LAJMI I FUNDIT:

Në Berat restaurohen ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”

Në Berat restaurohen ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit vijon punën për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë.

Në këtë laborator, restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat janë duke punuar mbi dy ikona: Ikona “Profeti Ilia” me autor Johan Çetirin dhe “Hyrja në Jeruzalem” me autor Vëllezërit Çetiri.


Sipas specialistëve, ikona e profetit Ilia është në gjendje të mirë, vetëm se ka degradim të vernikut, ku duhet të bëhet një ndërhyrje e kujdesshme pa e dëmtuar ikonën.

“Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese të ikonave do të konsistojnë në konsolidimin e grundit pelikulit dhe panës së drurit. Do të realizohet gjithashtu pastrimi i ikonës dhe dizinfketimi i drurit nga insektet”, shprehen specialistët.

DRKK, Berat, vazhdon punën me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateliesë, ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëve”, e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”. /ATA/