LAJMI I FUNDIT:

Ne dhe ata

Ne dhe ata
Ilustrim

Shtresëzimi shoqëror është krejt natyror. Prova për të vendosur barazinë si tipar shques dhe esencial të një shoqërie pa shfrytëzues e të shfrytëzuar, ka rezultuar fatale për vendet të cilat shpenzuan energji kolosale në këtë aspekt. Faktet janë kokëfortë. Statistikat e fundosjes së këtyre shoqërive janë domethënëse për natyrën kundërnjerëzore të sistemeve që u ndërtuan mbi themelin e ne dhe ata. Sado përdredhje fine e justifikime të përdorin mbrojtësit e kësaj ndarje të shtresuar në vetëdijen apo nënvetëdijen e tyre, nuk mund të zhbëhet e vërteta e jetuar në të tilla sisteme.

Sistemet i ndërtojnë njerëzit. Nëse njerëzit që ndërtojnë sisteme anojnë kah qëllimi për të sunduar me çdo mjet shoqërinë në të cilën bëjnë pjesë, pasardhësit e tyre me siguri që do t’i përdorin sistemet e ndërtuara për të vazhduar sundimin. Themi për të sunduar dhe jo për të drejtuar, pasi dallimi mes sundimit dhe drejtimit është i qartë për çdokënd që mat me peshoren e vlerave vlerën apo kundërvlerën e njerëzve që mbushin institucionet e sistemit.


Ne dhe ata, një përcaktim që shpreh qartë përthithjen e ushqyerjes të ndarjes së shoqërisë në grupe antagoniste, ndarje që i shërben thërrmimit të kohezionit social. Çuarja e shoqërisë drejt konfliktualitetit me bazë urrejtje bazuar në përkatësinë politike, fetare, krahinore, etnike dhe racore i shërben ngjizjes së besimit se në shoqëri disa janë superiorë e disa inferiorë. Pasojat kërkojnë kohë të gjatë për t’u kuruar.

Superiorët jemi ne, ne që jemi në anën e duhur. Që jemi të arsimuar edhe jashtë vendit. Që jemi drejtues institucionesh të rëndësishme jo mbi bazën e burokracisë meritokratike, por mbi bazën e burokracisë së ushqyer nga lart. Që japim e ide e mendime, për të cilat ata janë të padenjë dhe të paaftë për t’i kuptuar e përtypur. Që kemi sqimë e elegancë në veshje dhe nuk rrëmojmë nëpër dengje rrobash të përdorura për të blerë veshje firmato.

Inferiorët janë ata. Ata që nuk njohin atë që njohim ne. Që u kthyen në plebejtë tanë, sepse nuk qëlluan të kishin natyrën tonë. Që nuk qëndrojnë në shkallën dhe nivelin tonë të arsimimit. Që nuk njohin shijen e jetës evropiane dhe janë tmerrësisht të egër përballë qytetërimit që reflektohet prej veshjeve tona të blera në sallonet plot shije të qytetërimit modern perëndimor. Që nuk zotërojnë aftësi dhe potenciale si ne e, për rrjedhojë, janë të paracaktuar të mbesin gjithmonë në nivele të ulëta në procesin qytetërizues që kemi ngritur ne me mund e sakrificë qyshkur u përcaktuam në anën e duhur.

Ushqyerja e vazhdueshme e këtij modeli rrjedhon me përçmim të aftësive dhe potencialeve që mbartin njerëzit. Përçmohen ata, sepse nuk kanë arritur të notojnë në luksin e ne. Sepse nuk kanë arritur majat e famës së ne. Sepse nuk janë të rafinuar e të edukuar si ne. Sepse nuk mund të kenë një banesë në zonën e ne. Sepse nuk kanë një pozitë sociale si ne. Duke pasur kaq deficite, ata janë të padenjë për të qenë pjesë e institucioneve që drejtojnë ne. Janë të padenjë për t’i cilësuar njerëz të edukuar në pikëpamjen kulturore.

Nëse ata qenkan e keqja e shoqërisë, atëherë kush i ka sjellë në këtë gjendje?

A është kjo zgjedhja e tyre e vullnetshme?

A janë natyrat e tyre të egra, barbare dhe të pashtruara përkundrejt procesit qytetërizues?

Përse të njëjtat natyra që këtu janë pjesë e ata, diku tjetër shkëlqejnë dhe arrijnë nivele të larta të profesionalizmit dhe qytetarisë, duke i lënë në bisht ne?

Përse ata, punojnë, sakrifikojnë, kanë ambicie për të përmirësuar jetët e tyre edhe kur ky synim iu pengohet nga stërkëmbëshi i varfërisë që iu imponohet përdhunshëm?

Ne, që kanë lindur në kolltukë dhe në asnjë çast të jetës nuk kanë provuar mbi kurriz vuajtjen e mospasjes dhe varfërisë, tallen e përçmojnë pjesën e ata, kur de facto shkaku kryesor i katandisjes së kokoshit një thelë është “mençuria” e ne. Të mos i lejosh tjetrit asnjë hapësirë ose t’ia ngushtosh hapësirën aq shumë, saqë ia bën të pamundur të shprehë vetveten, potencialin dhe më pas ta përdorosh si njësi matëse të së keqes është fyese. Kushdo që vepron në këtë mënyrë tregon se sa i varfër është në shpirt dhe se sa ligësi mbart në vetvete. Me siguri që ne e bren kompleksi i inferioritetit, sepse pikërisht prej ata do të dalin njerëz që, duke njohur vuajtjen, sakrificën tmerrin e të jetuarit në varfëri, do të derdhin djersë për t’u ngritur edhe në sferën e kulturës, edhe në sferën e fuqisë ekonomike. Dhe, të përkëdhelurit e rrotës së historisë kësaj i frikësohen, duke harruar se aty janë jo se janë shumë, shumë të zotë, por për rrethana të tjera që ata vetë i njohin shumë mirë. Etiketimi i ata, si e keqja që s’duhet të molepsë shoqërinë, ka si qëllim që të frenojë çeljen e luleve që lajmërojnë pranverën, sepse ne kanë injektuar tek pasardhësit të njëjtën dëshirë për sundim. Shkundja dhe zgjimi i ata, është shkurtim ymri për sundimin dhe zgjatje ymri për drejtimin.

Dimri i acartë i antagonizmit ne dhe ata sado të zgjatet, do të ikë bashkë me plakat e marsit, të cilat nuk mund ta vonojnë pranverën. Çdo gjë në kohën e vet.