz dhe patroni e qortoi rëndë duke i thënë djaloshit: ‘Ju të gjithë jeni një gjeneratë e humbur’… Ja, dhe ju, – mu drejtua Stein – edhe ju jeni që të gjithë kështu… ju të rinjtë që bëtë luftën, të gjithë jeni një gjeneratë e humbur! – Vërtet? – i thashë. – Po, vërtet! – këmbënguli ajo! – Ju veçse dini të pini alkool!…”

Me zonjushën Stein u bëmë miq të afërt. Nga ana ime unë ndërhyra më vonë që vepra e saj të mund të botohej pjesë-pjesë në revistën e Fordit dhe e ndihmova që të daktilografoja dorëshkrimin e saj. Meqë një periudhë kisha kohë që nuk kisha shkuar tek ajo, Stein më tha: “Hemingway, po ti je zot shtëpie këtu! Ejani kur të doni dhe shërbyesja do të përkujdeset për ju!…”

Një ditë, Hemingway e njoftoi Fitzgeraldin që atë mbrëmje të shkonin tek salloni i Steinit. Dhe ata shkuan së bashku. Ishte data 25 shtator 1926. Fitzgerald ishte i shqetësuar dhe Stein e kishte pyetur se çfarë kishte: “A e dini që sot jam 30 vjeç?! – kishte thënë Fitzgerald. – Kjo është dramatike. Çdo të bëhet me mua? – Mos u shqetëso!…” – i kishte thënë Stein dhe ajo e këshilloi që të kthehej në shtëpi dhe të vazhdonte shkrimin e romanit. Ajo i kishte pëlqyer shumë dy romanet e tij “E kundërta e Parajsës” dhe “Gatsby i mrekullueshëm”.

PIKTORI ABEDIN DINO DHE NJË OPERË E STEINIT

Pothuaj gjithë elita amerikane kur vinte në Paris, do të takohej dhe me Steinin, edhe pse ajo ishte një tip i vështirë, edhe pse një njeri me një kulturë të shumanshme, çka e tregoi në botimet e saj veçanërisht “A making American’s” apo “Fabrikimi i amerikanëve”, ku shkruan për shumë personalitete të jetës amerikane. Një nga shqiptarët që e ka njohur nga afër zonjushën Stein ka qenë piktori Abedin Dino, në kohën kur në fund të viteve 1930 ai erdhi në Paris dhe frekuentoi rrethet artistike parisiane, mes të cilëve dhe Picasso e Matisse.

Atë kohë Stein po punonte për të venë në skenë një operë dhe meqë u njoh me piktorin Dino i kërkoi atij që ti bënte dekoret e skenës. Abedini i krijoi, disa prej të cilave Dino mi ka treguar në atelierin e tij para se të vdiste. Por, përfundimisht kjo operë nuk do të vihej në skenë. Ai tregonte se e kishte njohur Steinin në kafenenë e saj të preferuar “La Coupole”, ku rrinte zakonisht.

“Ne punuam së bashku me Steinin, e cila në atë kohë banonte në 5, Rue Christine. Punuam për operën që kishte ndërmend të vinte në skenë, ‘Doktor Faustus lights the lights’, muzika e së cilës do të kompozohej nga lordi Berners, një mik i afërt i saj dhe i koreografëve rusë, Diaghilev dhe Balanchine…” Takimi me Steinin, me këtë grua të famshme amerikane e kozmopolite, do të linte gjurmë në jetën e Abedinit.

Gertrud Stein e bëri Francën si një atdhe të dytë, ku dhe vdiq në vitin 1946. Ajo u varros në “Père Lachaise”. Franca e nderoi atë pasi jo vetëm që ishte një intelektuale që la gjurmë në jetën artistike parisiane, por dhe pse gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkë me të dashurën e saj Toklas, ato punuan si infermiere në spitalet franceze në ndihmë të të plagosurve.

Sot, ajo shtëpi në Rue Fleurus është e heshtur. Është e habitshme të mendosh se atje, në sallonet e asaj shtëpie të thjeshtë, ishin disa nga kryeveprat botërore, thjesht për kënaqësinë e atyre që e donin artin. Ç’mrekulli!…