LAJMI I FUNDIT:

NË ASNJË VEND TË BOTËS, KURRË NDONJËHERË, S’KA PASUR NJERI QË T’I DHIMBSESHIN NJERËZIT E PAFAJSHËM

NË ASNJË VEND TË BOTËS, KURRË NDONJËHERË, S’KA PASUR NJERI QË T’I DHIMBSESHIN NJERËZIT E PAFAJSHËM

Nga: Jaroslav Hasek (pjesë nga vepra “Ushtari i mirë Shvejk”
Përkthyen: Gëzim Erebara & Tonin Bushati

… Shvejku, pasi dëgjoi të gjitha këto histori komplotesh të tmerrshme, e pa të udhës t’u shpjegonte të gjithëve se ishin në një gjendje pa shpresë.


– Ne që të gjithë keq i kemi punët! – nisi ai fjalën e vet ngushëlluese. S’është e vërtetë ajo që thoni ju se s’mund t’ju ngjasë apo, më mirë të themi, të na ngjasë gjë. E përse e kanë vënë policinë? Për asgjë tjetër përveçse që të na dënojë kur llapim shumë. Askush s’duhet të çuditet kur e dërgojnë në drejtori të policisë, sidomos po të marrim parasysh se në ç’kohë të rrezikshme jetojmë ne, në një kohë kur vriten arkidukë. Të gjitha këto bëhen vetëm për shkëlqim, vetëm e vetëm që t’i bëhet sa më shumë reklamë Ferdinandit para varrimit. Sa më shumë që të bëhemi këtu, aq më mirë do të jetë për ne, se do të jemi më të gëzuar. Kur isha në ushtri, njëherë burgosën deri gjysmën e kompanisë. Sa njerëz të pafajshëm dënoheshin! Njerëz të pafajshëm dënohen jo vetëm në ushtri, po edhe nga gjykatat civile. Më kujtohet se njëherë u dënua një grua se mbyti dy binjakët e saj. Megjithëse ajo betohej dhe stërbetohej se s’kishte si t’i mbyste binjakët, pasi kishte lindur në të vërtetë vetëm një vajzë, të cilët, fundja, e kishte mbytur fare lehtë, prapëseprapë atë e dënuan për vrasjen e dy vetave. Pa le ai cigani i pafajshëm nga Zabjehlica, që hyri në dyqanin e bakallit tamam natën e krishtlindjeve. Edhe ai u betua se aty kishte hyrë për t’u ngrohur, po kjo s’e ndihmoi aspak. Po vajti puna në gjyq, e ke keq. Keq, po ç’të bësh? Në të vërtetë të gjithë njerëzit s’janë aq të poshtër, siç flitet dhe mendohet për ta; po si mund ta dallosh sot njeriun e mirë nga i ligu, sidomos në një kohë kaq të vështirë, kur ia numërojnë edhe atij, Ferdinandit? Njëherë te ne (atëherë unë kryeja shërbimin ushtarak në Bugjejovicë), në pyllin pas poligonit të qitjes, i vranë qenin majorit. Kur e mori vesh këtë, na thirri të gjithëve, na rreshtoi dhe urdhëroi që të dilte nga rreshti një për çdo dhjetë ushtarë. Unë, kuptohet vetiu, isha i dhjeti. Kështu të gjithë qëndronim “gatitu” dhe s’lëviznim aspak. Majori erdhi vërdallë rreth nesh e tha: “Ju, o edepsëzë, të poshtër, rezilë, ju, o hiena, ju të gjithë për atë qen do t’ju fusja në burg, do t’jua bëja shpinën më të butë se barku, do t’ju pushkatoja dhe me mishin tuaj do të bëja kotoleta dhe, që ta dini se unë jam me të vërtetë i pamëshirshëm po ju dënoj të gjithëve me katërmbëdhjetë ditë arrest kazerme! …” Pa i vini pak gishtin kokës: atëherë bëhej fjalë për një qen, ndërsa tani është puna për një goxha arkidukë. U duhet futur në shpirt tmerri njerëzve, që të ndihet sadopak kjo zi e madhe.

– Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm! – përsëriste burri të cilit i ishin ngritur flokët përpjetë tamam si gjembat e iriqit.

– Edhe Krishti, zoti ynë, ishte gjithashtu i pafajshëm – i tha Shvejku. Po, prapëseprapë, edhe atë e kryqëzuan. Në asnjë vend të botës, kurrë ndonjëherë, s’ka pasur njeri që t’i dhimbseshin njerëzit e pafajshëm. “Maul halten und weiter dienen” – mbaj gojën dhe shiko punën, siç na thoshin në ushtri. Kjo është punë me mend …