Në Bullgari, Prishtina kërkon kurorën që i mungon Kosovës

Sigal Prishtina tashmë ka arritur suksesin më të madh në histori të basketbollit kosovar.
Prishtina po paraqitet në finale të një gare rajonale, në finale të Ligës Ballkanike në basketboll (BIBL).
Te klubi i kaltër nga kryeqyteti nuk kënaqen me këtë - duan që në histori të hyjnë si klubi i parë kosovar që fiton titull në një garë rajonale.
Prishtina titullin e Ligës Ballkanike mund ta fitojë dhe festojë sot në qytetin bullgar që për shumë prishtinas ishte i panjohur deri vonë, në Samokov.
Nga Samokovi është skuadra Rilski Sportist, me të cilën Prishtina përballet në finale të Ligës Ballkanike, shkruan sot "Koha Ditore".
Në fakt, finalja nuk përbëhet vetëm nga një ndeshje, por nga dy, ndërsa skuadra më e suksesshme pas dy takimeve del e para, fiton titullin.
Ndeshjen e parë, të luajtur të martën e kaluar në palestrën e stërmbushur me shikues në Prishtinë, e fitoi kampionia e Kosovës me dy pikë dallim, 74:72, transmeton Koha.net.
Fitorja u festua, por jo edhe shumë.
Synimet ishin që në ndeshjen e parë të arrihej fitore dukshëm më e thellë, në mënyrë që ndeshja e dytë, që luhet të mërkurën (sot) nga ora 18:30 në "Arena Samokov", të ishte më e lehtë.
Por rezultati i ngushtë nga ndeshja e parë bën që për ndeshjen vendimtare të parashikohet luftë e madhe nga fillimi deri në fund. Luftë për çdo top.






















































